Trajneri Qatip Osmani i bindur në kualifikimin e Shkëndijes në rrethin tjetër

Trajneri Qatip Osmani i bindur në kualifikimin e Shkëndijes në rrethin tjetër

Sport July 15, 2019 - 18:08
Detajet

Trajneri i Shkëndijes, Qatip Osmani ka folur para mediave për ndeshjen e kthimit me Nomme Kaljun në kuadër të rrethit eliminator në Ligën e Kampionëve.

Osmani është shprehur i bindur në fitore dhe në kualifikimin tutje përballë kampionit të Estonisë, shkruan Zëri.info.

Me përparësi 1:0 nga ndeshja e parë në Estoni, Shkëndija duket e përgatitur të bëjë detyrën në ndeshjen e kthimit me Nomme Kaljun për të konfirmuar avansimin në rrethin e dytë të eliminatoreve të Ligës së Kampionëve.

“Pas ndeshjes së parë brenda javës kemi analizuar gabimet që i bëmë në takimin e luajtur në Talin, ndërsa nesër presim që të marrim kualifikimin për në raundin tjetër“, tha fillimisht Osmani.

“Kemi rezultat pozitiv që na afron pranë kualifkimit në raundin tjetër, por e kemi marrë shumë me seriozitet ndeshjen e kthimit. Edhe pse e kemi atë përparësi 1:0, në futboll ndodhin befasitë, ashtu që duhet të hyjmë maksimalisht të motivuar për të fituar. Sa i përket formacionit, 99.9 % do të jetë ai që startoi në Talin”, vlerësoi Osmani.

“Lojtari 12-të i Shkëndijës gjithmonë kanë qenë tifozët ‘Ballistët’, ashtu që presim si në ndeshjet tjera evropiane që na kanë mbështetur edhe nesër i presim në një numër të madh që të në japin përkrahjen e duhur”, shtoi trajneri shqiptar.

Shkëndija tashmë është vendosur në Shkup dhe ka nisur seancën stërvitore.

Skuadra estoneze Nomme Kalju gjendet në Maqedoninë e Veriut prej dje.

Ndeshja Shkëndija - Nomme Kalju zhvillohet të martën në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup me fillim në orën 17:00./Zëri.info