Para ndeshjeve me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe, trajneri i Kosovës jep një premtim të madh

Para ndeshjeve me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe, trajneri i Kosovës jep një premtim të madh

Sport July 15, 2019 - 23:26
Detajet

Basketbollistët e Kosovës të hënën në mbrëmje kanë vazhduar me stërvitje për t'u përgatitur sa më mirë për para-eliminatoret e "Eurobasket 2021".  

Stërvitjet do të vazhdojnë dy herë në ditë, derisa gjatë fundjavës, "Dardanët" zhvillojnë dy miqësore me Sllovakinë në udhëtim. 

Të hënën mbrëma në stërvitje ishte prezent edhe kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, njofton FBK, përcjell Zëri.info.

Image

Fetahu u shpreh se FBK-ja gjithmonë do të jetë afër lojtarëve dhe stafit, derisa shtoi se pret që basketbollistët të japin 100 përqind nga vetja e tyre për Kosovën, ashtu siç e kanë dhënë deri më tani. 

I pari i basketbollit kosovar nënvizoi se ndeshjet ndaj Luksemburgut dhe Britanisë së Madhe janë shumë të rëndësishme, kurse u uron fat dhe suksese lojtarëve në këto ndeshje. 

Stërvitja vazhdoi sipas planit, kurse edhe në stërvitjen e mbrëmjes mungoi Arian Qallaku për shkak të lëndimit. 

Përzgjedhësi i Kosovës, Damir Mulaomervic, beson se do të përgatiten maksimalisht. 

“Sot ishte dita e parë e stërvitjeve. Do të kemi edhe dy ndeshje miqësore, që do të na ndihmojnë të përgatitemi sa më mirë. Shpresoj se nuk do të kemi lëndime dhe të përgatitemi sa më mirë deri para ndeshjeve të gushtit”, ka thënë Mulaomerovic për faqen zyrtare të FBK-së. 

Ai foli edhe për kundërshtarët e Kosovës. 

Image

“Jemi në grup me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe. Nuk do të jetë lehtë, por edhe ne kemi gjasat tona. Luksemburgu ka një ekip për respekt, derisa do të shohim se me çfarë ekipi do të paraqitet Britania. Sidoqoftë, ne do të japim maksimumin dhe angazhimi ynë nuk do të mungojë”, nënvizoi përzgjedhësi i Kosovës. 

Basketbollistët kosovarë më 3 gusht janë mysafirë të Luksemburgut, më pas e presin Britaninë e Madhe më 7 gusht dhe Luksemburgun më 14 gusht, kurse ndeshja e fundit është kundër Britanisë në udhëtim më 17 gusht./Zëri.info