Klopp paralajmëron Chelsean për ndeshjen e nesërme

Klopp paralajmëron Chelsean për ndeshjen e nesërme

Sport August 13, 2019 - 22:01

Nesër do të dorëzohet trofeu i parë zyrtar i sezonit. Në Stamboll do të diskutohet Superkupa e Evropës mes Liverpoolit, fitues i Ligës së Kampioneve, dhe Chelseat, kampiones së Ligës së Evropës që luhet nga ora 21:00. Dhe Jurgen Klopp, në një intervistë për sajtin e UEFA-s, kërkon tjetër triumf kontinental dhe një skuadër që vazhdon të jetë e uritur pas humbjes së Superkupës së Anglisë kundër Manchester Cityt.

Si ishte të vinit duart mbi trofeun e Champions-it?

Ishte e parezistueshme, por në jetë nuk ka rëndësi që të prekësh trofeun, por ta fitosh atë. Ajo është ndjesi e papërshkrueshme, prandaj unë e shijova shumë kur e ngrita vetë trofeun. Teksa shikoje të tjerët ta ngrinin ishte bukur, sepse shikon emocionet e njerëzve të tjerë. Unë kam shumë foto fantastike në mendje, të cilat nuk do t’i harroj kurrë dhe sigurisht një ndër to është kur Hendo (kapiteni Henderson) ngriti trofeun dhe ne ishim të gjithë së bashku.

Ju përdorët frazën “gjigantë mentaliteti” për lojtarët tuaj dhe kjo ishte qartazi çelësi në triumfin në finale. Pasi e fituat atë, lojtarët kanë përsëri nevojë ta dëgjojnë…

Kur di që diçka funksionon, të ndihmon të besosh se do të funksionojë përsëri, 100%. Ajo ndihmon kur unë përpiqem të bind djemtë se gjithçka është e mundur. Falë Zotit unë nuk jam i vetmi në dhomën e zhveshjes që mendoj se këto gjëra janë të mundura dhe kjo ndihmon shumë. Njerëzit, tifozët besojnë se ne jemi të aftë për të bërë gjëra speciale. Nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç krijimit të një atmosfere speciale. Ne duhet ta bëjmë atë. E dimë sesi funksionon: ndonjëherë e nis turma, ndonjëherë duhet ta bëjmë ne. Por kjo nuk ka rëndësi. E vetmja gjë e rëndësishme është që ne mund ta krijojmë atë.

Le të flasim për finalen e radhës. Ju thatë se nuk është trofeu i fundit, por i pari. Duke nisur sezoni i ri, çfarë mendoni se duhet të bëni për të vijuar që të jeni të suksesshëm?

Të qëndrojmë të uritur. Kjo është shumë e rëndësishme. Nuk kam dyshime për këtë. Por është e qartë që duhet ta bëjmë. Pas finales, patëm rreth katër javë ku të gjithë na rrihnin shpatullat dhe ishte fantastike kudo që shkuam. Është diçka e bukur, por në një botë tjetër gjëra si këto mund të të zbusin dhe të ta zbehin pak forcën. Ne nuk jemi të tillë, por është një fakt që mund të ndodhë. Ne duhet vetëm të bëjmë të njëjtën gjë dhe disa gjëra që ndoshta nuk shkuan shumë mirë, duhet t’i përmirësojmë. Kështu është.

Superkupa është në Stamboll këtë vit. Sa e rëndësishme është për Liverpulin, duke parë rëndësinë e historisë së tyre në atë qytet?

Superkupa në vetvete nuk është një kupë që unë e kam dashuruar për ta parë në të shkuarën, sepse unë kam qenë shpesh ose në finalen e Champions-it ose në atë të Ligës së Europës. Superkupa është natyrisht një provë finaleje: nëse nuk je në këtë ndeshje, do të thotë se nuk e ke fituar finalen. Por këtë vit është tërësisht diçka tjetër. Ne mezi po e presim. Është një ndeshje e madhe, në një qytet të mrekullueshëm.

Çfarë lloj ndeshjeje mendoni se do të presim? Janë dy klube angleze përsëri, ashtu si në finalen e Champions-it. Prisni të jetë e ndryshme?

Në krahasim me finalen e Champions-it? Po, shpresojmë. Ajo ndeshje nuk ishte spektakolare, por nuk ka të bëjë vetëm me këtë. Ju i patë të dyja skuadrat që ishin nën presion dhe ndjenë intensitetin dhe rëndësinë e finales, e cila mund të të drejtojë drejt gjërave të çuditshme.

Është një finale, por dallimi i madh mes finales së Champions-it dhe kësaj është se është një sezon i ri, rival i ndryshëm. Mendoj se Çelsi ka ndryshuar shumë: ka një trajner të ri, Hazard nuk është më atje.