Policia konfirmon se ia ndaloi hyrjen në Kosovë edhe një klubi tjetër serb

Policia konfirmon se ia ndaloi hyrjen në Kosovë edhe një klubi tjetër serb

Sport October 09, 2019 - 22:00
Detajet

Edhe një ekipit të dytë serb i është ndaluar hyrja në Kosovë brenda ditës së mërkurë, për shkak të mungesës së lejes për të zhvilluar gara në territorin e vendit, ka konfirmuar Policia e Kosovës për Gazetën Express.

Pak orë pasi klubi i famshëm serb i futbollit, Crvena Zvezda, u ndalua në pikën kufitare të Jarinjës – përmes të cilës u përpoq të futej në territorin e Republikës së Kosovës sot në mëngjes për ta zhvilluar ndeshjen e Kupës së Serbisë ndaj klubit serb në Kosovë, Trepçës – Policia e Kosovës ndalesën ia vendosi edhe klubit serb të hendbollit, Topliça nga Prokuplja.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka konfirmuar për Gazetën Express se klubi serb nuk u lejua të futej në territorin e Kosovës përmes pikës kufitare Bernjak pasditën e sotme, dhe u kthye mbrapsht sepse nuk kishte leje për të zhvilluar ndeshje hendbolli.

“Mund të konfirmojmë se sot rreth orës 17:40, në PPK Bernjak, i është refuzuar hyrja një ekipi sportiv të hendbollit nga Serbia , i cili planifikonte të zhvillonte një ndeshje sportive në Mitrovicën Veriore. I njëjti nuk ka pasur leje nga autoritetet kompetente për të zhvilluar lojë në RKS”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Gazetën e Express, Baki Kelani.

Topliçani po planifikonte të hynte në territorin e Kosovës për ta zhvilluar një ndeshje të ligës së parë të Serbisë me Mokra Gorën nga Zubin Potoku.

Kjo nuk është hera e parë që një federatë serbe e sportit përpiqet t’i dërgojë klubet e veta në Kosovë për të bërë gara ilegalisht me klubet e tjera serbe të Kosovës në territorin e kësaj të fundit.

Duket se thirrja e Federatës së Futbollit të Kosovës bërë organeve të rendit në vend për të mos i lejuar klubet serbe të futbollit të futen në republikë për të zhvilluar ndeshje nën organizimin e federatës serbe dhe pa autorizim paraprak nga FFK-ja, ka ndikuar edhe tek klubet tjera pas aksioneve të sotme të policisë.