Sa merr FFK nga shitja e biletave: Avullohen dëshmitë

Sa merr FFK nga shitja e biletave: Avullohen dëshmitë

Sport October 19, 2019 - 19:09

Krahas rezultateve të mira të Kombëtares së Kosovës në kualifikimet për “Euro 2020” çështja e biletave është bërë temë në vendin tonë.

Kapaciteti i vogël i ulëseve në stadiumin “Fadil Vokrri” ka bërë që qytetarët e Kosovës ta kenë të pamundur të sigurojnë bileta për ta parë nga afër ekipin e “Dardanëve”, ndërsa akuzat dhe dyshimet për keqpërdorim të procesit të shitblerjeve të biletave së fundmi e ka shtyrë prokurorinë e shtetit të ndërhyjë për të hetuar.

Çështja e biletave në Kosovë është një histori në vete. Telashet, tregu i zi, çmimet gjithnjë i kanë përcjell proceset e shitblerjeve të biletave gjë që në vazhdimësi ka shkuar si në amulli.

Deri më tash Kosova i ka zhvilluar 22 apo 23 ndeshje ndërkombëtare prej vitit 2014, kur FIFA e kishte lejuar të zhvillojë Kosovën ndeshje miqësore ndërkombëtare, e deri te ndeshja e fundit me Malin e Zi.

Asnjëherë nuk është bërë e ditur për opinionin se sa kanë qenë të hyrat në Federatën e Futbollit të Kosovës nga gjithë këto ndeshje të organizuara. Ndërsa, vet drejtuesit e FFK-së gjithnjë kur pyeten se sa kanë qenë të hyrat nga shitja e biletave prej vitit 2014 e këndej janë përgjigjur duke thënë se të gjitha pasqyrat financiare janë në raportet e auditorit në ueb faqen zyrtare.

Por, në ato raporte janë të hyrat në FFK, po është e pamundur t’i biesh në fije se sa nga ato të hyra kanë prejardhje nga shitja e biletave.

Pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA në vitin 2016 FFK është treguar diç më e kujdesshme në aspektin financiar. Por, ndryshe ishte para ndërkombëtarizimit. Për shembull, pas lejes së marrë nga FIFA për të zhvilluar miqësore, në vitin 2014, Kosova i pati zhvilluar katër ndeshje si vendase. Dy në Mitrovicë, një në Zvicër dhe një në Prishtinë, shkruan Gazeta Metro.

Në ndeshjen e parë historike ndërmjet Kosovës dhe Haitit, që ishte zhvilluar në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, në mars të vitit 2014, ishin tubuar afro 17 mijë shikues. Çmimi mesatar i biletës ishte 7 euro (në Perëndim 10 euro, në Lindje 7 dhe në Veri e Jug nga 5 euro). Nga kjo del se u grumbulluar rreth 119,000 euro nga shitja e biletave.

Ndeshjen e dytë Kosova e kishte zhvilluar dy muaj më vonë kundër Turqisë po në të njëjtin stadium dhe ishin të pranishëm rreth 17 mijë shikues. Çmimi mesatar i biletës ishte 10 euro (20 VIP, 15 në Perëndim, 10 në Lindje dhe nga 5 në Veri e Jug). Nga kjo del se ishin grumbulluar afro 170,000 euro nga shitja e biletave.

Ndeshjen e tretë Kosova e kishte zhvilluar në zemër të diasporës – në Zvicër, kundër Senegalit. Në atë ndeshje të pranishëm ishin rreth 13,000 shikues, 90 për qind të tyre nga mërgata. Çmimi mesatar i një bilete ishte 50 franga, më saktësisht rreth 40 euro (bileta më e lirë ishte 29 franga, më e shtrenjta 79 franga). Nga kjo del se u grumbulluan afro 520,000 euro nga shitja e biletave.

Kurse, ndeshjen e katërt Kosova e kishte zhvilluar po në vitin 2014 kundër Omanit në Prishtinë, në praninë e afro 11,000 shikuesve. Çmimi mesatar i një bilete ishte 7 euro (10 në Perëndim, 7 në Lindje, nga 5 në Veri e Jug). Nga kjo del se u grumbulluan afro 77,000 mijë euro nga shitja e biletave.

Vetëm nga këto ndeshje sipas një llogarie të thjeshtë matematikore Kosova i kishte të hyra nga biletat rreth 886 mijë euro.

Kosova kishte shkuar pastaj në Gjermani për ta luajtur një miqësore me Werder Bremenin, ku kishte shikues shqiptarë. Kishte vazhduar me miqësore si vendase ndaj Guinea Ekuatoriale dhe kundër Shqipërisë, për të cilin takim biletat ishin të shtrenjta, ndërsa stadiumi i Prishtinës ishte i stërmbushur me shikues.

Por, sot e asaj dite nuk është bërë asgjë publike nga institucioni se sa para kanë hyrë nga ato bileta në FFK. Një sqarim është kërkuar edhe nga kryetari aktual i FFK-së, Agim Ademi, në emisionin “Favorit” në T7. Dhe, përgjigja ka qenë e zakonshme për FFK-në – “pasqyrat financiare i gjeni në ueb faqen e FFK-së”.

“Ajo është e ditur sepse është në të gjitha raportet financiare, vit për vit. Në çdo vit, në çdo raport financiar ekzistojnë të hyrat gjithkah, quhen “të hyra vetanake të Federatës së Futbollit”. Aty përfshihen të gjitha këto”, ka thënë Ademi në “Favorit”.

“Këto mund të zbulohen lehtë, mund të llogariten lehtë sepse dihet numri i saktë i biletave. Nuk jam i sigurt për këtë ndeshjen kundër Haitit, që ka qenë e para, por ajo gjendet në faqen e Federatës, në të gjithë të hyrat e Federatës në raporte dhe të gjitha shpenzimet”, tha ai.

Image

Por, në raportin e auditorit të vitit 2014 nuk përmenden biletat.

Diçka rreth biletave nuk ka as në tabelën e të hyrave në raportin e auditorit të vitit 2015.

Image

Ndërkohë, në vitin 2016 kishte ardhur anëtarësimi në UEFA dhe FIFA dhe pjesëmarrja e menjëhershme e Kosovës në kualifikimet Botërorit “Rusia 2018”.

Kosova i kishte luajtur pesë ndeshje si vendase me Kroacinë, Turqinë, Ukrainën, Islandën dhe Finlandën. Por, të gjitha ato i kishte zhvilluar në Shkodër, ndërsa biletat shiteshin në Kosovë. Por, në ato kualifikime edhe shpenzimet kanë qenë të larta sepse FFK organizonte ndeshje në një shtet tjetër në mungesë të një stadiumi në Kosovë.

“Në Shkodër nuk kemi punuar me leverdi, fitore. Por, sigurisht kemi operuar me zero ose me humbje, pak humbje sepse kemi pasur shumë shpenzime – udhëtimi, qëndrimi në hotel e gjithçka”, ka thënë Ademi në “Favorit”.

Mirëpo, me kalimin e kohës gjërat kanë shkuar duke rënë në binar sepse anëtarësimi në UEFA e FIFA e ka bërë të veten. Kjo vërehet edhe kur krahasohen raportet e auditorit të vitit 2014, 2015 me ato të viteve të fundit. Për shembull, në raportin e auditorit të vitit 2018, në tabelën e të hyrave, theksohen rreth 189 mijë euro të hyra nga organizimi i lojëve, ku besohet të jenë përfshira edhe ato të biletave.

Image