Shqipëria e Zvicra në “luftë” për futbollistin shqiptar

Shqipëria e Zvicra në “luftë” për futbollistin shqiptar

Sport January 17, 2020 - 20:54
Teksa kanë kaluar shumë javë nga nëntori kur edhe Shqipëria i kërkoi lejekalimin Zvicrës për lojtarin, kjo e fundit ende nuk është përgjigjur

Florian Kamberi ishte risia e Edi Rejas në grumbullimin e fundit, për ndeshjet ndaj Andorrës dhe Francës. Mirëpo, për fat të keq, sulmuesi nuk mundi të vihej nën urdhrat e italianit, për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm, peng i një lejeje burokratike nga ana e federatës zvicerane.

Teksa kanë kaluar shumë javë nga nëntori kur edhe Shqipëria i kërkoi lejekalimin Zvicrës për lojtarin, kjo e fundit ende nuk është përgjigjur. Kamberi është një sulmues i skuadrës së Hibernianit në kampionatin skocez, i cili ka qenë pjesë e kombëtares zvicerane të moshave deri në nivelin U-21.

Burime kofidenciale pranë ekipit Kombëtar të futbollit, kanë bërë me dije për “Panorama Sport” se federata helvete është duke shfrytëzuar në maksimum të gjithë kohën e lejuar për të mbajtur peng lejekalimin e sulmuesit. Zvicra dhe Shqipëria janë në situatën e një “lufte të ftohtë” mes palëve.

Zvicra kërkon që të përdorë çdo mjet bindës, në mënyrë që ta bëjë lojtarin të ndryshojë mendje, mirëpo, Kamberi e ka firmosur me vullnetin e tij dëshirën për të ndryshuar ekipet helvete të moshave dhe për të luajtur me Kombëtaren A të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, FSHF-ja, duke ditur që Zvicra ka detyrimin të japë lejekalimin e lojtarit deri 1 muaj para kompeticionit të radhës, atëherë nuk nxiton që të prishë raportet në FIFA-n.

Vetë Florian Kamberi, në mediat skoceze ka komentuar përjetimin e tij në grumbullimin e parë me kuqezinjtë. “Isha shumë i gëzuar për ftesën e Shqipërisë. Isha atje, u stërvita dy ditë me Kombëtaren dhe më pas pata probleme në kavilje. U inatosa shumë kur dokumentet nga Zvicra nuk erdhën dhe s’më lejuan që të luaja.

Do të isha në fushë me Andorrën ose mund të debutoja ndaj Francës. Megjithatë, nuk është faji im dhe janë vetëm disa dokumente që ata i justifikuan të pamundura për t’i dërguar, për shkak se ishin të angazhuar me ndeshjet e kombëtares së tyre”, është shprehur fillimisht Kamberi për mediat skoceze. Më tej, sulmuesi i Hibernianit ka treguar edhe arsyen pse zgjodhi të pranojë ftesën e kuqezinjve. “Asistenti i trajnerit, Porrini, erdhi dhe më pa në një ndeshje ndaj Sëlltikut.

Pas saj, më takoi bashkë me babanë dhe agjentin tim. Kemi biseduar gjatë dhe më ka shpjeguar se projekti i trajnerit Reja ishte që të rinovojë Kombëtaren dhe se unë do të isha pjesë e projektit. Të jesh pjesë e një ekipi kombëtar është një motivim më shumë në karrierë për të bërë mirë. Nëse të jepet ai shans, unë mendoj se është privilegj për çdo lojtar.