Futbollistët e Vushtrrisë kërkojnë ndihmë në FFK për pagat e tyre: Nuk do t'ia falim borxhin askujt

Futbollistët e Vushtrrisë kërkojnë ndihmë në FFK për pagat e tyre: Nuk do t'ia falim borxhin askujt

Sport January 17, 2020 - 21:28
Zbuloni detajet

Kriza financiare vazhdon që të jetë sëmundje e pa shëruar për klubet e futbollit kosovar, raporton Zëri.info.

FC Vushtrria, një ndër klubet emblemë të futbollit tonë, nuk po kalon ditë të mira sa i përket financave.

Kjo ka rezultuar edhe me largimin e plot 19-të futbollistëve nga skuadra gjatë ditëve të fundit.

Por, një tjetër problem me të cilën po përballet vushtrriasit është edhe ai i mos-kryerjes së pagave ndaj futbollistëve.

Të premten e kaluar, lojtarët i janë drejtuar zyreve të Federatës së Futbollit të Kosovës për të kërkuar ndihmë.

"Klubi na kishte dy paga borxh. Të gjithë futbollistët kemi qenë të premten për t'u konsultuar në FFK për hapat që duhet t'i ndërmarrim. Kur kemi hyrë në FFK për ankesë, na është paguar 70 për qind e një page. Tash na kanë borxh edhe një pagë dhe 30 për qind të një page tjetër. Me çështjen tonë janë duke u marr kryetari (Bajrush Kajtazi) dhe Eroll Salihu (sekretar i përgjithshëm i FFK-së)", thonë lojtarët për Zëri.info në kushte anonimiteti.

Image

"Nëse këta nuk bëjnë asgjë, ne do të angazhojmë edhe avokat dhe nuk do të ndalemi derisa t'i marrim pagat që na takojnë. Do ta dërgojmë këtë çështje deri në inspektoriat të punës. Kemi të drejt dhe nuk do t'ia falim borxhin askujt", kanë deklaruar disa lojtarë.

Ata ndër të tjera zbuluan se pagat e muajve shtator dhe tetor të vitit të kaluar i kanë marr 20 për qind më pak.

Vushtrria kampionatin e nisi shumë e mobilizuar. Ishte trajneri Bekim Shotani ai që mori ekipin dhe startoi në kampionat, por pas vetëm tri ndeshjeve u shkarkua për të ardhur trajner italiani Antonio Toma, i cili bëri bukur shumë investime por i dështuan keq dhe pas shtatë ndeshjeve të drejtuara ai largohet për t’ia besuar detyrën trajnerit Fitim Llapashtica. Këto investime të mëdha sikur ishin barrë e papërballueshme për kryetarin Bajrush Kajtazi, i cili e pranon se investimet sikur shkuan dëm. “Mungesa e rezultateve dhe tejkalimi i buxhetit të planifikuar ndikuan në ndryshimin e strategjisë. Në fakt që nga dita e parë objektivi ynë ka qenë dhe mbetet akademia e klubit. Ne gjithçka kemi filluar nga zeroja. Kur e kam marr ekipin kam qenë i gatshëm dhe në momentet e fundit kam realizuar disa përforcime”, ka thënë Kajtazi për gazetën “Zëri” gjatë një interviste të enjten.

Image

Plot 19 futbollistë janë larguar deri më tash nga Vushtrria që nënkupton komplet ekipi, gjë e cila nuk mbahet mend të ketë ndodhur me herët në klubet tona.

Deri më tash nga klubi vushtrrias janë larguar: Dior Zabërgja, Alush Gavazaj, Qëndrim Gashi, Petrit Tahiri, Bashkim Shala, Ismet Caka, Bajram Zuqaku, Klevis Lushaku, Ledjon Mucaj, Jasmin Raboshta, Ian Agusto, Ygor Vinicius, Matheus De Paula, Kujtim Pantina, Rinor Karaqa, Etrit Halimi, Duat Maxhuni, Besfort Dervishaj, Djellon Dragusha. Kjo është dëshmia më e mirë se kjo skuadër, e cila stinorin vjeshtor e mbylli në pozitën e parafundit me 17 pikë të tubuara, ka hequr dorë nga lufta për mbijetesë dhe se synimi i saj mbetet zbulimi i ndonjë futbollisti të ri tek i cili mund të llogaritë në të ardhmen.

Image

Trajneri Fitim Llapashtica, i cili duket se do të jetë i vetmi nga garda e vjetër do ta vazhdojë punën me skuadrën që i ka mbetur duke u fokusuar kryesisht te lojtarët e rinj. Llapashtica ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se do të jetë pjesë e Vushtrrisë për stinorin pranveror.

FC Vushtrria do ta nis pranverën nga pozita e 11-të e renditjes tabelare me 15 pikë dhe me pak gjasa për të shpëtuar. /Zëri.info