Futboll pa orar!
FOTO: Laura Hasani

Futboll pa orar!

Sport January 18, 2020 - 10:12
FFK: Ne mund ta bëjmë menjëherë orarin, por u jemi përshtatur kushteve të klubeve

Për dallim nga shtetet evropiane klubet e futbollit kosovar nuk e kanë një orar të saktë për zhvillimin e ndeshjeve të futbollit. Zakonisht në ndeshjet e futbollit kosovar orari i xhiros zbulohet dy ose tri ditë para ndeshjeve dhe ky fakt po u shkakton shumë probleme e më së shumti po e vuajnë trajnerët e lojtarët. Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, thotë për gazetën “Zëri” se kjo çështje nuk është në favor të futbollit kosovar, por FFK-ja në këtë rast u është përshtatur kushteve të klubeve. Njohës të futbollit kosovar shpresojnë se ky problem do të rregullohet

Shpatmal Krasniqi

Nëse një tifozi të futbollit evropian i internojnë datat e zhvillimit të ndeshjeve të skuadrës së tij të zemrës, atij i duhen pak minuta për t’i mësuar ato, madje edhe orën e zhvillimit të ndeshjeve. Por një tifoz i futbollit të Kosovës e ka të pamundur një gjë të tillë. Zakonisht në ndeshjet e futbollit kosovar orari i xhiros zbulohet dy ose tri ditë para ndeshjeve dhe ky fakt po u shkakton shumë probleme e më së shumti po e vuajnë trajnerët e lojtarët, shkruan sot gazeta “Zëri”.

FFK: Ne mund ta bëjmë menjëherë orarin, por u jemi përshtatur kushteve të klubeve

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, thotë për gazetën “Zëri” se kjo çështje nuk është në favor të futbollit kosovar, por FFK-ja në këtë rast u është përshtatur kushteve të klubeve.

“Kjo çështje varet nga Komisioni i Garave, i cili e thotë fjalën e fundit sa i përket orarit të ndeshjeve. Duke e ditur se klubet nuk i kanë kushtet aq të mira, Federata e Futbollit e Kosovës u është përshtatur klubeve. Është e vërtetë se kjo çështje është problem dhe do të ishte mirë që të dihej orari i saktë i zhvillimit të ndeshjeve. Sa na përket neve, ne tash mund ta caktojmë orarin për një vit, mirëpo klubeve ua kemi përshtatur për shkak të kushteve të infrastrukturës e gjërave të tjera. Komisioni i Garave e bën orarin me kompaninë që i ka fituar të drejtat televizive dhe deri më tash nuk kemi pasur probleme”, ka deklaruar Eroll Salihu për gazetën “Zëri”.

Bunjaki: 30 minuta merr kohë të bëhet ajo agjendë

Ish-përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, që për një kohë të gjatë ka punuar edhe në Suedi, i kontaktuar nga gazeta “Zëri” lidhur me këtë çështje ka deklaruar se mungesa e orarit po u shkakton shumë probleme klubeve kosovare.

“Problemi është shumë i madh, ngase nuk lejohen, nuk bëhen ushtrimet periodike. Janë fazat e ndryshme dhe nuk po dihet se kur dhe cila të bëhen, taktike, parapërgatitore ose ato para ndeshjeve. Kjo nuk ta lejon pulsimin periodik dhe është totalisht e pakuptimtë pasi ne i dimë datat e ndeshjeve të UEFA-s e të FIFA-s për ndeshjet e kombëtareve dhe te ne duhet të dihet agjenda për një vit. 30 minuta merr kohë të bëhet ajo agjendë”, ka thënë Albert Bunjaki, i cili tashmë e ushtron detyrën e menaxherit në klubin e Feronikelit nga Drenasi, shkruan Zëri.info.

“Me situatën që është sot ne luajmë të shtunën, por nuk e dimë se a e kemi lojë të mërkurën. Kjo është shumë e pakuptimtë dhe duhet eliminuar që të bëhet në formë sa më profesionale”, vlerësoi Albert Bunjaki.

Tovërlani: Kjo praktikë duhet të ndryshojë, orari duhet të bëhet në fillim të edicionit

Edhe trajneri më i suksesshëm në futbollin e Kosovës - Afrim Tovërlani vlerëson se mungesa e orarit vjetor ose sezonal po shkakton shumë probleme.

“Ky është një problem shumë i madh për ekipet e në veçanti për trajnerët. Duhet që në fillim të sezonit të bëhet orari dhe programi i ndeshjeve dhe vetëm në raste të veçanta mund të ndërrohet, në raste të trazirave, të tërmeteve, të kushteve atmosferike dhe të ndonjë zhvillimi, i cili mund ta ndërrojë orarin”, ka theksuar Afrim Tovërlani për gazetën “Zëri.

“Është e domosdoshme që trajneri dhe klubet ta kenë të qartë që nga fillimi orarin, në mënyrë që ta bëjnë planin e tyre dhe programin e punës”, ka theksuar Afrim Tovërlani.

Leci: Në vendet e zhvilluara kalendari vjetor zbatohet edhe me orë

Liridon Leci është një ndër futbollistët që aktivizohet në futbollin e Kosovës dhe i cili e ka një karrierë të bujshme, pasi ka luajtur edhe në Suedi e në Shqipëri, ndërkohë që ka qenë pjesë edhe e Përfaqësueses së Kosovës. Mbrojtësi majtak mendon se nëse bëhet një orar do të ishte shumë pozitive për të gjithë në futbollin e Kosovës.

“Në vendet e zhvilluara, që janë shumë larg me futboll, është normale ta kesh kalendarin vjetor, i cili zbatohet me orë dhe me ditë. Në Suedi ku kam luajtur e kam pasur edhe programin mujor të stërvitjeve e lërë më të ndeshjeve që e kemi ditur saktë se kur zhvillohen. Te ne në Kosovë, por edhe në Ballkan në përgjithësi, është ky problem që vetëm para dy-tri ditë para ndeshjeve zbulohet dita e ndeshjeve”, theksoi Leci.

Ai mendon se infrastruktura në Kosovë nuk lejon të dihet saktë orari. “Infrastruktura nuk lejon të dihet saktë orari dhe koha e ndeshjeve.

Mendoj se kjo është problem më shumë për trajnerët, sepse ata duhet që ta përgatisin lojën. Shpresoj se do të vijë koha që edhe kjo çështje të rregullohet”, potencoi Liridon Leci. /Zëri.info