Kosova e nis me fitore kampanjën parakualifikuese të Botërorit

Kosova e nis me fitore kampanjën parakualifikuese të Botërorit

Sport February 20, 2020 - 20:40
Lajmet e fundit nga sporti

Në një atmosferë të jashtëzakonshme të krijuar në palestrën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Kosova ka shënuar një fitore të rëndësishme në ndeshjen e parë të grupit B të parakualifikimeve të Kampionatit Botëror të vitit 2023. Përfaqësuesja e Kosovës korri fitore me rezultat të ngushtë 80:78, në një ndeshje mjaft dramatike deri në sekondat e fundit të saj, shkruan zeri.info 

Vendasit e filluan shumë më mirë takimin, duke krijuar një epërsi prej nëntë pikësh në fund të çerekut të parë, të cilin e mbyllën me shifrat 22:13. Por, islandezët u këndellën në çerekun e dytë, duke e mbyllur pjesën e parë me vetëm një pikë disavantazh (35:34). Duhet cekur se lëndimi i Shawn Jones, bëri që mysafirët të afrohen në rezultat. Jones ishte ndër më të mirët në fushë në fillim të ndeshjes.

Rezultati mjaft i ngushtë vazhdoi edhe në pjesën e dytë të takimit. Kosova arriti që të jetë më e mirë për dy pikë në çerekun e tretë (25:23). Ndërsa, çereku i fundit ishte mjaft interesant, derisa u mbyll me shifrat 20:21 për islandezët. Por, për vetëm dy pikë fitorja i takoi kosovarëve, të cilët morrën një triumf mjaft të vlefshëm në fillimin e kampanjës parakualifikuese.

Dardan Berisha ishte më i miri te “Dardanët” me 18 pikë të shënuara. Ndërkohë, kontribuuan edhe Drilon Hajrizi me 16, Gëzim Morina me 12 dhe Erjon Kastrati me 10 sosh.

Në anën tjetër te islandezët më i dalluari në këtë sfidë ishte Arnar Bjornsson me 20 pikë, kurse Tryggvi Hlinason kotribuoi me 16 sosh. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi Sllovakia e mori fitoren e parë në grup kundër Luksemburgut. Ndeshjen e radhës në grupin B, Kosova e zhvillon në udhëtim te Luksemburgu të dielën.