Atletico tenton përmbysjen ndaj Barcelonës

Sport April 13, 2016 - 09:33

Atletico Madrid mirëpret Barcelonën në “Estadio Vicente Calderon” të mërkurën mbrëma ku skuadra e trajnerit Diego Simeone shpreson ta përmbys disavantazhin 2:1 nga dueli i parë në “Camp Nou”.

Ballafaqimi i parë kaloi nën shumë polemika pas përjashtimit të sulmuesit Fernando Torres në pjesën e parë. Por, “Los Colchoneros” hyjnë në ballafaqim të freskët pas fitores 3:1 ndaj Espanyolit kurse Barcelona është në krizë.

Humbjet e njëpasnjëshme në La Ligë nga Real Madrid dhe Real Sociedad e kanë ringjallur luftën për titull. Atletico ka probleme në mbrojtje ku Jose Gimenez dhe Stefan Savic sërish nuk pritet ë jenë në dispozicion për shkak të lëndimeve.

Kurse, Barcelona do të jetë pa Jeremy Mathieu e Thomas Vermaelen po ashtu të dëmtuar. Torres është i vetmi futbollist i suspenduar pas përjashtimit në takimin e parë në Camp Nou. Kurse, Benfica është nikoqire kundër Bayern Munichut, në disavantazh prej një goli nga dueli i parë në “Allianz Arena”.

Skuadra portugeze do të tentojë përmbysjen e rezultatit, e mbështetur nga përkrahja e tifozëve kundër bavarezëve të Pep Guardiolës që prapë konsiderohen si favorit për kualifikim në gjysmëfinale.

E mërkurë

Atletico Madrid – Barcelona  (1:2)

Benfica – Bayern Munich      (0:1)