Griezmann eliminon Barcelonën (VIDEO)

Sport April 13, 2016 - 22:36

Barcelona është në krizë. Pas dy humbjeve të njëpasnjëshme në La Ligë, gjiganti katalan pësoi një tjetër, prapë nga një skuadër spanjolle, Atletico Madrid, por që e eliminoi në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Dueli në “Vicente Calderon” u takoi vendasve me rezultat 2:0, dhe mjaftueshëm për kualifikimin e tyre për në gjysmëfinale. Ndeshja e parë në “Camp Nou” ishte mbyllur me fitoren e Barcelonës me rezultat 2:1.

Ashtu siç pritej, dueli ishte shumë i tensionuar dhe dramatik ku Atletico zhvilloi një ndeshje të përkryer në mbrojtje dhe mjaft efikase në sulm.

Antoine Griezmann kaloi Atleticon në epërsi me një gol me kokë në minutën e 36-të, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë. Kurse, pas intervalit Barcelona e përmirësoi lojën, sidomos në sulm, në kërkim të golit të barazimit e që do të ishte edhe i kualifikimit tuutje.

Por, atë që nuk ia dolën ta bëjnë katalanët, e bëri Atletico. Andres Iniesta luajti me dorë brenda zonës dhe Atleticos iu akordua një penallti të cilën në gol e shndërroi Griezmann, dy minuta para fundit të kohës së rregullt. Lionel Messi pati mundësi ta dërgonte ndeshjen në vazhdime, por ai nuk shënoi nga një goditje të lirë. Atletico festoi kualifikimin e madh, kurse Barcelona pësoi goditjen më të madhe deri më tani gjatë këtij sezoni.

Në takimin tjetër, Bayern Munich u kualifikua në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve përkundër barazimit në udhëtim tek Benfica me rezultat 2:2. Skuadra e trajnerit Pep Guardiola vazhdoi rrugëtimin drejt finales në Milano pas fitores 1:0 në duelin e parë në Allianz Arena.

Por, ballafaqimi në “Estadio da Luz” ngjalli mjaft frikë për gjigantin gjerman. Raul Jimenez shfrytëzoi një dalje të gabuar të portierit Manuel Neuer duke shënuar për Benfican në minutën e 27-të. Mirëpo, ai që përcaktoi fituesin në duelin e parë, Arturo Vidal barazoi rezultatin për Bayern Munichun në minutën e 38-të, me çka u mbyll edhe pjesa e parë e ballafaqimit.

Pas intervalit, Thomas Muller realizoi në minutën e 52-të golin e avantazhit dhe të qetësisë për Bayernin. Por, Benfica nuk u dorëzua dhe shënoi nëpërmjet Anderson Talisca, në minutën e 76-të. Në çerekun orën e fundit të takimit nuk pati më gola dhe Bayern Munich siguroi kualifikimin për në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Liga e Kampionëve

Rezultatet:

Atletico Madrid – Barcelona        2:0          (3:2)

Benfica – Bayern Munich              2:2          (2:3)


1-0 Antoine Griezmann Goal UEFA Champions... by diyan-delev
Antoine Griezmann (Pen) - Atletico Madrid 2 - 0... by try-akatsuki