Zërat
Avni Puka
Avni
Puka

Pse (nuk) duhet të ndryshohet afati i hetimeve për veprat penale të korrupsionit

Zërat August 29, 2016 - 21:45

Ndryshimet e legjislacionit penal në lidhje me hetimin dhe gjykimin e veprave penale të korrupsionit, me theks të veçantë ndryshimi i afatit të hetimeve, paraqet një nga temat me sensitive, e cila tangon raportin midis efikasitetit të sistemit të drejtësisë dhe lirive dhe të drejtave të njeriut. Prandaj kjo tematikë kërkon një qasje serioze dhe shumë të kujdesshme kur bëhet fjalë për ndërtimin e bazës ligjore dhe mekanizmave të tjerë për luftimin dhe parandalimin korrupsionit.

Si shkas kryesor për këtë shkrim ishin debatet dhe propozimet e fundit (kryesisht mediatike për aq sa jemi në dijeni) që hetimet për korrupsion (dhe për disa vepra të tjera penale) të jenë pa afat!

Propozimet që kanë për qëllim rritjen e efikasitetit të organeve të drejtësisë për  luftimin e korrupsionit, duhet të jenë të menduara mirë nga ana e ligjvënësve, dhe të jenë produkt edhe i një analize të thellë nga ekspertët e fushës. Në të kundërtën, kemi frikë se do të vazhdohet praktika e deritanishme e krijimit të mekanizmave jofunksionalë, debateve të përgjithësuara dhe e mungesës së rezultateve konkrete.

Në lidhje me afatin e hetimeve për veprat penale të korrupsionit, që në fillim duhet të shprehim qëndrimin e qartë se duhet të ketë kufizim të afatit të hetimeve! Sigurisht mund të ketë një zgjatje të afatit që aktualisht parashihet në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, edhe pse mendojmë se nuk është këtu problemi kryesor për luftë efikase ndaj dukurisë së korrupsionit!

Kufizimi i afatit të hetimeve për vepra penale në përgjithësi, bëhet me qëllim të detyrimit të organeve të drejtësisë, në këtë rast prokurorisë që veprimet hetimore t’i ndërmarrë brenda një kohë të arsyeshme, pra në mënyrë efikase, dhe në anën tjetër të respektohen të drejtat dhe dinjiteti i personave që janë objekt i hetimit, duke e sqaruar çështjen penale sa më shpejt që është e mundur. Kjo duhet të vlejë edhe në rastin e veprave penale të korrupsionit.

Propozimet që të ndryshohet Kodi i Procedurës Penale dhe hetimet për korrupsion të jenë pa afat, edhe pse mund të bëhen me qëllimin me të mirë, bien ndesh me parimin “e gjykimit të drejtë dhe në kohë të arsyeshme” që përcaktohet si standard kryesor i vendeve demokratike. Gjykimi në kohë të arsyeshme është një nga kërkesat kryesore të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe për këtë parim ka një kujdes të posaçëm të Gjykatës së Strasburgut në praktikën e saj. Kjo e drejtë është e përmbajtur edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në kuadër të kapitullit për liritë dhe të drejtat themelore.

Në këtë frymë, të kufizimit të hetimeve dhe gjykimit të veprave penale në kohë të arsyeshme, janë edhe standardet e normuara në të gjitha vendet demokratike sot. Mbi këto garanci për të drejtat e personave që hetohen dhe gjykohen për vepra penale, janë zhvilluar debatet dhe janë bërë reformat e drejtësisë edhe në vendet e BE-së. Sigurisht, e vlen të theksohet se këto reforma mbi efikasitetin e sistemit të drejtësisë për të luftuar kriminalitetin, në veçanti dukurinë e korrupsionit, janë shoqëruar me debate të gjëra.

Këtu mund të përmendim një nga iniciativat e reformës në Itali me qëllim të zgjatjes së afatit të hetimeve dhe gjykimit të veprave penale të korrupsionit dhe kundër administratës publike, që kishte nisur që nga viti 2005 dhe akoma nuk konsiderohet e përfunduar. Propozimet për një zgjatje të kohës së hetimit dhe parashtrimit të veprave penale të korrupsionit në shtetin italian, janë diskutuar në vazhdimësi mbi bazën e parimit të garantimit të të drejtave të personit të pandehur në procedurë penale, por asnjëherë nuk është bërë fjalë për hetime pa afat!

Prandaj, edhe në rastin tonë do të ishte e rrezikshme që hetimet për korrupsion apo edhe vepra të tjera penale të jenë pa afat. Kjo do të krijonte mundësi të cenimit të lirive dhe dinjitetit të personave që mund të jenë objekt i hetimit.

Një zgjidhje e tillë në legjislacion, do të krijonte një “armë” të paarsyeshme në duart e prokurorisë, dhe do të përbente rrezik që hetimet për veprat penale të korrupsionit të mos përfundojnë në kohë të arsyeshme, të stërzgjaten, apo edhe të përdoren në dëm të personave të caktuar! Një zgjidhje e tillë do të ishte në kundërshtim me parimet që i kemi të vendosura në Kushtetutë, dhe do të përbente shkelje të standardeve ndërkombëtare për hetimin dhe gjykimin e veprave penale, përfshirë edhe ato të korrupsionit.

Në vend të heqjes së afatit, përkatësisht moskufizimit të kohës për hetimin e veprave penale të korrupsionit (edhe krimit të organizuar), do të mund të bëhej zgjatja e afatit që aktualisht është i përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës. P.sh.: nga 2 vjet dhe 6 muaj (me lejen e gjykatës) siç është me normat pozitive, të përcaktohej 3 vjet dhe 6 muaj (gjithsesi kjo do të ishte aspekt për t’u diskutuar në kuadër të propozimeve për plotësim dhe ndryshim të kodit në fjalë).

Përveç zgjatjes së afatit për zhvillimin e hetimeve, në funksion të heqjes së barrierave ligjore për gjykimin e veprave të korrupsionit, mund të ketë edhe zgjatje të afatit të parashkrimit (vjetërsimit) të këtyre veprave (sa i përket ndjekjes penale dhe ekzekutimit të dënimit), madje për këto vepra mund të përcaktohet se nuk parashkruhen fare (siç parashihet për veprat penale kundër të drejtës ndërkombëtare dhe për vrasjet e rënda), kjo do të ishte një zgjidhje e arsyeshme. Gjithashtu, është e mundur të bëhet edhe një zgjatje e afatit ligjor për zbatimin e “masave të fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit” në rastet e dyshimit për veprat penale të korrupsionit.

Në kuadër të masave për luftë efikase ndaj krimit të korrupsionit, duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë llogaridhënies së prokurorëve që hetojnë veprat penale të korrupsionit, dhe të përcaktohet një kriter më i avancuar i arsyetimit të vendimeve të prokurorit të shtetit me të cilat pushohen hetimet për korrupsion (mbyllen rastet), dhe këto vendime t’i nënshtrohen një kontrolli të veçantë. Përveç zgjatjes së afatit të hetimit për veprat penale të korrupsionit, mund të përcaktohet edhe një mekanizëm i ri i kontrollit të vendimeve të prokurorëve me të cilat vendoset në lidhje me hetimet, nga një komision që do të mundë të themelohej nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit apo edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Gjithsesi edhe për këtë kontroll apo vlerësim të vendimeve të prokurorëve në lidhje me hetimet për korrupsion, duhet të përcaktohet një afat i saktë, brenda një kohe të arsyeshme (p.sh.: brenda 3 muajve nga marrja e vendimit nga prokurori i rastit). Këtë mekanizëm për masa të kontrollit të veçantë (përmes një modeli të ashtuquajtur “extra legal control”) për vendimet e prokurorëve që hetojnë veprat e korrupsionit, e shohim si plotësim të bazës ligjore për rastet kur prokurorët edhe pse mund të kenë prova të mjaftueshme për ngritje të aktakuzës për veprat e korrupsionit, nuk e bëjnë një gjë të tillë dhe kalon afati i hetimeve dhe për pasojë mbyllet rasti.

Mjafton të kujtojmë rastet e praktikës nga prokurorët ndërkombëtarë (EULEX) dhe vendorë, ku përkundër provave të pakontestueshme për ngritje të aktakuzës, nuk e kanë bërë një gjë të tillë brenda afatit ligjor për përfundim të hetimeve. Për më tepër, në dispozitat e Kodit penal mund të përcaktohet edhe një përgjegjësi penale e veçantë e prokurorëve për abuzime të kësaj natyre. Pra, bëhet fjalë për krijimin e një baze juridike të qartë për transparencë dhe llogaridhënie të prokurorëve që hetojnë krimet e korrupsionit. Besojmë se kjo do të bënte shumë më efikase luftën kundër fenomenit të korrupsionit në vendin tonë.

Nëse vërtet ka vullnet, këto masa janë të mundura me një ndryshim dhe plotësim të legjislacionit penal që aktualisht e kemi në fuqi. Përveç këtyre ndryshimeve, një strategji më e plotë kundër korrupsionit kërkon ndërmarrjen edhe të shumë masave tjera komplekse (që janë sfiduese, sidomos kur kemi parasysh realitetin politik dhe institucional që aktualisht është në Kosovë).

Disa nga këto masa do të përfshinin: miratimin e Ligjit Antimafia që do të mundësonte konfiskimin e pasurisë së fituar nga korrupsioni, me kusht që ky ligj do të krijonte bazë të mjaftueshme për konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme (duke ndjekur modelin spanjoll dhe të disa vendeve të tjera që mundëson konfiskim të pasurisë që nuk mund të arsyetohet nga ata që e posedojnë);  pastaj, nxjerrja e legjislacionit të ri për parandalimin e korrupsionit, siç mund të jetë ligji për financimin e partive politike, dhe plotësim ndryshimi i ligjit për prokurimin publik, si dhe zbatimi efikas i institucionit të përgjegjësisë penale ndaj personave juridikë që janë të përfshirë në veprimtari korruptive.

Gjithashtu, ka rëndësi që në kuadër të plotësimit të Kodit penal të përcaktohen edhe vepra penale të reja që lidhen me korrupsionin (politik), siç është rasti me Kodin Penal italian që përcakton veprën penale “të shkëmbimit elektoral politoko-mafios” (Scambio elettorale politico-mafioso- neni 416), etj.

Pra, kemi nevojë për masa konkrete për luftimin e korrupsionit, si një kusht i zhvillimit dhe ndërtimit të shtetit demokratik në Kosovë. Shpresojmë që praktika e deritanishme e retorikës së përgjithshme në nivele politike, të zëvendësohet me masa konkrete, efikase dhe në harmoni me standardet e ndërtuara në vendet me demokraci të zhvilluar.

(Autori është Ligjërues i së Drejtës Penale në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe Përfaqësues i Grupit të Penalistëve Shqiptarë  (AIDP/IAPL)).

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK