Zërat
Jon Leka
Jon
Leka

Fabrikat e dhunës

Zërat August 31, 2016 - 22:21

Opozita dhe pushteti bashkë ka muaj që vetëm dhunë prodhojnë, ngase ajo dhuna nuk është vetëm materiale, e cila duket të mos u bëjë më përshtypje kosovarëve – po para së gjithash është shpirtërore dhe psikike. Kosova nuk i ka merituar këto “elita”.

Dy perceptime kryesore sot shoqëruan arrestimet e gjashtë aktivistëve të LVV-së. Sipas versionit të parë, thuhej se Qeveria me ndihmën e dy “shërbëtorëve” të tyre Shpend Maxhuni dhe Luan Keka, që të dy të përmendur në aferën “Pronto”, kanë sajuar arrestimin me qëllimin e diskreditimit në masë të opozitës, para votimit të Demarkacionit.

Sipas versionit të dytë, më në fund u kap grupi që qenka përgjegjës jo vetëm për bombën ndaj familjeve të dy personaliteteve publike, por edhe për sulme tjera.

Ekspozimi i armëve dhe detajeve rreth punës së Policisë se lokalizimin e të inkriminuarve e kanë finalizuar në bashkëpunim me operatorë vendorë të huaj vulosi atë që e pandehin pjesa e masave që nuk i pëlqen metodat dhe kërcënimet e partisë së Albin Kurtit me shokë.

Përkundër këtyre perceptimeve të betonuara, asgjë nuk mjafton për ta akuzuar njërën apo tjetrën palë: opozitën - të jetë ekzekutuese e dhunës, apo Qeverinë - të montojë procese për të votuar qoftë me të gjitha mjetet e lejueshme e ilegale Demarkacionin dhe Asociacionin që u kërkohet me ngulm edhe nga të huajt me kushtin që Kosova të ecë përpara.

Që të dyja janë të afta për ato që u mëveshën. Përtej këtij arrestimi dhe ndonjë procesi të mundshëm të këtij grupi, për të cilin indikacionet për hetime, megjithatë, janë të dhëna ndodh dhuna psikike dhe ajo e përditshme nëpërmjet dukurive aq të shumta gjithandej ku dështon shteti. Pra dhuna që nuk vjen vetëm nga opozitarët, por edhe nga partitë në pushtet.

Që të dyja taborët operojnë me një gjuhë dhune, brutale dhe po aq vulgare dhe të cilat nuk mund të sjellin qetësi në opinion, por ato që i regjistrojmë për çdo ditë nga mediet dhe nga ato që i publikon Policia. Ka muaj e në mos vite që nëpërmjet “çështjeve të hapura” ushtrohet një presion marramendës ndaj qytetarëve.

Aferat e njëpasnjëshme, korrupsionet dhe skandalet e kanë shndërruar vendin në një fabrikë tmerri, ku vetëm presioni dhe frika ndihet e asgjë tjetër.

Nisur nga kjo situatë e krijuar dhe nga adresat, ku fabrikohet presioni sa relevante është, se a e hodhi dikush apo jo bombën dhe kundër tjerëve apo vetes për të spostuar vëmendjen?

Përgjegjësinë për këtë situatë e kanë që të dyja: si pozita, ashtu opozita ngase më parë kërcënojnë me tensione, gazra e bomba sesa të ulen me njëri-tjetrin për të diskutuar fatet e vendit.

Që në fillim Qeveria ka injoruar tjerët dhe kur ka kërkuar takim tjerët kanë refuzuar; lojë kjo që krijon psikoza bombash, gazrash – kjo masë, ky popull, ky shtet nuk ju ka merituar që të silleni me të kaq vrazhdë, kaq kobshëm me të, kaq armiqësor.

Megjithatë nëse vërtet del se LVV-ja i ka organizuar këto sulme me bomba, atëherë ia ka bërë gropën vetes përgjithmonë.

Nëse dëshmohet se Qeveria, pushteti, para ata të “Prontos” e kanë montuar gjithçka, atëherë ky do të jetë aksioni i tyre i fundit për të mbijetuar pas gjithë atyre tërmeteve e skandaleve.

E për ta hulumtuar të vërtetën se kush çka bëri, s’ka kush.

Ose të huajt që siç duket qëmoti janë ndarë shpirtërisht nga Kosova – për shkak opozitës, pozitës dhe të gjithëve.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK