Zërat
Klementin Mile
Klementin
Mile

Miti i përdorimit të trurit 10 për qind

Zërat January 21, 2017 - 12:02

Në vitin 1908 filozofi dhe psikologu amerikan William James u shpreh se ne njerëzit përdorim vetëm një pjesë të vogël të potencialit intelektual, por pa dhënë ndonjë përqindje. Më vonë, në vitin 1929, në Almanakun Botëror u shkruajt kjo fjali: “Shkencëtarët dhe psikologët na thonë se ne përdorim rreth 10 për qind të fuqisë së trurit tonë”. Përdorimi i kufizuar i trurit është një ide që vërtet lindi në fundin e shekullit XIX, por besimi se e përdorim trurin vetëm 10 për qind vazhdon ende sot në opinionin publik dhe madje edhe në disa rrethe shkencore. Kështu për shembull Barbara Sahakian, profesoreshë e neuropsikologjisë klinike në Universitetin e Kejmbrixhit në Angli, shprehet: “Është e pamundur ta kuptojmë në terma sasiorë se në ç’masë e përdorim trurin. Por jam e sigurt se është shumë më tepër se 10 për qind”.

Në vitin 2014 nisi të shfaqet filmi Lucy, i cili pati sukses të madh në publik edhe për shkak të fokusit të tij te çështja e përdorimit të trurit njerëzor. Filmi tregon një grua të re, e cila, në mënyrë të pavullnetshme gëlltit një drogë eksperimentale që rrit aftësinë e saj për të përdorur trurin deri në 90 për qind. Si rrjedhojë, shkathtësitë bazike të saj pasurohen, perceptimi bëhet më i mprehtë, aftësitë për të analizuar dhe mësuar përshpejtohen dhe ajo fiton aftësi paranormale si telekinetika, telepatia dhe një formë mendore udhëtimi në kohë. Ndërsa Lucy arrin 90 për qind të përdorimit të trurit, personazhet e tjerë në film pyesin veten se ç’do të ndodhë kur ajo të arrijë 100 përqindëshin.

Është e kuptueshme dëshira e njeriut për ta njohur tërësisht realitetin e vetes dhe të botës. Është po aq e kuptueshme që njeriu nuk e pranon dot kufizimin, injorancën, fundësinë, faktin që jeton vetëm një herë, përkohësinë e gjërave të bukura dhe të mira etj. Por kjo predispozitë e njeriut për t’i kuptuar kufizimet e veta dhe për t’i kapërcyer ato vijon të mbështetet tek i ashtuquajturi mendim shkencor. E me këtë rast vlen të kujtojmë që sipas filozofit Heidegger shkenca nuk mendon, por vetë kalkulon. Dhe në fakt entuziazmi shkencor për zbulimin e përqindjes së përdorimit të trurit nga njeriu ka neglizhuar një të vërtetë të thjeshtë: faktin që shkencëtari, si subjekt i studimit, është njëkohësisht edhe objekt i studimit të vet.

Nëse një shkencëtar, qoftë ky edhe më i shquari ndër ta, pretendon se ka arritur në konkluzionin që njeriu e përdor trurin 10 për qind, a nuk e ka përdorur edhe ai vetë trurin 10 për qind për të arritur te ky konkluzion? Sigurisht që po, pasi njeri është dhe ai. Po atëherë, pse duhet t’i besojmë konkluzionit të një njeriu që e përdor trurin vetëm 10 për qind? E njëjta situatë është edhe kur pretendohet përdorimi i trurit në një masë më të madhe, për shembull 90 për qind. Pse duhet t’i besojmë konkluzionit të një njeriu që e përdor trurin vetëm 90 për qind? A ka ndonjë garanci që kështu i shmangemi gabimit? Aspak. Në fakt edhe zhvillimi i pretenduar nga 10 në 90 për qind të përdorimit të trurit, ashtu siç tregohet te filmi Lucy, është krejt absurd; pasi, për ta verifikuar këtë zhvillim, do na duhej ta përdornim trurin 100 për qind.

Në fakt, logjikisht mund të qëndrojë më lehtë argumenti sipas të cilit njeriu e përdor trurin 100 për qind. Kështu, pyetjes se pse duhet ta besojmë konkluzionin e një njeriu që e përdor trurin 100 për qind, do mund t’i përgjigjeshim bindshëm: sepse ky njeri po e përdor trurin 100 për qind. Por njerëzit nuk priren të japin një argument të tillë, pasi, po të pranojnë se e përdorin krejtësisht kapacitetin intelektual të tyre, atëherë duhet të heqin dorë nga imagjinata se përtej asaj që perceptohet, konceptohet dhe arsyetohet, ka një realitet tjetër, të magjishëm, të mistershëm dhe aspak prozaik. Do ishte shumë e vështirë pastaj të kishin sukses filmat dhe librat me jashtëtokësorë, me shtriga dhe vampirë, me orakuj dhe përbindësha, me shpirtra dhe fantazma. Realiteti do të ishte një dhe i vetëm, krejt i mërzitshëm, i parashikueshëm dhe i rëndomtë. Dhe siç thotë poeti Eliot, “njerëzit nuk durojnë shumë realitet”./Mapo.al/.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK