Lutfi Haziri: Gjilanin s’ma merr askush, koalicioni i Shpend Ahmetit me AKR’në u bë nga frika

Zgjedhjet 2017 November 09, 2017 - 17:25

I bindur se do të jetë kryetari i Gjilanit edhe për një mandat, Lutfi Haziri thotë se nuk ia ka frikën asnjë koalicioni. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës vlerëson se ato parti që vendosin e largojnë vija të kuqe sa herë që ka interesa partiake, për të, janë të paqëndrueshme. Haziri për Express flet edhe për përafrimet e PDK-së me Vetëvendosjen në Gjilan, koalicionin LDK-VV në Kamenicë, sikurse edhe koalicionin e arritur të mërkurën në mes të Shpend Ahmetit dhe Selim Pacollit.

Lutfi Haziri nuk sheh rrezik se ndonjë koalicion në mes të partive të ndryshme mund t’ia rrëzojnë frontin si udhëheqës në Gjilan. Ai, madje thotë se, edhe elektorati i PDK-së po ia ofron mbështetjen për të qenë edhe më tutje në krye të kësaj komune.

Për Express, nënkryetari i LDK-së, bën të ditur se koalicioni i tij i vetëm është qytetari i Gjilanit.

“Unë vetëm mund ta konfirmoj që si kandidat i LDK-së kam mbështetje përtej partisë që është tregu me 22 tetor dhe do të vazhdoj me ruajt partneritetin me qytetarë të Gjilanit dhe vetëm me qytetarë. Heqja e vijave të kuqë të Vetëvendosjes karshi PDK-së është vetëm brendim i PDK së re në Gjilan, sepse njerëzit janë të njëjtë si funksionar politik ndërsa votuesit e PDK-së çdo ditë e më shumë po e rritin mbështetjen për mua”, u shpreh ai, derisa theksoi se koalicionet e funksionarëve që vendosin vija të kuqe dhe largojnë vija të kuqe sa herë që kanë interesa partiake janë të paqëndrueshme. “.. dhe këto nuk shiten në Gjilan”, u shpreh ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës të mërkurën e ka siguruar edhe mbështetjen e Partisë Demokratike të Kosovës në garën për kryetar të Kamenicës, e që dy ditë më parë mbështetje mori edhe nga Aleanca Kosovare e Re.

Për këtë koalicion, Haziri thotë se LDK nuk ka qeverisje në Kamenicë dhe se kjo parti ka bërë koalicion me AKR-në atje.

“Partneriteti me AKR-në është veprim i degës së LDK-së në Kamenicë për të cilën ata sigurisht që i kanë arsyet e tyre”, tha Haziri.

Ndonëse ka mbetur vetëm edhe një javë deri në zyrtarizmin e koalicioneve në mes partive politike para se të fillojë rrethi i ngushtë i zgjedhjeve më 19 nëntor, një koalicion jo edhe aq i pritur ndodhi të mërkurën në mes të Shpend Ahmetit nga Vetëvendosjes dhe Selim Pacollit të AKR-së.

Por, ajo që ndodhi dje në mes të VV e AKR, sipas Haziri, flet qartë për frikën që e ka kapluar Vetëvendosjen në Prishtinë dhe frikën karshi rritjes së Arban Abrashit dhe LDK-së.

Madje këtë veprim të AKR-së, Haziri e quajti si "salton e dytë mortale" që kjo parti e bëri për katër muaj, së pari me LDK-në dhe tash me Vetëvendosjen.

“Kjo është salto e dytë mortale që për katër muaj AKR po e bën në politikë, herën e parë me largimin nga LDK dhe tash me përafrimin në koalicion me VV”, përfundoi ai.

Lutfi Haziri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili në rrethin e parë të zgjedhjeve fitoi 43.40 për qind të votave, do të shkojë në raundin e dytë me Sami Kurteshin e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili më 22 tetor fitoi 27.34 për qind të votave.