Policia e Kosovës harton planin operacional për zgjedhjet e 7 qershorit
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka përfunduar të gjitha planifikimet operative për mbarëvajtjen dhe sigurinë e procesit zgjedhor të parakohshëm për Kuvendin e Kosovës, i cili do të mbahet më 7 qershor 2026.
Sipas njoftimit, policia ka hartuar urdhrin operativ në përputhje me ligjet dhe autorizimet institucionale, duke paraparë angazhimin e një numri të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë, kryesisht nga rendi publik, por edhe nga njësi të tjera të specializuara sipas nevojës.
Plani operacional përfshin katër faza: periudhën përgatitore dhe vlerësuese, angazhimin gjatë fushatës zgjedhore, garantimin e sigurisë në ditën e zgjedhjeve dhe periudhën pas zgjedhore, e cila përfshin transportin dhe sigurimin e materialit sensitiv zgjedhor deri në përfundim të procesit.
Policia ka njoftuar se faza e parë tashmë është realizuar, ndërsa aktualisht po zbatohet faza e dytë që lidhet me sigurinë gjatë fushatës zgjedhore.
Qëllimi i planit operativ, sipas policisë, është krijimi i një ambienti të qetë dhe të sigurt për qytetarët, ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, sigurimi i qendrave të votimit dhe qendrave të numërimit, si dhe transportimi i sigurt i materialit zgjedhor.
Po ashtu, autoritetet kanë paralajmëruar se çdo vepër penale kundër procesit zgjedhor dhe të drejtës së votimit do të trajtohet në koordinim të ngushtë me Prokuroria e Shtetit.
Në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Këshillit Gjyqësor, janë caktuar hetues dhe koordinatorë për trajtimin e rasteve që mund të ndërlidhen me procesin zgjedhor.
Policia e Kosovës ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me institucionet dhe të raportojnë çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor përmes numrave emergjentë ose stacioneve policore./Zëri