Veseli: Ferizajit nuk i duhet një qeverisje sikur këto katër vjet, meriton më shumë

Zgjedhjet lokale 2017 September 23, 2017 - 20:56

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, pas Vushtrrisë dhe Mitrovicës, ka vazhduar tubimet elektorale me qytetarë në Komunën e Ferizajt.

Veseli ka thënë se qytetarët e Ferizajt janë model i qytetarit punëtor, që me punë e vullnet për tu zhvilluar dhe ecur përpara e kanë bërë vetë Ferizajn qendër të prodhimit dhe zhvillimit në Kosovë.

Por, Veseli ka shtuar se askush më mirë se vetë qytetarët e Ferizajt nuk e dinë sesi është kur komuna e tyre i lë pas dore.

“Çfarë ka bërë për ju qeverisja lokale në këto katër vjetët e fundit? A ju duhen edhe 4 vjet të tjera si këto që po i lëmë pas? Jo, nuk ju duhen as juve dhe asnjë qytetari të Ferizajt, sepse secili prej jush meriton shumë më shumë”, ka thënë Veseli.

Kreu i PDK-së ka thënë se Ferizaji së shpejti do të lidhet me autostradën Arbën Xhaferi, që është edhe një projekt tjetër i ideuar dhe i nisur pikërisht nga qeverisja e PDK-së.

“Ne jemi parti e projekteve dhe e ndryshimeve të mëdha. Kush mund ta bëjë më mirë fuqizimin e ndërmarrësve sesa PDK. Kush mund të jetë më afër qytetarëve të Komunës së Ferizajt, kush mund të jetë më afër mësuesve, mjekëve, fermerëve, sesa një njëri që është shumë modest dhe që ka aftësitë dhe përgjegjësinë para qytetarëve, askush më shumë se kryetari Agim Aliu”, ka thënë ai.

“Jemi e vetmja parti që kemi 80 për qind emra të rinj të kandidatëve për kryetarë dhe asamble të komunave. Kemi tri gra që garojnë për kryetare. Nuk dua të plotësojë kuota, por dua që zëni i gruas, i nënave, motrave dhe vajzave tona, jo vetëm të dëgjohet, por të jetë edhe në vendimmarrje, në ballë të proceseve që e çojnë Kosovën përpara”, ka shtuar Veseli.

Lideri i PDK-së ka thënë se Qeveria e Kosovës do t’i përkrahë projektet e kryetarit Agim Aliu.

Ai u ka thënë qytetarëve të Ferizajt se duke votuar për Agim Aliun, votojnë për mirëqenien e tyre dhe për një të ardhme më premtuese për fëmijët e tyre.

“Votoni Forcën e Ndryshimit. Votoni Agimin, sepse në votën tuaj është e ardhmja juaj”, ka thënë ai.

Kryetari i PDK-së ka thënë se qytetarët e njohin mirë se kush është Agim Aliu, sepse gjatë qeverisjes së mëparshme të tij kishte treguar një model të qeverisjes së mirë, e cila ishte shembull për tërë Kosovën.

Të rekomanduara