Mustafa i bindur në fitoren e Sali Asllanajt dhe LDK-së në Suharekë

Zgjedhjet lokale 2017 October 12, 2017 - 22:45

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka vazhduar të enjten fushatën elektorale me një tubim të madh, të mbajtur në Suharekë.

Kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, ka shprehur bindjen se qytetarët e Suharekës sërish do ta kenë kryetar Sali Asllanajn.

“Një njeri që e ka këtë përkrahje nuk mund të mos jetë kryetar i Suharekës. Sali Asllanajt, qytetarët ia njohin meritat e tij, prandaj fitorja e tij nuk vihet në dyshim, e bashkë me të edhe fitorja e kandidatëve tanë për asambleistë“, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, me punën e bërë, Sali Asllanaj nuk ia ka zbardhur fytyrën vetëm vetes dhe komunës së tij, por tërë Kosovës, sepse një punë e mirë e bërë në Suharekë, është një punë e mirë për Kosovën.

Kryetari i LDK-së ka thënë se kjo parti është sinonim i demokracisë dhe parti që i ka dhënë më së shumti vendit, edhe në kohën e lirisë, edhe të pavarësisë edhe sot në demokratizimin e Kosovës. “Ne si LDK nuk mendojmë se vetëm ne duhet ta qeverisim komunën dhe vendin, por jemi të bindur se ne qeverisim më së miri, e këtë e kemi dëshmuar në shumë raste”, ka theksuar Mustafa, duke potencuar se LDK-ja është parti e vlerave, e bartur në gjenerata, që nga të pranishmit me plisa të bardhë e deri tek më të rinjtë.

“Nuk dëshiroj t’u marr kohë për t’u treguar se si janë të tjerët me të cilët jemi në garë, sepse ju i njihni mirë, i njihni ata që kanë keqpërdorur më së shumti kur kanë drejtuar këtë komunë, komuna tjera dhe tani kur po drejtojnë vendin. Prandaj, ne nuk do t’u japim rastin të vihen në krye të Suharekës dhe komunave tjera”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, ata që kanë qenë të dënuar, ata që kanë keqpërdorur e kanë plaçkitur, nuk kanë të drejtë të udhëheqin komunat. “Ata që qeverisin duhet të jenë me duar të pastra dhe kryetari juaj është i tillë“, është shprehur kreu i LDK-së, Isa Mustafa, duke shprehur bindjen për fitoren e radhës të LDK-së në Suharekë.

Ndërsa, kryetari aktual dhe kandidati për t’u rizgjedhur në këtë post, Sali Asllanaj, ka thënë se prania e madhe e qytetarëve është dëshmi se LDK-ja është shumë e fuqishme. “Ne jemi komunë shembull, kemi njerëz shembull dhe kjo është fuqia jonë”, ka thënë Asllanaj.

Duke folur për programin qeverisës për mandatin e ardhshëm, Asllanaj ka thënë se do të fokusohet për zhvillimin ekonomik të komunës.

“Zona industriale në Shirokë e Agrozona në Samadraxhë janë krenari për ne dhe ato do t’i fuqizojmë edhe më tepër. Bizneset do t’i përkrahim edhe më shumë, do të krijojmë vende të reja pune. Bujqësia do të ketë rritje 50 për qind e buxhetit, turizmi malor do të zhvillohet, ndërtimi i rrugës për Brezovicë do të ndikojë që ne të jemi aneks i turizmit dimëror, sepse do të jemi vetëm dhjetë minuta larg Dellocit. Këto premtime do të realizohen, sepse janë obligime për ne”, ka thënë Asllanaj.

Realizimi i këtyre projekteve, sipas tij, me automatizëm do të ndikojë në rritjen e bizneseve. Asllanaj ka premtuar hapësirë edhe më të madhe për të rinjtë, qoftë në qeverisje apo përmes mbështetjes së tyre për punësim dhe hapje të bizneseve të reja.

“Për të rinjtë do të krijojmë ambiente të mira kulturore dhe sportive. I kemi ndërtuar 15 fusha sportive për katër vjet dhe do të ndërtojmë edhe aty ku ka mbetur pa u ndërtuar. Tani do të fillojë ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës, me emrin e të madhit Ukë Bytyçi. Aty do të zhvillojë aktivitetin secili i ri që ka aftësi“.

Në këtë tubim janë prezantuar të gjithë kandidatët e LDK-së për Këshilltarë të Kuvendit Komunal të Suharekës.

Të rekomanduara