E ardhmja e pasigurt e koalicionit

E ardhmja e pasigurt e koalicionit

Aktuale gusht 21, 2016 - 08:17

Partnerët e mëdhenj të koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk janë të sigurta se çfarë do të ndodhë me koalicionin në rast se nuk ratifikohet Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Madje përfaqësues të koalicionit qeverisës thonë se aktualisht nuk janë të sigurta votat e nevojshme për ratifikimin e demarkacionit.

Në anën tjetër, analistët politikë në vend thonë se nëse koalicioni dështon në këtë çështje, atëherë ka shumë gjasa që vendi të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme, ose të formohet një qeveri teknike në mënyrë që të përgatiten kushtet për zgjedhje të reja që do të mbaheshin brenda gjashtë muajsh.

Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit të vendit, i pyetur nga “Zëri” se a mund të ketë prishje të koalicionit nëse dështon ratifikimi i demarkacionit, ka thënë se beson që Marrëveshja e 26 gushtit do të ratifikohet.

“Unë besoj se Marrëveshja mbi Demarkacionin do të miratohet nga Kuvendi. Amerikanët thonë: e kalojmë atë urë kur të arrijmë tek ajo”, është përgjigjur Gecaj.

Por nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë për gazetën se nuk e di nëse do të rrezikohet koalicioni në rast të mosratifikimit të demarkacionit.

“Nuk kam përgjigje se a rrezikohet apo jo koalicioni. Ky është një problem në vete, por besoj që do të duhej të bisedohej për të gjetur një marrëveshje, e cila politikisht nuk do të ishte në kundërshtim me interesat e Kosovës. Në të njëjtën kohë nuk do të duhej që të ndikonim në polarizimin e situatës në Kosovë në përmasat që opozita po kërcënohet në njëfarë mënyre”, ka deklaruar Haliti për “Zërin”, duke thënë se nuk po e sheh si lehtë të mundshme një marrëveshje të përbashkët pushtet-opozitë.

Ai më tej ka thënë se në bazë të qëndrimeve të deputetëve, koalicioni nuk i ka votat për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Madje, Haliti ka thënë se për të numri i mjaftueshëm i votave do të ishte nëse pushteti dhe opozita do ta votonin këtë Marrëveshje.

“Në qoftë se koalicioni do të votonte demarkacionin, ashtu siç i ka numrat, atëherë do ta kalonte, por në bazë të deklaratave të deputetëve, unë nuk po e shoh që koalicioni i ka votat e mjaftueshme akoma. Sidoqoftë për mua numri i mjaftueshëm do të ishte nëse pushteti dhe opozita do ta votonin këtë ligj dhe nëse ishin të sinqertë me njëri-tjetrin për ta thënë të vërtetën lidhur me demarkacionin”, ka deklaruar Haliti.

Ndërsa, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka thënë se nuk e di se cili do të jetë rezultati i votimit më 1 shtator dhe se a mund të ketë prishje të koalicionit apo jo.

Rugova ka thënë se LDK-ja sigurisht se ka edhe “Plan B” në rast të mosratifikimit të demarkacionit.

“Nuk e di çfarë rezultati do të ketë më 1 shtator. Nuk e di nëse mund të ketë prishje të koalicionit. Nuk mund të them asgjë, nëse votohet, mirë, por nëse nuk votohet, atëherë çka do të ndodhë. Sigurisht ne si parti e kemi edhe një plan tjetër, pas rezultatit e shohim se çka mund të bëhet. Qëndrimi i LDK-së është që në të mirë të shtetit duhet të votohet demarkacioni dhe të mos dilet jashtë proceseve që janë tepër të rëndësishme për shtetin e Kosovës”, ka potencuar Rugova.

Kurse, profesori universitar, Blerim Burjani, ka thënë se do të jetë një situatë e vështirë për koalicionin qeverisës në qoftë se Kuvendi nuk do të arrijë ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi.

Sipas tij, pasojat do të jenë të mëdha edhe në planin politik në vend, por edhe në procesin e integrimeve.

“Në planin politik koalicioni mund të ketë probleme të ndryshme si rezultat i presioneve nga drejtime të ndryshme. Ndërsa mund të ketë efekte negative edhe në procesin e liberalizimit të vizave”, ka vlerësuar Burjani.