Opozita me çdo mjet kundër Demarkacionit

Opozita me çdo mjet kundër Demarkacionit

Aktuale gusht 30, 2016 - 08:11

Barrikadimi i dy taborëve, pro dhe kundër Demarkacionit me Malin e Zi, ka bërë që më 1 shtator të rrezikohet siguria në Kosovë. Sulmet e fundit me bomba kanë shtuar potencialet që seanca e së enjtes të jetë e përcjellë me dhunë e cila, sipas njohësve të sigurisë, do të përcillet edhe pas seancës

Kosova rrezikon të përfshihet në dhunë më 1 shtator kur Kuvendi i Kosovës pritet ta zhvillojë seancën plenare, në të cilën pikë e rendit të ditës është ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin mes Kosovës e Malit të Zi.

Në javët e fundit kanë ndodhur një mori sulmesh ndaj institucioneve publike, medieve, drejtuesve të tyre dhe, sipas njohësve të sigurisë, kanë shtuar potencialin më të madh prejse Kosova është pavarësuar që të kaplohet nga dhuna.

Por pavarësisht kësaj, opozita vazhdon të theksojë se do të përdorë çdo mjet për të parandaluar ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, e cila, sipas tyre, i fal tokë Malit të Zi.

Ndërsa, Qeveria pret që të enjten, në seancën për Demarkacion, deputetët do të lihen të qetë dhe pa presione për të votuar pro apo kundër.

E enjtja potenciale për dhunë, përgjegjëse Qeveria e opozita

Njohësi i çështjeve të sigurisë Burim Ramadani thotë për “Zërin” se Kosova rrezikohet nga dhuna më 1 shtator më shumë se asnjëherë tjetër që prej shpalljes së pavarësisë.

“Potenciali për rrezikim të sigurisë dhe për dhunë është shumë i madh. Në fakt, besoj se është potenciali më i madh që nga pavarësimi më 2008. Seanca e 1 shtatorit mund të jetë e përcjellë me dhunë, por mendoj se nuk do të jetë dita e fundit e dhunës”, ka thënë Ramadani, sipas të cilit, fatkeqësisht logjika e dhunës është duke marrë hov gjithnjë e më të madh në Kosovë. “Kjo logjikë është tejet dëmtuese për qëndrueshmërinë e shtetit. Prandaj, besoj se dhuna i shkon për shtati vetëm atyre që me çdo kusht mundohen ta krijojnë argumentin se shteti i Kosovës nuk është i qëndrueshëm”, është shprehur ai.

Por përgjegjës nga dhuna potenciale, sipas Burim Ramadanit, nuk do të shpëtojë asnjëri tabor, as Qeveria e as opozita, varësisht nga përgjegjësitë që kanë.

“Mendoj se askush nuk mund t'i ikën përgjegjësisë. Pastaj, secila palë ka përgjegjësinë sipas obligimit publik, institucional, zyrtar dhe politik. Qeveria ka përgjegjësinë më të madhe, kryesisht për shkak të keqmenaxhimit total të krejt kësaj periudhe më shumë se njëvjeçare. Opozita ka përgjegjësi për zgjedhjen e metodave joinstitucionale gjatë veprimit gati njëvjeçar, edhe pse dy partitë opozitare kanë një kohë që janë tërhequr nga metodat joparlamentare dhe kanë bërë mirë”, ka theksuar ai.

Çfarëdo dhune shkon në dëm të vullnetit të shprehur lirshëm nga deputetët

Qeveria pret që seanca e 1 shtatorit, kur pritet të ratifikohet Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, të ketë qetësi dhe të mos ketë tensione që do ta pengonin deputetin që të votojë lirshëm dhe mbi bazën e vullnetit të tij.

Faton Abdullahu, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, ka thënë se është vitale për deputetët që t’u mundësohet votimi lirshëm.

“Ne si Qeveri duam të besojmë se më 1 shtator do të kemi qetësi dhe stabilitet normal gjithandej në vendin tonë, që do të mundësojë zhvillim normal të seancës në Kuvendin e Kosovës e për rrjedhojë edhe një situatë pa tensione e kërcënime, me ç’rast deputetët mund të votojnë lirshëm mbi Demarkacionin dhe duke u bazuar plotësisht në bindjen e tyre. Kjo është vitale në këto rrethana”, ka thënë Abdullahu për “Zërin”.

Madje, sipas tij, me këtë qasje si shoqëri, si shtet shprehin pjekuri shtetndërtuese dhe nacionale, pasi i japin mundësi demokracisë të shpaloset juridikisht dhe moralisht mirëfilli.

“Në anën tjetër çfarëdo dhune në protesta, të paralajmëruara më 1 shtator, shkon në dëm të vullnetit të shprehur lirshëm nga deputetët. Për të thënë ndryshe, protestat në të njëjtën ditë kur edhe bëhet votimi, aq më shumë nëse ato marrin karakter të dhunshëm dhe dimension kërcënues janë shprehje e mosbesimit ndaj bindjes së lirë, moralit dhe vendimit politik të deputetëve të Kosovës rreth Demarkacionit”, ka deklaruar Abdullahu.

Opozita s’lëshon pe, me çdo mjet kundërshton Demarkacionin

Por në anën tjetër, opozita nuk lëshon pe në kundërshtimin e kësaj marrëveshjeje, duke i bërë thirrje Kuvendit që të mos e ratifikojë.

Zëdhënësi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Frashër Krasniqi, thotë se përmes protestave jashtë Kuvendit dhe përmes deputetëve të tyre brenda do të bëjnë të pamundurën që të mos kalojë kjo marrëveshje.

“Lëvizja ‘Vetëvendosje’ konsideron se Marrëveshja për ratifikimin e Demarkacionit nuk duhet të kalojë assesi. Për këtë, tash e sa kohë kemi shpallur dhe jemi duke u mobilizuar për një protestë në atë ditë. Në anën tjetër, përveç protestimit jashtë, edhe brenda Kuvendit do të jenë deputetët tanë, të cilët do të kujdesen që territori i Kosovës të mos tkurret. Ne do të përdorim çdo mjet demokratik që Kosova të mos copëtohet, që të ruhet integriteti territorial dhe sovraniteti saj”, ka thënë Krasniqi, i cili shprehet se nuk kanë dëshirë që situata më 1 shtator të përshkallëzohet, ani pse paralajmëron se nuk tolerojnë falje të territorit.

“Sa i përket 1 shtatorit ne nuk kemi dëshirë që situata të përshkallëzohet, por paraprakisht nuk tolerojmë që Kosova të humbë territor”, është shprehur ai, derisa fajin do ta marrë Qeveria për gjithçka që do të ndodhë më 1 shtator dhe pas kësaj date.

Edhe deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu thotë se pikërisht është Demarkacioni pse janë jashtë Kuvendit, por do të jetë pikërisht kjo marrëveshje që do t’i kthejë në Kuvend për ta parandaluar ratifikimin e saj.

“Më 1 shtatori është thirrur një seancë, ku mendoj se atë ditë mesazhi i qartë shkon që kjo marrëveshje të mos ratifikohet. Kjo është pika kryesore pse jemi jashtë Kuvendit dhe pse do të marrim pjesë në atë seancë është që të parandalojmë këtë marrëveshje. Përgjegjësia jonë është që të jemi në interes të qytetarëve dhe ne do ta marrim detyrën tonë si deputetë për ta mbrojtur territorin tonë, ashtu siç kemi marrë sugjerimet nga ekspertë të fushës”, është shprehur ajo.

Kuvendi ka thirrur seancë më 1 shtator, prej orës 11:30, në të cilën pikë e rendit të ditës do të jetë ratifikimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për Shënjimin e Vijës Kufitare.