Lista Srpska nuk merr pjesë në seancën e 1 shtatorit

Lista Srpska nuk merr pjesë në seancën e 1 shtatorit

Aktuale gusht 31, 2016 - 13:27

Në seancën e 1 shtatorit që do të votohet për demarkacionin me Malin e Zi, Lista Srpska si duket nuk do të marrë pjesë në këtë seancë. Kështu, do të rrezikohet edhe kuorumi për mbajtjen e seancës, pasi që duhet të jenë dy të tretat e deputetëve (81 deputetë).

Mospjesëmarrja e Listës Srpska në seancë siç ka mësuar Ekonomia Online ka të bëjë me aktualitetin politik përkatësisht Asociacionin i komunave me shumicë serbe.

“Nuk do të marrim pjesë në seancën e së nesërme…”, ka thënë për Ekonomia Online njëri nga deputetët në kushte anonimiteti.

I pyetur se cilat janë kërkesat e Listës Srpska, që po e bëjnë një gjë të tillë, ai ka thënë se “aktualiteti politik dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe”.

Ndërkaq, jo zyrtarisht Ekonomia Online mëson se gjatë ditës do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit me grupet parlamentare, ku do të shqyrtohet shtyrja e seancës.

Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi pritet të votohet nesër në Kuvendin e Republikës. Mirëpo, kjo çështje vështirë që do të mund të kalojë me 1 shtator. Janë një numër i deputetëve të pozitës të cilët janë kundër votimit të demarkacionit, derisa partitë opozitare Vetëvendosje, AAK dhe Nisma që nga fillimi i marrëveshjes janë kundër.

Marrëveshje ndërkombëtare mund të ratifikohet vetëm me dy të tretat e votave, derisa koalicioni PDK-LDK është deklaruar se është i sigurt se do të aprovohet.  Ndërsa, sipas rregullores së Kuvendit nëse Marrëveshje refuzohet atëherë e njëjta kthehet në pikën zero dhe Qeveria duhet ta ri-negocioj sërish me Malin e Zi.