Haradinaj: Zgjidhja me Serbinë s’arrihet përmes shkëmbimit të territoreve
Foto: Laura Hasani

Haradinaj: Zgjidhja me Serbinë s’arrihet përmes shkëmbimit të territoreve

Aktuale shtator 13, 2018 - 08:46
Lexoni më shumë detaje
Image

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë së deri te marrëveshja me shtetin serb nuk mund të arrihet përmes shkëmbimit të territoreve, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Këto komente Haradinaj i bëri pas takimit të së mërkurës që pati me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Menduh Thaçi.

“Me presidentin Thaçi ka dy ditë që nuk jemi takuar, por kemi takime të rregullta me të. I diskutojmë të gjitha temat, kemi mendime ndryshe për arritjen e një marrëveshjeje obligative ligjore me Serbinë për njohje reciproke, sepse bindja ime është që te kjo zgjidhje nuk arrihet me territore e kufij, por me gatishmërinë për paqe dhe pajtim mes popujve. Kosova megjithëse ka dhimbje e vuajtje të mëdha nga lufta prapë e gjen forcën që të ecën përpara drejt Evropës”, ka thënë Haradinaj.                          

Ai shtoi edhe se Kosova është e gatshme për një marrëveshje me Serbinë, që nuk përfshin shkëmbimin e territoreve.  

Ndërkohë, lidhur me takimin me Thaçin kryeministri Haradinaj ka thënë që u dakorduan që të vazhdojnë bashkëpunimin mes dy shteteve.

“Sot kemi pasur mundësinë të takohemi zyrtarisht me Menduh Thaçin për të diskutuar temat aktuale këtu dhe në Maqedoni e në veçanti për temën e përbashkët – shqiptarët. I themi po referendumit në Maqedoni dhe ajo të anëtarësohet në NATO”, ka thënë Haradinaj.                                                          
Ndërsa kreu i PDSH-së Menduh Thaçi, i pyetur nga gazetarët nëse pjesë e bisedimeve me kryeministrin Haradinaj ishte edhe çështja e kufijve, u përgjigj se nuk biseduan për këtë gjë, por që ai u beson institucioneve të Kosovës për këtë çështje.

“Jo, por kam një besim të plotë dhe mbështetje në lidershipin dhe në drejtuesit e institucioneve të Kosovës se ata do të dinë mënyrën më të mirë për të gjithë shqiptarët që ta vazhdojnë këtë dialog”, ka thënë ai, shkruan më tutje "Zëri".                                                                                                                                     
Thaçi ka thënë që tema kryesore e takimit me Haradinajn ishte referendumi i Maqedonisë, që do të mbahet këtë muaj.

“Ishte nder që të takoj kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn, normalisht që tema kryesore e cila u bisedua sot ishte çështja e referendumit që do të mbahet në Maqedoni, një moment historik për shqiptarët e Maqedonisë. Besojmë që të gjithë shqiptarët e ndajnë me ne faktin që i kemi borxh NATO-s dhe kjo është ideja e madhe që na bashkon të gjithë shqiptarët”, ka thënë në mes të tjerash ai. /ZËRI/