Kastrati: S’ka kthim mbrapa për ushtrinë
Foto: Laura Hasani

Kastrati: S’ka kthim mbrapa për ushtrinë

Aktuale dhjetor 07, 2018 - 08:00
Intervistë me ish-komandantin e FSK-së Kadri Kastrati
Image

Ish-komandanti i FSK-së Kadri Kastrati gjatë një interviste për “Zërin” ka deklaruar se pavarësisht kundërshtimeve aktuale NATO-ja në të ardhmen do ta mbështesë ushtrinë e Kosovës. Ai thotë se Kosova pas një jave do ta ketë ushtrinë pas votimit, i cili do të ndodhë në Kuvend, shkruan sot Gazeta Zëri. 

Procesi i formimit të ushtrisë së Kosovës nuk ka kthim mbrapa, pasi është projektuar në koordinim me miqtë ndërkombëtarë dhe pavarësisht kundërshtimeve aktuale të NATO-s, kjo përsëri do të mbetet mbështetëse e ushtrisë.

LEXO EDHE: 15 milionë euro 'plaçkë' në emër të sigurisë

Kështu ka theksuar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, duke shtuar se marrëdhëniet e Kosovës me NATO-n do të forcohen edhe më tej pas 14 dhjetorit 2018, kur do të votohet në Kuvend për transformimin e FSK-së në ushtri.

“Kosova çdo lëvizje të kapaciteteve e ka bërë në koordinim me shtetet partnere, me SHBA-në, me Gjermaninë, me Italinë e me Francën dhe me shumë shtete të tjera që i kanë standardet më të larta të NATO-s. Për këtë arsye mendoj që NATO-ja do të mbetet mbështetëse e kësaj force”, ka theksuar mes tjerash Kastrati në intervistën për “Zërin.

Sipas tij, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga mbi 100 shtete dhe ka të drejtë ta ketë ushtrinë e vet, e cila nuk do të formohet vetëm për interesa të veta, por edhe të NATO-s, edhe rajonit sepse do të jetë një forcë mbrojtëse. “Kapacitetet ushtarake që do t’i ndërtojë ushtria e Kosovës nuk do ta rrezikojnë askënd, as Serbinë, as Maqedoninë e as Malin e Zi. Me ngritjen e kapaciteteve tona do ta japim kontributin tonë me pajisje, me ushtarë e me oficerë në misione të ndryshime nëpër botë dhe kjo është arsyeja se pse NATO-ja ka dobi nga ngritja e kapaciteteve ushtarake në Kosovë”, ka bërë të ditur Kastrati.

Transformimi i FSK-së përmes ligjit, mundësia e vetme për ushtrinë

Zëri: Z. Kastrati, tri projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri kanë kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës përderisa pritet që të votohen për të dytën herë më 14 dhjetor. A është zgjedhur sipas jush mënyra e duhur për formimin e ushtrisë?

Kastrati:
Kjo është forma e duhur, sepse të gjithë dëshirojmë të kemi një ushtri me ndryshime kushtetuese dhe ne kemi qenë të gatshëm qysh në vitin 2014 për formim të ushtrisë. Në vitin 2012 ka filluar rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë në përgjithësi në Kosovë dhe qysh nga ky vit kanë filluar përgatitjet tona me mbështetje të partnerit tonë strategjik SHBA-së dhe të stafit vendor që të përgatitet një projekt për transformimin e kësaj force në forcë të armatosur. Ky projekt ka përfunduar në vitin 2014 kur të gjitha ligjet dhe i gjithë dokumentacioni ka shkuar në Qeveri, pastaj në Parlament, mirëpo atëherë për arsye politike nuk ka kaluar dhe qysh nga vitin 2014 deri më sot ne kemi provuar disa herë që t’i bindim përfaqësuesit e serbëve ose më mirë të themi “dorën e zgjatur” të Serbisë, i kemi lutur ata t’i votojnë këto ndryshime kushtetuese, mirëpo ata nuk kanë dashur asnjëherë dhe kanë thënë edhe publikisht që Kosova nuk ka nevojë për ushtri. Pra, gjithmonë janë munduar të gjejnë një arsyetim që të mos e votojnë ushtrinë, mirëpo më në fund ne kemi parë që nuk ka rrugëdalje tjetër përveçse të shkohet me ndryshime ligjore.
Këto tri projektligje që kanë kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës dhe nuk e rrezikojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës janë ligje të cilat nuk e ndryshojnë emrin e FSK-së, por ia japin asaj mandatin ushtarak, me qëllim që kjo forcë të mundë të zhvillohet në ushtri të vërtetë. Misioni i ri i FSK-së do të jetë mbrojtja e integritetit dhe e sovranitetit të Republikës së Kosovës, pjesëmarrja në operacione jashtë vendit në kuadër të NATO-s, të BE-së ose të Kombeve të Bashkuara, operacione paqeruajtëse ose humanitare dhe mbështetja e autoriteteve qendrore e lokale. Këto do të jenë tri detyrat kryesore që dalin nga ky mision.

Transformimi i FSK-së nuk e rrezikon asnjë shtet të rajonit

Zëri: NATO-ja vazhdimisht ka theksuar që ushtria e Kosovës duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese, por edhe gjatë ndërrimit të komandës së komandantit të KFOR-it zyrtarë të organizatës veriatlantike thanë se nuk po i shohin këto ndryshime kushtetuese, me ç’rast lanë të nënkuptohet se ata nuk janë dakord me formën të cilën ka zgjedhur Kosova për krijimin e ushtrisë. Si e shihni ju këtë gjë?

Kastrati:
Ne në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë, me partnerin tonë strategjik SHBA-në kemi vendosur që ushtria jonë do të quhej Forcë e Armatosur e Kosovës dhe ne do të dëshironim që kjo të ndodhë me ndryshime kushtetuese, por asnjëherë pala serbe nuk ka shprehur vullnet që të jetë dakord me Kosovën për t’i votuar këto ndryshime kushtetuese. Prandaj ne kemi qenë të detyruar ta formojmë ushtrinë në këtë formë, sepse nuk mund të presim deri në pafundësi. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur me mbi 100 shtete dhe ne kemi të drejtë ta formojmë ushtrinë tonë e ushtria nuk formohet vetëm për interesin tonë, por edhe për interesa të NATO-s dhe për interesa të rajonit, sepse kjo ushtri është mbrojtëse. Kapacitetet ushtarake që do t’i ndërtojë kjo ushtri nuk do ta rrezikojnë askënd, as Serbinë, as Maqedoninë e as Malin e Zi. Me ngritjen e kapaciteteve tona do ta japim kontributin tonë me pajisje, me ushtarë e me oficerë në misione të ndryshime nëpër botë dhe kjo është arsyeja se pse NATO-ja ka dobi nga ngritja e kapaciteteve ushtarake në Kosovë.

Zëri: Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, së fundmi ka deklaruar se transformimi i FSK-së në ushtri po ndodh në kohë të papërshtatshme dhe kjo mund të ketë pasoja për vendin. Si e keni parë ju këtë deklaratë?

Kastrati:
Sigurisht ju kujtohet presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi kur një vit më parë pati nisur iniciativën që Forcës dhe Sigurisë së Kosovës t’i ndryshohet misioni nëpërmes ligjeve dhe atëherë ka pasur një presion nga partnerët tanë, të cilët kanë thënë se nuk është momenti i duhur dhe duhet të pritet edhe pak. Ne kemi pritur deri më tani, mirëpo nesër prapë mund të jetë një situatë tjetër, serbët do ta krijojnë momentin e vet ku do të synojnë që të paraqesin se nuk është momenti i duhur për formimin e ushtrisë së Kosovës, por unë mendoj që ky është momenti i duhur për krijimin e ushtrisë. Mendoj që Kosova duhet të ecë përpara me kompletimin e arkitekturës së sigurisë e të mbrojtjes dhe nuk besoj që prijësit e institucioneve të Kosovës nuk kanë biseduar me partnerët strategjikë për këtë transformim, me shtetet që ne duhet t’i konsultojmë paraprakisht dhe të ecim tutje me këtë projekt. Jam shumë i bindur se nuk do t’i prishim marrëdhëniet tona me NATO-n ose me partnerët tanë strategjikë, por kjo është në përputhje me të drejtat tona dhe me interesat tona, por edhe me interesat e NATO-s dhe të faktorit ndërkombëtar.

SHBA-ja, Gjermania, Franca e Italia e mbështesin transformimin e FSK-së

Zëri: Nëse NATO-ja eventualisht ia kërkon Kosovës të zmbrapset nga ky transformim a do të duhej t’i bindet një kërkese të tillë?

Kastrati:
Prapë po e them se Kosova nuk e ka filluar këtë projekt pa u konsultuar me miqtë tanë ndërkombëtarë dhe me NATO-n, me shtetin partner SHBA-në dhe unë nuk besoj se do të ketë kthim mbrapa, sepse kemi hyrë në një tunel ku nuk ka kthesë as majtas e as djathtas, por vetëm duhet të ecim përpara dhe kjo është e drejtë jona legjitime. Unë e di që disa shtete të cilat nuk e kanë njohur Kosovën e janë anëtare të NATO-s nuk pajtohen me këtë veprim të Kosovës drejt formimit të forcave të veta ushtarake, por unë mendoj që partnerët tanë kryesorë strategjikë pajtohen me këtë dhe pastaj edhe këto shtete të cilat e kundërshtojnë këtë proces do ta kuptojnë se ky është një proces që nuk kthehet mbrapa.

Zëri: A do të mbesin marrëdhëniet e njëjta mes Kosovës e NATO-s edhe pas transformimi të FSK-së në ushtri?

Kastrati:
Unë vlerësoj se këto marrëdhënie do të forcohen akoma më tepër për arsye se kjo forcë nuk mund të ngrihet dhe nuk mund t’i arrijë kapacitetet e veta operative pa mbështetjen e NATO-s. NATO-ja do të mbetet një forcë mbështetëse dhe një përkrahëse e fuqishme e Forcës dhe e Sigurisë së Kosovës drejt ngritjes së kapaciteteve operative. Unë e them me përgjegjësi të plotë se Forca e Sigurisë si fëmijë që ka lindur dhe tani që është rritur për rreth 50% është zhvilluar me kapacitete dhe me standarde 100% të NATO-s dhe të shteteve perëndimore. Kosova çdo lëvizje të kapaciteteve e ka bërë me shtetet partnere, me SHBA-në, me Gjermaninë, me Italinë e me Francën e me shumë shtete të tjera, të cilat i kanë standardet më të larta të NATO-s. Për këtë arsye mendoj se NATO-ja do të mbetet mbështetëse e kësaj force. Në anën tjetër brenda natës nuk do të ndodhë asgjë, edhe më 15 dhjetor Forca e Sigurisë do të jetë e njëjta siç është tani, sepse kur është bërë planifikimi që kjo forcë duhet të ngrihet në forcë ushtarake është bërë një plan 10-vjeçar i zhvillimit të saj. Nevojiten shumë kohë, para, trajnime e shkollime që të arrihen kapacitetet e plota operative që kjo forcë të jetë e gatshme ta kryejë misionin e vet. KFOR-i do ta ketë mandatin e njëjtë, edhe unë mendoj që KFOR-i nuk duhet ta ndryshojë mandatin e vet në Kosovë deri në kohën kur kjo forcë të jetë e gatshme t’i kryejë detyrat e veta.

KFOR-i nuk duhet të largohet nga Kosova

Zëri: Pra po thoni se nuk ka rrezik nga rishikimi i pozicionit të NATO-s në Kosovë as pasi FSK-ja ta marrë mandatin e ri? 

Kastrati: Unë mendoj se nuk do të ketë rrezik, por pres që Këshilli Veriatlantik i NATO-s, si organi më i lartë, në të ardhmen të ulet dhe të mendojë e ta rishikojë mandatin e KFOR-it në Kosovë, por jo menjëherë, por duke i ngritur kapacitetet operative të kësaj force dhe duke u bërë dita-ditës kjo forcë e aftë që t’i kryejë detyrat e veta, atëherë edhe KFOR-i do të ketë nevojë dalëngadalë të zvogëlohet e ta përfundojë misionin në Kosovë. E them në aspektin taktik që ata janë në terren, sepse përndryshe NATO-ja do të qëndrojë gjithmonë në Kosovë, sepse Kosova ka nevojë për ta. Ne synojmë që të anëtarësohemi në NATO një ditë dhe synojmë që rrugëtimi ynë si FSK ose si ushtri të jetë dalëngadalë e kyçur në mekanizmat ndërkombëtarë ushtarakë.

Zëri: Çfarë lloj i armatimi i duhet ushtrisë së Kosovës?

Kastrati:
Ne në rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë në vitin 2011 deri më 2014-n i kemi bërë t]ë gjitha analizat e mundshme, në detaje se çfarë i nevojitet kësaj force për ta përmbushur misionin e saj mbrojtës, çfarë pajisjesh e çfarë armatimi i nevojitet dhe ne kemi ardhur në përfundim se kjo forcë do t’i ketë të gjitha armët e mjaftueshme, qofshin ato kundërajrore, personale, të cilat janë të mjaftueshme për t’i mbrojtur kufijtë, sepse nëse rrezikohet Kosova nga ndonjë shtet kjo forcë duhet të jetë e aftë t’i mbrojë kufijtë e saj. Po ashtu kemi paraparë edhe çfarë armatimi e çfarë pajisjesh i nevojiten kësaj force që të marrë pjesë në operacione paqeruajtëse dhe në mbështetje të autoriteteve lokale e qendrore. Ne kemi paraparë përpos armatimit edhe koston e kësaj force për çdo vit se sa do të duhej të ketë buxhet, me qëllim që të funksionalizohet.

Ushtria e Kosovës do t’i ketë 8000 trupa

Zëri: Nëse ushtrinë e Kosovës e krahasojmë me atë të vendeve tjera në rajon a do të jetë e madhësisë së njëjtë apo do të jetë më e vogël?

Kastati:
Është paraparë që ushtria e Kosovës duhet t’i ketë 5000 pjesëtarë aktivë dhe 3000 rezervë, pra gjithsej 8000 trupa që mjaftojnë për t’i përmbushur të gjitha detyrat në misionin të cilin do ta ketë dhe mendoj se FSK-ja sot mund të krahasohet me të gjitha shtetet e rajonit, sepse këta djem e vajza na kanë bërë të ndihemi mirë e krenarë në të kaluarën në çdo trajnim, shkollim ose stërvitje që kanë bërë me forcat e rajonit ose të shteteve të NATO-s dhe mendoj që kjo forcë do të jetë në nivel jo të barabartë, por mbi nivelin e rajonit sa i përket trajnimit dhe shkollimit të tyre për ta përmbushur misionin. Ajo po ashtu do të jetë e shkathët dhe e barabartë që edhe në misione në kuadër të shteteve të NATO-s në ndonjë krizë eventuale të jetë e gatshme që të jemi krah për krah me ushtarët dhe me oficerët e shteteve të cilat janë më përpara se ne.

Zëri: Ka pasur debat në Kosovë edhe për emrin e Forcës dhe të Sigurisë së Kosovës, pra nuk do të quhet ushtri. A paraqet kjo gjë problem sipas jush dhe a mundet që në të ardhmen kjo forcë të ndërrojë edhe emrin?

Kastrati:
Emri do të mbetet Forca e Sigurisë së Kosovës. Unë kam thënë vazhdimisht se emri nuk e bën ushtrinë, por e bëjnë misioni, detyrat, armatimi, pajisjet të cilat dalin nga ky mision. Në rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë është marrë vendim që kjo ushtri të quhet Forcë e Armatosur e Kosovës, prej të gjitha shteteve të NATO-s vetëm 3 ose 4 shtete e quajnë ushtri ushtrinë e tyre, dikush e quan forcë mbrojtëse dhe emri dallon prej shtetit në shtet, por misioni është me rëndësi. Pasi nuk ndodhën ndryshimet kushtetuese dhe Kushtetuta nuk mund të shkelet, ne me këto tri projektligje do ta ndryshojmë vetëm misionin, kurse Ministrisë së FSK-së do t’i ndryshohet emri në Ministri të Mbrojtjes si e kanë të gjitha shtetet e botës dhe unë nuk shoh ndonjë problem këtu. 

FSK-së i nevojiten 7 vjet për transformim të plotë

Zëri: Sa vite do t’i duhen FSK-së për t’u bërë ushtri funksionale?

Kastrati:
Sipas studimit tonë ne kemi gjetur se Kosovës i duhen 10 vjet me qëllim që të zhvillohen dhe të ngrihen kapacitetet e mjaftueshme operative, por pasi qysh në vitin 2014 kemi qenë të gatshëm që kjo forcë të transformohet në ushtri dhe kanë kaluar 4 vjet tashmë, unë besoj që Forca e Sigurisë ka kapacitete infrastrukturore, njerëzore e kapacitete tjera që mund ta shkurtojnë këtë plan nga 10 vjet në jo më tepër se 7 vjet. Pra Kosovës i duhen 7 vjet që t’i ngrejë kapacitetet ushtarake, të cilat i nevojiten në misionin që do ta ketë FSK-ja.

Zëri: Në anën tjetër shteti serb ka filluar me propagandën e tij për ushtrinë e Kosovës, a vlerësoni se  mund ta pengojë formimin e ushtrinë në këtë fazë?

Kastrati:
Jo vetëm për ushtri, por për çdo veprim që Kosova e merr Serbia është kundër. Lista Serbe është “dora e zgjatur” e Beogradit dhe e them lirisht se këta nuk janë përfaqësuesit e denjë të komunitetit serb, i cili jeton në Kosovë. Kam dëgjuar edhe deklaratat e kryeministres së Serbisë, edhe të zyrtarëve të tjerë që kinse formimi i ushtrisë së Kosovës rrezikon serbët në Kosovë e cila nuk është e vërtetë, është thënë se rrezikon Serbinë, e cila përsëri nuk është e vërtetë sepse ne nuk po ngremë forcë ushtarake sulmuese, por mbrojtëse, me qëllim që të mbrohen kufijtë tanë dhe qytetarët tanë. E dini mirë që në Forcën e Sigurisë së Kosovës ka një numër të pjesëtarëve të komunitetit serb që i kanë shërbyer dhe po i shërbejnë akoma kësaj force, mirëpo për shkak të presioneve që serbët janë duke ua bërë këtyre pjesëtarëve, ku i kërcënojnë, kanë gjuajtur bomba, u kanë dërguar mesazhe kërcënuese etj., të gjitha këto me qëllim që të mos e lejojnë Kosovën të ecë përpara në aspektin e brendshëm, por edhe në atë ndërkombëtar. Mendoj se nuk duhet të merren parasysh këto gjëra dhe ne duhet t’i kryejmë punët tona, të cilat do të shërbejnë në forcimin e shtetit drejt rrugës sonë euroatlantike. Ky është mesazhi im dhe mendoj se kështu jemi duke ecur e nuk do ta ktheja vëmendjen te këto deklarata. Serbia kot e ka, sepse nuk mund ta pengojë Kosovën që të ecë përpara.