Rama: Ushtria, në gjithë Kosovën

Aktuale December 14, 2018 - 07:54
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ka deklaruar se ushtria e Kosovës ose FSK-ja është në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe do të shërbejë në gjithë territorin e Republikës, shkruan sot Gazeta Zëri. 

Ushtria e Kosovës do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe do të shërbejë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Kështu ka deklaruar komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, i cili gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka pohuar se ushtria do të ketë mandat që të dalë edhe në veri të vendit.

Pavarësisht faktit që brenda 2-3 muajve nga FSK-ja kanë dhënë dorëheqje rreth 71 pjesëtarë të komunitetit serb, Rama ka thënë se ushtria e Kosovës do të jetë multietnike, ashtu siç ka qenë FSK-ja deri më tani.

Ndërkohë, ndonëse zyrtarë të NATO-s kanë konsideruar se nuk është koha e duhur për ta bërë ushtrinë, gjatë bisedës për gazetën “Zëri” Rama ka thënë se Kosova është koordinuar me partnerët e saj për bërjen e ushtrisë, rrjedhimisht, siç ka theksuar ai, Kosova e ka edhe mbështetjen e NATO-s për një gjë të tillë.

“Patjetër, sepse qëllimi dhe synimi kryesor yni është që edhe si Kosovë, edhe si Forcë e Sigurisë të jemi pjesë e strukturave euroatlantike ose pjesë e NATO-s”, është shprehur Rama, i pyetur nëse ekziston mbështetja e NATO-s.

Ushtria, ekziston edhe mbështetja e NATO-s

Zëri: Të premten pritet të votohet në lexim të dytë pakoja e projektligjeve për transformimin e FSK-së në ushtri. Sa është i rëndësishëm votimi i këtyre projektligjeve?

Rama: Absolutisht. Është një vendim që është futur në rend të ditës në seancën që do ta ketë Kuvendi i Kosovës. Është shumë i rëndësishëm jo vetëm për ne si institucion, por është i rëndësishëm edhe për vendin, për Kosovën. Kemi pritur një kohë të gjatë që të ndodhë ky realitet, që të shtohen kompetencat e një institucioni që është shumë i rëndësishëm për vendin.

Zëri: Megjithëkëtë zyrtarë të NATO-s kanë vlerësuar se nuk është koha e duhur për të ndodhur transformimi i FSK-së. Pse sipas jush është momenti i duhur të ndodhë transformimi pikërisht tash?

Rama: Në qoftë se flasim për kohën, momenti dhe koha ka qenë edhe shumë më herët. Kosova i ka plotësuar ato kriteret, obligimet e veta, por edhe ne si institucion. Detyrat shtesë që ne i marrim ose detyrat e reja janë bazuar në rishikimin e sektorit të sigurisë që është bërë në vitin 2014 dhe që prej asaj kohe ne kemi filluar bashkërisht me partnerët tanë që ta hartojmë një plan, duke u bazuar gjithmonë në analizat që kemi bërë bashkërisht me partnerët tanë dhe kemi ardhur në finale që ta kemi një strukturë, e cila në kuptimin operacional i plotëson nevojat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Zëri: Por NATO-ja paralajmëroi pasoja nëse ndodh transformimi. Sa ka hapësirë që të ketë cenim të raporteve me partnerët strategjikë?

Rama: Jo, nuk kemi absolutisht ndonjë cenim të raporteve, është një mendim i tyre që nuk është koha. Gjatë kampanjës informuese që kemi pasur bashkë me zëvendësministrin Burim Ramadani dhe të tjerët ne kemi qenë në shumë kryeqytete të rëndësishme të Evropës, kemi qenë edhe në Bruksel, por edhe në Uashington. Mbi 16 shtete i kemi vizituar dhe i kemi informuar. Ka qenë ideja që të jemi transparentë dhe t’i njoftojmë të gjithë partnerët tanë për proceset që do të vijnë dhe nuk ka asnjë cenim të raporteve. Ne do të vazhdojmë, do të punojmë, do të bashkëpunojmë me NATO-n. NATO-ja është në Kosovë, ne e kemi ekipin këshillues që punon për çdo ditë me ne dhe ne jemi si produkt i NATO-s. Që nga viti 2009 NATO-ja ka pasur përgjegjësi për ndërtimin e një institucioni të ri, që në këtë rast është Forca e Sigurisë së Kosovës. Duke filluar prej meje dhe gjithë të tjerëve, kemi qenë në proces të përzgjedhjes, seleksionimit, vetingut dhe të gjitha kritereve bazë që i kemi plotësuar atë kohë dhe më 2013-ën këto kapacitete që i kemi aktualisht janë të njohura nga NATO-ja dhe ne do të vazhdojmë bashkëpunimin. NATO-ja është një organizatë, sa është ushtarake është edhe politike dhe i dimë veprimet e tyre. Do të thotë që për të ndryshuar një mision duhet një konsensus që janë 29 shtete. Unë nuk mbaj mend ndonjëherë që NATO-ja ka arritur konsensus për çështje të caktuara edhe më herët. Ne absolutisht kemi përkrahjen e partnerëve tanë dhe edhe ky vendim, edhe ky ndryshim i misionit shtesë që ne do ta kemi është në koordinim me partnerët tanë.

Zëri: Do të thotë ekziston edhe përkrahja e NATO-s në këtë rast?

Rama: Patjetër, sepse qëllimi dhe synimi kryesor yni është që edhe si Kosovë, edhe si Forcë e Sigurisë të jemi pjesë e strukturave euroatlantike ose pjesë e NATO-s.

Zëri: Z. Rama, cili do të jetë roli i KFOR-it në Kosovë në momentin që do të ndodhë transformimi i FSK-së?

Rama: Roli i KFOR-it është roli që e ka. Ne kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë. Nuk kemi asnjë qëllim që të kemi çështje të hapura me KFOR-in. KFOR-i, e dimë në bazë të cilës rezolutë, vepron në Kosovë. KFOR-i është partner yni. Ata janë pjesë e ushtrimeve, aktiviteteve tona, ne jemi pjesë e aktiviteteve të tyre dhe ne vetëm sa do ta thellojmë bashkëpunimin.

FSK-ja do ta ketë mandatin shtesë sikur çdo ushtri e botës

Zëri: Dihet që me votimin e projektligjeve FSK-së do t’i shtohen kompetencat, por emri do t’i mbetet i njëjti. Sa do të jetë misioni i plotë kur emri nuk do të kthehet në FAK?

Rama: Unë nuk do të isha lidhur shumë me emër, s’domethënë emri, por domethënë misioni, detyrat, obligimet që duhet t’i kryejmë. Fatkeqësisht ideja dhe qëllimi ynë si Kosovë ka qenë që këto ndryshime, edhe i emrit, edhe i mandatit, të bëhen përmes ndryshimeve kushtetuese. Problemin të gjithë e dimë, domethënë Lista Serbe. Kemi pritur një kohë të gjatë, nuk ka qenë gatishmëria e tyre që të bëhen këto ndryshime përmes Kushtetutës. E kemi dëgjuar edhe prej partnerëve tanë strategjikë që askush në Kosovë nuk e ka të drejtën e vetos. Emri nuk do të thotë shumë. Jam shumë i sigurt që tri ligjet janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. Opsioni është i hapur, kurdo që të tjerët janë të gatshëm që të bëhen edhe ato ndryshime kushtetuese ne jemi të gatshëm.

Zëri: Por sa mund të cilësohet e avancuar FSK-ja vetëm me ndryshime ligjore, pa ndryshime kushtetuese?

Rama: Absolutisht nuk ka asnjë dilemë, asnjë pengesë. Domethënë mandati, detyrat, obligimet e mandatit shtesë. Do ta ketë mandatin shtesë sikur çdo ushtri tjetër. Çështja e emrit është çështje teknike. Nuk guxojmë të lidhemi për emër, ka edhe shumë vende të botës që e kanë të njëjtin emër, Forca e Sigurisë së një shteti të caktuar.

Plani 10-vjeçar për ushtrinë

Zëri: Dihet që edhe pas votimit të nesërm të projektligjeve për transformimin e FSK-së puna nuk do të përfundojë. Sa vite do të shkojnë derisa Kosova ta ketë një ushtri të mirëfilltë dhe cilat do të jenë sfidat e radhës?

Rama: Ne jemi të vetëdijshëm dhe unë përmenda që kemi ndërtuar një plan me detaje bashkërisht me ekspertë dhe me partnerët tanë strategjikë dhe ne e kuptojmë, të gjithë duhet ta kuptojnë që ndryshimet nuk bëhen brenda natës. Për ta ndërtuar një mision të ri dhe për të marrë obligime të reja do kohë, duke filluar prej trajnimeve profesionale, pajisjeve e infrastrukturës. Ne kemi ndërtuar një plan afatgjatë 10-vjeçar. Por të gjitha këto planet tona janë fleksibile, varësisht prej situatës ne edhe do të veprojmë. Do të thotë është një proces dhe duhet ta kuptojmë. Ushtria është një lloj arti, nuk përfundon. Sot ushtritë më moderne për çdo vit, për çdo muaj, bëjnë ndryshime, qoftë në doktrina, qoftë në procedura, në standarde, qoftë në pajisje, sepse duhet të bëhet një analizë, një vlerësim se prej çfarë rreziku kanosemi, çfarë rreziqesh kemi ne si shtet, qofshin ato fatkeqësi natyrore, qofshin edhe rreziqe të tjera, qofshin ato kriminale. Për t’u ballafaquar me rrezikun ti duhet ta ndërrosh trajnimin, t’i ndërrosh pajisjet dhe varësisht të bëhet një analizë. Rrezikut që vjen ti duhet t’i paraprish, të parapërgatitesh. Domethënë është proces që nuk përfundon. Pra, pas 10 vjetëve ose pas 5 vjetëve, sido që të zhvillohen proceset ne do të ballafaqohemi me rreziqe të tjera dhe ne prapë duhet t’i rishikojmë të gjitha procedurat dhe duhet ta ndërrojmë qasjen, trajnimet, pajisjet, të gjitha elementet.

Zëri: Domethënë pas kalimit të 10 vjetëve mund të themi se Kosova do ta ketë një ushtri të kompletuar?

Rama: Nuk po lidhemi për kohën. Ne kemi një plan, për atë thashë që planet tona janë fleksibile dhe nuk mund të them tash që do të ndodhë pas 10 vjetëve ose do të jetë pas 2 vjetëve. Është një proces i cili është i natyrshëm dhe ne nuk kemi shpikur asgjë të re. Ne kemi marrë modelet e shteteve, por edhe të ushtrive moderne. Forca e Sigurisë e Kosovës në të ardhmen do të jetë një forcë fleksibile, do të jetë e zhvilluar gjithmonë mbi bazën e standardeve të NATO-s e do të jetë ushtri moderne dhe do të jetë në shërbim të gjithë qytetarëve pa dallim.

Ushtri me 8 mijë ushtarë

Zëri: Sa anëtarë i ka aktualisht FSK-ja dhe sa ushtarë pritet t’i ketë ushtria?

Rama: FSK-ja aktualisht i ka 2500 ushtarë aktivë dhe 800 rezervë. Në të ardhmen, duke u bazuar në krejt ato analiza që i përmenda, Forca e Sigurisë do t’i ketë 5 mijë aktivë, 3 mijë rezervë.

Zëri: A janë të mjaftueshëm?

Rama: Mbi bazën e të gjitha ekspertizave që i kemi bërë qe gjashtë vjet momentalisht janë të mjaftueshëm. Tash varet prej rreziqeve që mund të vijnë në të ardhmen, të cilat ne nuk mund t’i parashikojmë tash dhe të themi se do ta kemi këtë rrezik në vitin 2020, mirëpo fillimi është shumë me rëndësi kur fillon mbi bazën e të gjitha analizave.

Zëri: Dihet që në veri të Kosovës është një situatë pak më ndryshe. A do të ketë mandat ushtria e Kosovës që të dalë në veri të vendit?

Rama: Ushtria e Kosovës ose Forca e Sigurisë e Kosovës është në shërbim të gjithë qytetarëve dhe do të shërbejë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Më e lehta është për mua që të përgjigjem në këtë pyetje sepse unë nuk jam politikan, unë zbatoj urdhra, unë jam nën kontrollin civil demokratik dhe çdo vendim, çdo urdhër që vjen nga lart jam i thirrur t’i zbatoj.

Zëri: Do të thotë do të funksionojë edhe në veri të vendit?

Rama: Normalisht.

Zëri: Sa pjesëtarë të komuniteteve joshumicë aktualisht janë pjesë e Forcës dhe a kanë mbetur prej tyre pjesëtarë të komunitetit serb?

Rama: Po, po, aktualisht ne kemi mbi 10 për qind të komuniteteve. Do të thotë në FSK kemi një numër edhe të komunitetit serb.

71 pjesëtarë serbë kanë dhënë dorëheqje nga FSK-ja

Zëri: Kohët e fundit ka pasur dorëheqje të vazhdueshme të komunitetit serb prej FSK-së. Sa serbë janë tërhequr nga FSK-ja, a keni ndonjë statistikë?

Rama: Po, kemi statistika. Neve na vjen keq e para, që ata pa dëshirën e tyre e kanë lëshuar FSK-në. Sa më tepër po mundohemi t’i integrojmë, dikush tjetër nga jashtë po bën presion që nuk është e drejtë, nuk është korrekte dhe nuk është ligjore. Mirëpo sido që të jetë, ky është një realitet. Unë personalisht kam qenë i përshirë në këtë proces dhe qëllimi i Kosovës ka qenë që t’i integrojmë dhe të jemi Forcë gjithëpërfshirëse, të jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve. Sido që të jetë ky është realiteti, ne si Forcë kemi ofertuar, ua kemi dhënë ofertën dhe mbi bazën e ofertës ata me vetëdëshirë kanë ardhur dhe janë bërë pjesë e FSK-së. Fatkeqësisht, pa dëshirën e tyre një pjesë e tyre, që numri i saktë është 71 pjesëtarë, ka bërë kërkesë për demobilizim dhe unë duke u bazuar në ligje e në Rregullore kam nënshkruar, e kam miratuar dhe kanë shkuar prej FSK-së.

Zëri: Për çfarë periudhe kohore?

Rama: Dy muajt, tre muajt e fundit.

Zëri: Atëherë si do të binden serbët që të jenë pjesë e ushtrisë së Kosovës, duke u nisur nga këto?

Rama: Të jem i sinqertë asnjë problem nuk e kemi, se ata janë të bindur dhe ne kemi shumë aplikacione e shumë njerëz nga komuniteti serb që për çdo ditë vijnë dhe dorëzojnë aplikacione dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta. Mbi 200 aplikacione i kemi në institucionin tonë. Duke u bazuar në situatën aktuale ku jemi, por edhe në komunikim të vazhdueshëm me ta, nuk e kemi vlerësuar se është koha e duhur që të bëhet edhe një kampanjë e rekrutimit. Por në momentin dhe në kohën e duhur ne do ta bëjmë, nuk e shoh si problem. Do ta kemi përfaqësimin. Qëllimi ynë kryesor është që të jemi një forcë multietnike dhe e cila do të jetë gjithëpërfshirëse, siç edhe jemi tash, por vetëm sa do ta rrisim numrin. Është në të mirën e gjithë qytetarëve. Por në të njëjtën kohë, qëllimi ynë kryesor është që të jemi të gatshëm të kryejmë edhe misione paqeruajtëse. Unë e përmenda që partnerët tanë na kanë ndihmuar neve në kohërat më të vështira dhe për ta shpaguar atë ndihmë nuk jemi aq të pasur që të paguajmë me euro, por kontributi ynë modest do të jetë në misione paqeruajtëse dhe do të jemi kontribuues të paqes.

Serbia bëri presion mbi pjesëtarët serbë të FSK-së

Zëri: Por siç e përmendëm, ka pasur dorëheqje të serbëve. Sa do t’ia dalë ushtria të jetë multietnike?

Rama: Ne jemi multietnike. I kemi mbi 10 për qind të komuniteteve që shërbejnë dhe janë shumë mirë të integruar. Më gëzon fakti që edhe në kërkesat për demobilizim asnjë fjalë të vetme, asnjë germë të vetme nuk e kemi që për shkaqe të natyrave të ndryshme ose të presioneve që kanë mundur t’u vijnë nga brenda, por presionet kanë ardhur nga jashtë.

Zëri: Nga Serbia e keni fjalën?

Rama: Normalisht. Ju e dini kanë ardhur në kufi, kanë marrë intervista të ndryshme, por jo vetëm te ta që kanë bërë presion, por kanë bërë presion edhe te pjesëtarët e tjerë të familjeve që kanë pasur ata.

Zëri: Keni pranuar tashmë disa mjete ushtarake nga Amerika. A mjaftojnë ato për plotësimin e nevojave të ushtrisë?

Rama: Nuk i kemi pranuar, i kemi blerë me buxhetin e shtetit të Kosovës. Këto automjete janë koincidencë që kanë ardhur në këtë kohë. Por kontrata për “Humvee” është nënshkruar në mars të këtij viti dhe nëse votimi do të kishte ndodhur në nëntor nuk do t’i kishim pasur “Humvee”-t këtu. Krejt kjo është koincidencë.

Zëri: Po mjete të tjera a pritet të blihen së shpejti?

Rama: Ne do të vazhdojmë, do të ketë blerje edhe vitin e ardhshëm. E kemi ndarë edhe buxhetin, varësisht prej zhvillimeve që do t’i kemi ne do të blejmë edhe pajisje, jo vetëm “Humvee”, por do të ketë edhe pajisje të tjera. Ne kemi përfunduar planifikimin ose planin buxhetor për vitin 2019 dhe duke u bazuar në prioritetet tona është planifikuar të investojmë edhe në infrastrukturë, por edhe në pajisje.

Zëri: Tashmë kemi hyrë në fazën finale të dialogut Kosovë - Serbi. Dihet që Serbia është alarmuar nga nisma për ushtrinë. Sa ka gjasa të dëmtohet ky proces pas transformimit të FSK-së?

Rama: Çështja e negociatave është çështje politike. Kjo është çështje e brendshme e Kosovës. Janë detyrat tona të shtëpisë. Absolutisht ne nuk po zbulojmë diçka të re, ne po ndërtojmë një forcë sikur çdo shtet sovran. Nuk shoh asnjë problem, të mos e ndërlidhim çështjen e dialogut me çështjen e ndërtimit të një institucioni, që ka ekzistuar dhe që është nevojë e domosdoshme për një shtet normal, të pavarur dhe sovran.