Drejtori i SHSKUK-së e 'zbutë' papunësinë e mjekëve, nga 200 specialistë të papunë do t’i punësoj vetëm 4

Aktuale December 14, 2018 - 13:29
Lexo tjera detaje

Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Universitar të Kosovës(SHSKUK), Basri Sejdiu, ka vendosur ta “zbusë” papunësinë e mjekëve specialistë në Kosovë.

Nga 200 aplikacione të specialistëve të papunë që i kanë arritur në zyrën e tij dhe shumë kërkesa të drejtorëve të klinikave për punësimin e mjekëve specialistë, Sejdiu ka shpallë sot konkurs në shtypin ditor për t’i punësuar vetëm katër mjekë specialistë, përkatësisht dy specialistë të kardiologjisë dhe dy të oftalmologjisë, raporton portali “Zëri.info”.

Kërkesa më të mëdha për punësimin e specialistëve të rinj, siç ka raportuar më herët “Zëri”, ka në klinikat e ndryshme të kirurgjisë, ku ka numër të madh të pacientëve dhe pak mjekë. Këto klinika vërshtohen me pacientë gjatë sezonit të dimrit, kur ka rritje të aksidenteve në trafik, si dhe gjatë verës kur ka raste të shumta të djegieve.

Zyra e drejtorit të SHSKUK-së ka konfirmuar se disa klinika kanë bërë kërkesë për pranimin e specialistëve të rinj të mjekësisë, madje, siç kanë thënë ata, kanë nevojë për punësim të specialistëve edhe për ta mbajtur më mirë shërbimin e kujdestarisë.

Ndërsa zyrtarë për informim të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila udhëhiqet nga Uran Ismaili, kanë bërë të ditur se pas miratimit të buxhetit për vitin 2019 do të shpallet një konkurs për punësimin e të gjithë specialistëve të mjekësisë. /Zëri/