Thaçi në Prekaz: Po realizohet amaneti i dëshmorëve

Aktuale December 15, 2018 - 13:50
Lexo tjera detaje

Thaçi me homazhe edhe në Prekaz Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i shoqëruar nga Sami Lushtaku dhe Bekim Jashari, ka bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, me ç’rast tha se po e realizojnë amanetin e të rënëve për liri.

“Në ditën e parë të funksionimit të Ushtrisë së Kosovës, sot jam këtu së bashku me kryetarin Jashari dhe kryetarin Lushtaku që të bëjmë nderimet më të larta kombëtare institucionale dhe shtetërore për jetën dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë.

Kjo po tregon se po realizohen objektivat dhe amaneti i dëshmorëve të lirisë”, ka thënë Thaçi. I pari i vendit tha se meritorë për të arriturat e Kosovës janë të shumtë, por për Prekazin, tha se si asnjë vend tjetër, është vend i respektit e sakrificës.

“Prekazi dhe sakrifica e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari është vendi i respektit, i sakrificës, dhe vlerësimit të lartë për të arriturat e lirisë së Kosovës, të pavarësisë, sovranitetit dhe nga dje, edhe Ushtrisë së Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.

Pas homazheve, Thaçi u përshëndet edhe me një grup të rinjsh nga komuna e Rahovecit, të cilët kishin ardhur për vizitë në Prekaz. Para presidentit Thaçi, ata kënduan këngë për Prekazin.

Përndryshe, gjatë ditës së sotme, Thaçi ka nisur homazhet te shtatorja e dëshmorit Zahir Pajaziti, për të vazhduar më pas te varrezat në Velani, ku bëri homazhe te varri i presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe te varri i veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.