Infektuar: 1057
Shëruar: 841
Vdekur: 30

Amendamentet për Gjykatën Speciale, në Kushtetuese

Aktuale March 10, 2015 - 07:45

Kuvendi i Kosovës i ka dërguar, të hënën, në Gjykatën Kushtetuese amendamentet për ndryshime kushtetuese, të cilat kanë të bëjnë me krijimin e Gjykatës Speciale, para se ato të vihen për votimin para deputetëve.

Propozimi i Qeverisë së Kosovës për amendamentimin e Kushtetutës është dërguar në legjislativin e Kosovës, por menjëherë ndryshimet kushtetuese i janë proceduar Gjykatës për interpretim nëse janë në harmoni me aktin me të lartë juridik të vendit.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka konfirmuar pranimin e materialit për ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë Gjykatës Speciale, derisa tha se në seancën e radhës nuk do të jenë në rend dite amendamentet për ndryshime kushtetuese për shkak se ato i janë dërguar Gjykatës Kushtetuese për interpretim.

“Edhe në rastin e propozimit të Qeverisë për ndryshime kushtetuese nevojitet një interpretim i Gjykatës Kushtetuese dhe kështu kemi vepruar. Nëse Kushtetuesja e interpreton kushtetutshmërinë e procedimit të ndryshimeve në Kushtetutë, atëherë, Kuvendi do të vijojë me procedurat tjera”, ka thënë  Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Sipas tij, legjislativi i Kosovës edhe sa i përket Gjykatës Speciale do të marrë vendime që janë në përputhje me aktin më të lartë juridik të vendit.

“Jemi në një procedim të cilin tani e ka bërë Qeveria e Kosovës dhe më pas Kuvendi do të marrë vendime, të cilat janë në përputhje me Kushtetutën dhe në interesin e qytetarëve”, ka thënë kryekuvendari.

Sipas tij, krijimi i Gjykatës Speciale, që do t’i trajtojë krimet e dyshuara gjatë periudhës së luftës së UÇK-së në Kosovë, është një obligim ndërkombëtar që është marrë në vitin 2014, në një letërkëmbim në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe të Bashkimit Evropian.

Kreu i Kuvendit Veseli tha se është ende herët të flitet nëse do t’i kenë votat e nevojshme për ndryshimet kushtetuese, të cilat kanë të bëjnë me krijimin e Gjykatës Speciale.

“Meqenëse ende jemi në fazën fillestare, nuk kisha dashur të flas rreth numrave. Por, ajo çka dua të them është se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë për çlirimin e vendit dhe lirinë e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.  

Edhe zyrtarë nga Gjykata Kushtetuese kanë thënë se për çdo ndryshim të Kushtetutës nevojitet mendimi i  Gjykatës.

“Sikurse çdo amendament tjetër kushtetues, edhe këto amendamente procedohen në Gjykatën Kushtetuese nga kryetari i Kuvendit të Kosovës”, ka thënë për “Zërin” Veton Dula, nga Kushtetuesja.

Sipas tij, çdo amendament kushtetues, së pari duhet të marrë miratimin e Gjykatës Kushtetuese se nuk bie ndesh me Kapitullin II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ndryshe, pasi Gjykata Kushtetuese të japë mendimin e saj në lidhje me amendamentet për ndryshime kushtetuese, atëherë do të jetë Kuvendi i Kosovës që ta ketë para vetes Projektligjin për Krijimin e Gjykatës Speciale. Për aprovimin e kësaj Gjykate nevojiten 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit, apo 81 sosh.

Deri më tani janë tri partitë politike opozitare që kanë thënë se nuk do të votojnë në favor të kësaj Gjykate, por janë edhe disa deputetë nga partia e Thaçit që kanë deklaruar hapur se do t’i thonë “Jo” kësaj Gjykate.