LVV-ja kërkon vendosmëri rreth taksës

LVV-ja kërkon vendosmëri rreth taksës

Aktuale janar 10, 2019 - 11:51
Lexo tjera detaje

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, i marrë gjatë muajit nëntor të vitit të shkuar, për vënien e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe ka përplasur presidentin e Kosovës Hashim Thaçin dhe kryeministrin Ramush Haradinajn. Përderisa kreu i shtetit ka deklaruar publikisht se tarifa në fjalë mund të hiqet, shefi i ekzekutivit po vazhdon të këmbëngulë se taksa nuk do të largohet derisa Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, shkruan Gazeta "Zëri".

Në anën tjetër, edhe Bashkimi Evropian (BE) tashmë ka kërkuar disa herë shfuqizimin e taksës 100 për qind, pasi presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka pohuar se nuk do të ketë vazhdim të procesit të dialogut nëse nuk zhbëhet vendimi për taksën. Në anën tjetër, përfaqësuesit e opozitës vlerësojnë se vendimi i Qeverisë lidhur me këtë çështje nuk duhet të kthehet mbrapa në asnjë rrethanë, ndonëse nuk është hera e parë që presidenti e kryeministri shfaqen krejtësisht të pakoordinuar rreth temave të rëndësisë nacionale.

LEXO EDHE: Moskoordinimi i Thaçit e Haradinajt rreth taksës

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë për “Zërin” se taksa e vendosur ndaj produkteve serbe nuk duhet të largohet në asnjë formë. Sipas saj, ky është një prej vendimeve të pakta pozitive që Qeveria e Kosovës i ka marrë deri më tani. “Është dashur të jetë shumë më herët dhe do të duhej të kishte reciprocitet të plotë, andaj e mbështesim. Është shumë gabim që tashmë të tërhiqemi nga ky vendim”, ka deklaruar ajo.

Ndërkohë, teksa ka folur për paralajmërimin e presidentit se taksa mund të hiqet, Nagavci ka vlerësuar se krerët institucionalë asnjëherë nuk kanë qenë me një zë sa u përket temave të rëndësishme.

Ndërkaq, gjersa është deklaruar rreth takimit që Delegacioni Shtetëror pati në Bruksel para dy ditësh, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se ky ekip ka marrë një mesazh të qartë nga BE-ja, atë për largimin e tarifës 100 për qind të vendosur ndaj produkteve serbe. “Ajo që dëgjuam ishte se ata e morën një porosi të qartë. Se duhet të kthehen në Kosovë ta heqin taksën si parakusht për dialogun”, ka deklaruar ai./ZËRI