Përballja e parë me Specialen

Përballja e parë me Specialen

Aktuale janar 12, 2019 - 07:52
Lexo tjera detaje
Image

Këtë fundjavë drejt Hagës do të udhëtojnë ish-eprorët e lartë të UÇK-së Rrustem Mustafa dhe Sami Lushtaku, të cilët të hënën e ardhshme do të merren në pyetje nga prokurorët e Speciales. Në fillim të javës së ardhshme drejt qytetit holandez do të udhëtojë edhe Sabajdin Cena, ish-epror nga Zona Operative e Pashtrikut, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit, dhe Sami Lushtaku, ish-komandant i Zonës Operative të Drenicës, këtë fundjavë pritet të udhëtojnë për në Hagë pas ftesës që kanë marrë nga Gjykata Speciale. Ndërsa të hënën e ardhshme drejt qytetit holandez do të udhëtojë edhe Sabajdin Cena, ish-epror nga Zona Operative e Pashtrikut.

Avokati mbrojtës i Mustafës dhe i Lushtakut, Arianit Koci, ka thënë për “Zërin” se klientët e tij do të intervistohen të hënën në Hagë. “Në këtë vikend do të udhëtojmë për në Hagë. Të dielën në mbrëmje ne duhet të jemi atje, pasi të hënën fillon intervistimi. Mustafa dhe Lushtaku do të intervistohen ndaras”, ka bërë të ditur Koci.

Në anën tjetër Sabajdin Cena ka konfirmuar për “Zërin” se më 14 janar 2019, në orën 09:00 do të niset për në Hagë nga aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”. “Të hënën në orën 9:00 do të jem në Prishtinë. Është një procedurë tjetër për mua, sepse mua më kërkon edhe INTERPOL-i dhe Gjykata e Hagës nuk ka kompetenca mbi këtë institucion. Prandaj unë nuk mundem të udhëtoj vetëm. Avokatët e mi janë në kontakt me këtë Gjykatë”, ka thënë ai dje për “Zërin”.

Deklarata e Zyrës së Prokurorit të Specializuar


Të pyetur për numrin e personave nga Kosova të ftuar nga Gjykata Speciale, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka dhënë shumë detaje për këtë çështje, mirëpo ka theksuar se ata kanë të drejtë ligjore që ta kërkojnë praninë e të dyshuarve, të viktimave dhe të dëshmitarëve eventualë. “Prokuroria Speciale ka autoritetin, ndër të tjera, të kërkojë praninë dhe pyetjen e të dyshuarve, të viktimave dhe të dëshmitarëve, t’i mbledhë e t’i shqyrtojë informacionet, provat dhe të marrë vendime për fillimin, për vazhdimin ose për ndërprerjen e procedimeve penale. Zyra jonë nuk ka dhënë asnjë informatë ‘për të ftuarit’ dhe nuk do ta bëjë. Të gjitha raportimet në mediet kosovare vijnë nga individë që shpallin se kanë marrë thirrje ose nga avokatë që përfaqësojnë njerëzit, të cilët thonë se klientët e tyre janë thirrur”, thuhet në përgjigjen e kësaj Zyre dhënë “Zërit”.
Në anën tjetër Policia e Kosovës nuk ka pranuar të përgjigjet për numrin e shtetasve kosovarë që do të udhëtojnë drejt Hagës të hënën e ardhshme. Në përgjigjen e tyre dhënë “Zërit” zyra për informim e Policisë së Kosovës ka thënë se duhet t’u referohemi organeve kompetente.

Më 17 janar, të ftuarit e radhës

Ftesë nga Specialja ka marrë edhe Remzi Shala nga Suhareka, ish-komandant i UÇK-së i njohur me nofkën “Molla e Kuqe”, por që deri më tani po raportohet se ai është arratisur. Shala në dhjetor të 2018-s kishte pranuar ftesë që më 17 janar 2019 do të intervistohet në Hagë nga ana e prokurorëve të Gjykatës Speciale në Hagë.

Përderisa Lushtaku e Mustafa do të udhëtojnë për në Hagë, ish-komandanti tjetër i UÇK-së Nazif Mehmeti pritet të intervistohet në Prishtinë. Avokati i Mehmetit, Tahir Rrecaj, ka thënë për “Zërin” se deri më tani nuk ka marrë ndonjë ftesë që klienti i tij të shkojë në Hagë. “Ne kemi kontakte të vazhdueshme me Specialen. Unë kam kërkuar sqarime, ata i kanë sjellë ato. Unë besoj që Nazif Mehmeti do të intervistohet në Kosovë, pasi ende nuk kemi ndonjë thirrje eksplicite për shkuarjen e tij në Hagë. Dua të besoj se do të intervistohet këtu”, ka thënë Rrecaj.

Rrecaj ka bërë të ditur se Nazif Mehmeti, i njohur si  komandant “Dini”, pritet të intervistohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 22, 23 dhe më 24 janar 2019. “Ende nuk na është bërë e ditur për çfarë cilësie është ftuar Mehmeti, por besoj se para intervistimit kjo duhet të na tregohet, pasi është krejtësisht e ndryshme të ftohesh si dëshmitar dhe si i akuzuar. Ai do të intervistohet më 22, 23 dhe më 24 janar”, ka deklaruar Rrecaj.

Aktakuzat e para, pas disa javëve

Ndërsa avokati Tomë Gashi në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se të ftuarit e deritanishëm nga Gjykata Speciale shumica prej tyre janë ftuar në cilësinë e të dyshuarve, madje sipas Gashit shumë shpejt do të ngrihen edhe aktakuzat e para nga ky institucion i drejtësisë.

 “Askush nga Gjykata Speciale nuk është ftuar në cilësinë e të akuzuarit, për shkak se ne ende nuk kemi akuza të para të ngritura, por shumica prej tyre janë ftuar në cilësinë e të dyshimtëve. Tashmë dihet se atje është duke i pritur një ekip i prokurorëve e jo vetëm një i vetëm dhe sigurisht se do t’u kërkojnë sqarime të ftuarve të parë, do t’i marrin në pyetje nëse ata pranojnë të flasin dhe tek në javën e ardhshme pritet ngritja e aktakuzave të para”, ka thënë ai.

Gashi vlerëson se Zyra e Prokurorit të Specializuar tashmë ka mbledhur informacionet e nevojshme dhe brenda disa javëve do të ngrejë edhe aktakuzat e para. “Zyra e Prokurorit Special ka të drejtë të vendosë në bazë të ligjit, duke marrë në pyetje fillimisht persona të dyshuar dhe duke grumbulluar dëshmi, por prokurorët kanë hetuar për këtë çështje që nga fillimi i vitit 2011 dhe faktikisht raporti i parë ka dalë në vitin 2014. Pra për 7 vjet prokurorët kanë grumbulluar provat e mundshme dhe thjesht po ua japin mundësinë të dyshuarve të japin deklarata në mbrojtjen e tyre. Aktakuzat janë të gatshme, por jo të ngritura”, ka thënë ndër të tjera ai.

Ai thotë se në këtë fazë të ftuarit nga Gjykata do të japin vetëm sqarime për të dhënat që Prokurori tashmë i ka gjetur. “Deri më tani nuk kemi një të akuzuar, nuk kemi një lëndë e cila i është dërguar Gjykatës për t’u proceduar, por shumë shpejt kjo do të ndodhë. Mund të jetë kjo një fazë ku të ftuarit vetëm do të japin sqarime për ato që prokurorët tashmë i kanë nëpër sirtarët e tyre, gjë që është e drejtë që secilit t’i jepet mundësia të japë sqarime për pretendimet e përfshirjes së tyre nëpër veprat penale për të cilat dyshohen”, ka theksuar ai.
 

Mospërballja me Gjykatën Speciale në dëm të Kosovës

Në anën tjetër analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë për “Zërin” se përderisa nuk dihet se në çfarë cilësie po shkojnë në Hagë të ftuarit e parë të Speciales mund të ndodhë që ndonjëri prej tyre të mos kthehet fare në Kosovë. “Tash për tash nuk dihet në çfarë cilësie janë të ftuarit e parë të Speciales. Mund të jenë vetëm dëshmitarë, mund të jenë pastaj të akuzuar, mund të ndodhë që ndonjëri prej tyre të ndalet atje dhe të mos kthehet fare në Kosovë. E tërë kjo është njëfarë procesi jo shumë transparent, por kjo është e kuptueshme duke e pasur parasysh ndjeshmërinë e procesit, por më e rëndësishmja është që Kosova në këtë rast të dijë si të sillet në një situatë të tillë”, ka thënë ai.

Sipas tij, çdo mospërballje me këtë institucion është në dëm të vendit. “Nuk duhet të ketë hezitime të përballjes me drejtësinë, sepse çdo shmangie nga përballja me këtë proces do të shkojë në dëm të vendit, sepse do të interpretohet pastaj edhe në sy të botës si shmangie nga drejtësia dhe se kosovarët e dyshuar për krime të pretenduara nuk po duan të ballafaqohen me drejtësinë”, ka thënë ai.

Mirëpo Mushkolaj thotë se Gjykata Speciale nuk do të jetë përcaktuesja për vërtetësinë e krimeve të luftës.

“Edhe pas përfundimit të kësaj Gjykate do të ketë gjykata të tjera vendore, të cilat do të vazhdojnë t’i zgjidhin këto çështje. Është vetëm një gjykatë, e cila pretendon t’i zgjidhë disa çështje që kanë të bëjnë me luftën dhe me një periudhë të pasluftës. Në Kosovë janë kryer shumë krime nga ana e shtetit serb dhe në anën tjetër ka pasur edhe krime që janë pretenduar se janë kryer edhe nga pala shqiptare, sidomos gjatë luftës. Shumë e rëndësishme është që këto të zbardhen, por kjo nuk do të thotë assesi se kjo Gjykatë do t’i zgjidhë këto çështje”, ka theksuar ai/ZËRI