Thaçi “errësoi” arsyen e dëbimit të gylenistëve
Foto: Laura Hasani

Thaçi “errësoi” arsyen e dëbimit të gylenistëve

Aktuale janar 12, 2019 - 08:02
Lexo tjera detaje
Image

 

Mosbashkëpunimi i presidentit Hashim Thaçi me Komisionin Hetimor Parlamentar për rastin e dëbimit të gjashtë gylenistëve ka shkaktuar dështimin e hartimit të raportit për këtë çështje, shkruan Gazeta "Zëri".

Komisionit Hetimor Parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq i ka përfunduar mandati në dhjetor të 2018-s dhe ende nuk ka arritur ta përgatisë raportin për arsyet e dëbimit të gylenistëve nga Kosova. 

Ndër shkaktarët e shumtë që kanë penguar përfundimin e këtij raporti është edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. 
Kryetari këtij Komisioni, Xhelal Sveçla, thotë për “Zërin” se mosintervistimi i presidentit Thaçi për dëbimin e gylenistëve ka lënë shumë zbrazëti në përpilimin e raportit final. Megjithatë, ky Komision ka kërkuar një muaj afat shtesë për ta hartuar përfundimisht raportin. 

Më datë 29 mars të vitit të kaluar 6 shtetas turq u ekstraduan për në Turqi, të cilët kishin qenë të përndjekur nga ky shtet për shkak të lidhjeve të tyre me Fetullah Gylenin, i cili akuzohet nga autoritetet turke si organizator i grusht shtetit ndaj presidentit turk Rexhep Taip Erdogan.

Krerët e shtetit, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, u deklaruan se nuk kishin njohuri për këtë çështje. Por menjëherë pas dëbimit kryeministri Haradinaj kishte liruar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefajn dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) Driton Gashin.

Kuvendi i Kosovës pas këtij rasti kishte formuar Komisionin Hetimor Parlamentar për ta zbardhur këtë rast nëse ka pasur shkelje nga institucionet e vendit, i cili në listën e të intervistuarëve pati kreun e  AKI-së, Shpend Maxhunin, kryeministrin Haradinaj dhe të parin e shtetit Hashim Thaçin. Ky i fundit disa herë nuk i ishte përgjigjur ftesës së këtij Komisioni.

Thaçi, i paprekshëm nga Komisioni për Gylenistët

“Ka pasur shumë vështirësi në punën ekipore në koordinim dhe për shkak të rrethanave sigurisht që ka qenë plotësisht e pritshme se do të ketë ngecje, megjithatë kemi arritur deri diku të krijojmë një draft, por absolutisht që ka lënë zbrazëtira në raport mosintervistimi i presidentit Thaçi”, deklaroi Sveçla.

Sveçla e ka konfirmuar se janë duke pritur përgjigje nga Kryesia e Kuvendit për zgjatjen e mandatit dhe shpreson që nëse u jepet mandat shtesë do të mundë ta hartojnë raportin dhe të dalin me përfundimet. “Ne ende nuk kemi marrë kurrfarë përgjigje për kërkesën tonë për të na e vazhduar mandatin, por po presim tash në sesionin pranveror që në mbledhjen e parë të Kryesisë të diskutohet kjo çështje dhe pastaj të kalohet në seancën e radhës. Është e nevojshme që ky Komision të marrë mandat shtesë. Në rast se konfirmohet nga Kryesia dhe nëse nuk ka ndonjë çështje të jashtëzakonshme, shpresojmë që brenda afatit shtesë ta përfundojmë raportin”, u shpreh Sveçla.

 Beqa: Dështimi i raportit, për shkak të stërzgjatjes së intervistave

Edhe drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, theksoi se mosbashkëpunimi mes palëve, sidomos ai mes presidentit Thaçi dhe Komisionit, ka ndikuar në dështimin e hartimit të raportit. “Komisioni ka dështuar të dalë me raport përfundimtar, sepse është dashur të jepen deklarata edhe nga presidenti Thaçi, por ai nuk ka bërë një gjë të tillë. Pra, nuk kanë qenë bashkëpunues dhe nëse nuk janë bashkëpunues, atëherë është e pamundur të sigurohet një raport i cili përfshin gjerësisht arsyet e kësaj çështjeje”, ka thënë Shala.

Por për anëtarin tjetër të Komisionit për Gylenistët, Hajdar Beqa, stërzgjatja e intervistave ka qenë ndër ngecjet kryesore pse nuk kanë arritur ta përpilojnë raportin. Në një përgjigje për “Zërin” Beqa thotë se edhe pse nuk është përfunduar, kjo çështje ka qenë në interes të të gjithë anëtarëve të Komisionit për ta zbardhur rastin se a ka pasur shkelje nga institucionet e vendit.

LEXO EDHE: Engjëjt mbrojtës të Kosovës

Kryesia e Kuvendit nuk e di a ka kompetenca për t’ia zgjatur mandatin Komisionit

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë për “Zërin” se kërkesa e Komisionit Parlamentar për t’ia zgjatur afatin hetimor nuk është shqyrtuar nga Kryesia e Kuvendit dhe se nuk e di nëse këtë kompetencë e ka vetëm Kryesia e Kuvendit ose tërë Kuvendi. Megjithatë, ai thotë se beson që kjo punë duhet t’i takojë Kuvendit dhe se një gjë e tillë do të shqyrtohet kur Kuvendi të kthehet nga pushimi dimëror, pa dhënë ndonjë afat të saktë. “Nuk e kemi shqyrtuar atë kërkesë. Kuvendi është deri më datën 21 janar në pushim dhe nuk e di kur do të shqyrtohet. Varet prej kryetarit dhe Kryesisë, por nuk e di a ka të drejtë Kryesia ta zgjasë mandatin ose Kuvendi. Mendoj që për këtë çështje i tërë Kuvendi duhet të marrë vendim, pasi ai e ka formuar këtë Komision e ai ia ka caktuar këtë afat dhe besoj ai do të vendosë edhe a do t’ia vazhdojë ose jo”, u shpreh Haliti.

LEXO EDHE: Përballja e parë me Specialen

Kosova do të përballet me pasoja për shkelje të të drejtave të njeriut

Hilmi Jashari, avokat i Popullit, në një prononcim për “Zërin” duke cituar raportin që ka përpiluar ky institucion u shpreh që dëbimi i gjashtë gylenistëve do të sjellë pasoja juridike për Kosovën, për shkak se janë shkelur disa konventa për të drejtat e njeriut. “Autoritet e Republikës së Kosovës duke i dëbuar shtetasit turq i ekspozuan në rrezik për t’iu nënshtruar torturës, keqtrajtimit fizik dhe rrezikut real për shkelje serioze të të drejtave të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilat janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës”, citohet raporti i avokatit të Popullit.

Edhe për drejtorin e KMDLNJ-së Behxhet Shalën ky akt përbën shkelje të të drejtave të njeriut që Kosova do ta paguajë si në aspektin politik, edhe në atë monetar. “Kjo do t’i kushtojë Kosovës dhe do ta pësojë nga gjykatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kurdo që do të kërkojnë dëmshpërblim nga Kosova për kidnapim të kundërligjshëm. Kosova përpos çmimit politik që po e paguan, më vonë do të detyrohet ta paguajë edhe një çmim të lartë me para”, pohoi Shala.

Njohësi i çështjeve juridike Riza Smaka u shpreh për “Zërin” se nuk ka vullnet politik për t’u ndriçuar rasti i gylenistëve. Sipas tij, Kosova nuk ka kurrfarë interesi që t’i prishë raportet reciproke me Turqinë për shkak të kësaj çështjeje.  “Nuk është që ka shumë vullnet politik për ta zbardhur këtë çështje, ndoshta edhe për shkak të raporteve reciproke të të dyja shteteve, por çështja është te politikat ndërshtetërore, te diplomacia e te interesi i shtetit dhe Kosova nuk ka interes për t’i acaruar marrëdhëniet me Turqinë. Megjithatë, unë shpresoj që në rast të mandatit shtesë Komisioni të dalë me një raport të drejtpeshuar, pa anime politike”, theksoi Smaka./ZËRI