Kërkohet presion për taksën edhe ndaj Serbisë

Kërkohet presion për taksën edhe ndaj Serbisë

Aktuale janar 18, 2019 - 17:39
Lexo tjera detaje

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë për “Zërin” se masa e vendosur ndaj produkteve serbe nuk hiqet pa u eliminuar fillimisht arsyet për të cilat është vendosur kjo tarifë. Por, pas rritjes së presionit nga SHBA-ja dhe BE-ja për heqjen e taksës 100% analistët politikë vlerësojnë se duhet arritur kompromis për këtë çështje, përkatësisht duhet të dihet se çka përfiton Kosova nga heqja e saj, shkruan Gazeta "Zëri".

Teksa ka folur rreth taksës, Edita Tahiri, ish-zëvendëskryeministre dhe njëherësh ish-kryenegociatore e dialogut me Serbinë, ka vlerësuar se vendosja e taksës ndaj produkteve serbe ka qenë një reagim i drejtë dhe ka shprehur reciprocitet, pasi sipas saj Serbia ka pasur sjellje shumë destruktive ndaj shtetit të Kosovës gjatë vitit të kaluar. “Serbia ka shkelur frymën e dialogut të Brukselit, ka shkelur marrëveshjet, u ka ikur obligimeve zbatuese dhe ka bërë pengesa për Kosovën në INTERPOL dhe në organizata të tjera ndërkombëtare”, ka deklaruar ajo për “Zërin” teksa ka arsyetuar vendosjen e tarifës.

Sa i përket presionit nga SHBA-ja dhe BE-ja për heqjen e taksës, Tahiri ka vlerësuar se presioni nuk duhet të bëhet njëanshëm vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj shtetit serb. Një gjë të tillë sipas saj duhet ta kërkojnë vetë institucionet e Kosovës.

Por në rast se largohet taksa, sipas Tahirit, kushti i parë dhe kryesor duhet të jetë që në dialogun e Brukselit si fazë finale të mos hapet tema e kufijve./ZËRI