Kosova me 43 Pavarësi

Aktuale February 17, 2019 - 07:52
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image 
Image

Nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), të dërguara gazetës “Zëri”, bëhet e ditur se në Kosovë janë gjithsej 43 persona me emrin “Pavarësi” (42 vajza dhe një djalë), shkruan Gazeta "Zëri". 

Dhjetë vjet para se Kosova të shpallej shtet në jetë kishte ardhur Pavarësia.

Një vajzë e lindur gjatë kohës së luftës, më 1998-n, ishte pagëzuar nga gjyshi i saj me emrin që simbolizonte Kosovën e pavarur. Dëshira e etur për të qenë të lirë i kishte shtyrë familjarët e saj që 20-vjeçares t’ia vënin këtë emër, të cilin mban sot.

Tash kur janë bërë 11 vjet prejse Kosova është bërë shtet Pavarësie Kryeziu nga fshati Xërxë i Rahovecit thotë për “Zërin” se emrin, që i ishte vënë në kohën kur Kosova po digjej e po shkatërrohej nga agresioni serb, nuk do ta ndërronte me asnjë emër të botës.

“Kam lindur në muajin maj të vitit 1998. Në atë kohë ishte luftë dhe e gjithë Kosova ishte nën ndikimin e forcave serbe. Më kanë treguar se atëherë ishte vështirë të vendoste dikush emra të tillë, sepse sigurisht se të gjithë njerëzit mendonin vetëm si të çliroheshin nga ajo torturë”, tregon ajo gjatë bisedës.

Ta pagëzosh vajzën me emrin “Pavarësi” në kohën kur shumë qytetarë të Kosovës vriteshin e masakroheshin 20-vjeçarja nga Rahoveci thotë se nuk kishte qenë lehtë për familjarët e saj.

“Pata fatin të shpëtoja, sepse, siç më kanë thënë, të gjithë kanë pasur frikë për emrin tim, pasi oborri atëkohë ishte i mbushur nga forcat serbe. Çdoherë duhej të kishin kujdes kur përmendnin emrin tim”, thekson Kryeziu.

Ndërkohë, nga të dhënat e Agjencisë së  të Kosovës (ASK), të dërguara “Zërit”, bëhet e ditur se në Kosovë janë gjithsej 43 persona me emrin “Pavarësi” (42 vajza dhe një djalë). Pos këtyre, nga të dhënat e marra nga ASK-ja, të cilat deri në vitin 2011 janë nxjerrë nga baza e të dhënave të regjistrimit të popullsisë, kurse nga viti 2011-2018 nga baza e të dhënave e  të lindjeve, del se ka edhe shumë emra të tjerë të cilët kanë lidhje me Pavarësinë e Kosovës. Në Kosovë aktualisht janë gjithsej 27 persona të gjinisë mashkullore të cilët quhen “Pavarësim”. Po ashtu ka edhe një djalë Pavarëson, si dhe një vajzë të quajtur Pavarësona.

46 “Kosova” në Republikën e Kosovës

Të shumtë janë qytetarët e Kosovës të cilët gjatë viteve ua kanë vënë fëmijëve emrin e shtetit të tyre, Kosovës. Në shtetin që i ka rreth dy milionë banorë gjenden gjithsej 46 persona me emrin “Kosovë”, 13 prej të cilave janë të gjinisë femërore e 33 të gjinisë mashkullore.

Njëri nga ta është edhe gazetari Kosovë Gjoci, i cili vjen nga komuna e Istogut. Me fjalën “krenar” Gjoci tregon më së miri se si ndihet që mban emrin e vendit ku është lindur dhe rritur. Teksa rrëfen për “Zërin” se si i ishte vënë emri që mban, gazetari kosovar thotë se ndihet tejet mirë që emri i tij është Kosovë.

“Emrin ‘Kosovë’ ma ka lënë gjyshi im. Vendimi për këtë ka lidhje me një veprimtar të asaj kohë - Kosovë Rexhë Balaj, i cili nuk jeton më. Gjyshi im e ka pasur të afërm (tezak) dhe shok në të njëjtën kohë. Në vitin kur u linda unë për shkak të përndjekjes nga pushteti i atëhershëm, pasi ka qenë disa herë në burg për veprimtari atdhetare, ai është detyruar të ikë në Shqipëri fillimisht dhe pastaj në Suedi”, rrëfen Gjoci.

Shkaku i emrit ballafaqohen me situata interesante

Një emër i tillë ka bërë që Kosovë Gjoci shpeshherë të ballafaqohet me situata qesharake e me reagime interesante nga qytetarët. Krejt kjo për shkak të emrit që mban, për shkak të emrit Kosovë.

“Kryesisht njerëzit që e dëgjojnë për herë të parë çuditen, po shumica e pëlqejnë ose më thonë se kam emër të madh. Por jorrallë ka pasur edhe situata interesante e qesharake, sidomos në telefon kur më thërrasin njerëzit që nuk e dinë për emrin që e kam”, shton gazetari gjatë bisedës.

Situata të tilla, ku njerëzit nuk i besojnë për emrin që ka, Kosovë Gjocit i rastisin jorrallëherë.  “Njëra nga këto situata ka qenë kur më ka telefonuar dikush prej një kompanie ose banke, nuk më kujtohet saktë dhe më pyeti se ‘me kë po flas’. Unë iu përgjigja ‘me Kosovën’. Ai ma ktheu ‘Po, po, e di që në Kosovë kam thirrur, por me kë po flas?’”, tregon Kosovë Gjoci.

Me situata të ngjashme është ballafaquar shumë herë edhe Pavarësie Kryeziu. Teksa flet rreth kësaj çështjeje Kryeziu tregon se si njerëzit nuk i besonin kur u tregonte që quhej “Pavarësi”. Por me kalimin e viteve Pavarësia thotë se qytetarët kanë nisur të mësohen me një emër të tillë, që pos saj e mbajnë edhe 42 bashkëvendës/e të saj.

1726 Kosovare në Kosovë

Deri më tash afër 2 mijë qytetarë të Kosovës fëmijët e tyre i kanë pagëzuar me emra që kanë lidhshmëri me emrin “Kosovë”. Sipas ASK-së del se në Kosovë janë 1726 persona me emrin “Kosovare” dhe 125 të atillë me emrin “Kosovar”.

Gëzimin se i kishte lindur vajzë, më 1986-n, Mustafë Ukshini, nga Gjakova, kishte vendosur ta shprehte nëpërmjet emrit që do t’ia linte së bijës, emër ky i cili do të lidhej direkt me emrin e vendit të tij, Kosovës.

E lindur në Gjakovë, Kosovare Ukshini është njëra prej rreth dy mijë kosovareve që jetojnë në Kosovë. Ndonëse ndihet e lumtur për emrin që mban, Ukshini thotë se ka pasur raste të atilla kur ka menduar që emri i saj të ishte Shqiptare, në mënyrë që të lidhej me të gjithë shqiptarët e të gjitha trojeve.

“Ka pasur raste kur kam menduar për emrin tim. Varësisht nga mosha, kam menduar edhe për emra të tjerë, siç është Afërdita, e nxitur prej librit ‘Afërdita përsëri në fshat’, por ndjenja mbaroi kur fillova të lexoj një libër tjetër. Ka pasur raste kur kam menduar sikur ta kisha emrin Shqiptare, i cili do të ishte një emër i mirë me kuptim të njëjtë siç është ai Kosovare, por atë nuk do ta kisha dhuratë nga babai”, thotë Ukshini.

Megjithëkëtë, Kosovarja tregon se emrin e saj e do më shumë se çdo gjë. Kjo pasi që ky emër ngërthen në vete dy dashuritë e saj, vendin dhe të atin, i cili qysh në ditën e lindjes ia bëri dhuratën më të çmueshme asaj, duke e pagëzuar me emrin e shtetit ku jeton, me emrin Kosovare.