46 'Kosova' në Republikën e Kosovës

Aktuale February 17, 2019 - 09:13
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), të dërguara gazetës “Zëri”, bëhet e ditur se në Kosovë janë gjithsej 43 persona me emrin “Pavarësi” (42 vajza dhe një djalë), shkruan Gazeta "Zëri". 

Të shumtë janë qytetarët e Kosovës të cilët gjatë viteve ua kanë vënë fëmijëve emrin e shtetit të tyre, Kosovës. Në shtetin që i ka rreth dy milionë banorë gjenden gjithsej 46 persona me emrin “Kosovë”, 13 prej të cilave janë të gjinisë femërore e 33 të gjinisë mashkullore.

Njëri nga ta është edhe gazetari Kosovë Gjoci, i cili vjen nga komuna e Istogut. Me fjalën “krenar” Gjoci tregon më së miri se si ndihet që mban emrin e vendit ku është lindur dhe rritur. Teksa rrëfen për “Zërin” se si i ishte vënë emri që mban, gazetari kosovar thotë se ndihet tejet mirë që emri i tij është Kosovë.

“Emrin ‘Kosovë’ ma ka lënë gjyshi im. Vendimi për këtë ka lidhje me një veprimtar të asaj kohë - Kosovë Rexhë Balaj, i cili nuk jeton më. Gjyshi im e ka pasur të afërm (tezak) dhe shok në të njëjtën kohë. Në vitin kur u linda unë për shkak të përndjekjes nga pushteti i atëhershëm, pasi ka qenë disa herë në burg për veprimtari atdhetare, ai është detyruar të ikë në Shqipëri fillimisht dhe pastaj në Suedi”, rrëfen Gjoci. /ZERI