Jamie Shea: Çështja e kufijve e ka përçarë, por Perëndimi mund ta zgjidhë problemin e Kosovës

Aktuale February 19, 2019 - 19:41
Lexo detajet

Ish-zëdhënësi i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, Jamie Shea, ka vlerësuar se arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë prioritet për udhëheqjen e ardhshme të Bashkimit Evropian, e cila do të caktohet pas zgjedhjeve të majit të sivjetmë për Parlamentin Evropian.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, i cili është nisur nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, dhe i cili është vazhduar nga pasardhësja e saj, Federica Mogherini, ka sjellë shumë dobi të prekshme, në fusha si menaxhimi i kufirit, tregtia dhe telekomunikacioni”, shkruan Shea, tani profesor i Strategjisë dhe Sigurisë në Universitetin e Ekseterit, në Angli.

“Përtej dallimeve të njohura politike, për çështjet si njohja, dialogu ka përmirësuar jetën e përditshme të popujve në të dyja anët e kufirit. Prandaj, ai duhet të vazhdojë. Por, për të qenë i suksesshëm, duhet të përmbushen obligimet, për shembull në fushën e energjisë, ose në funksionimin e sistemit të gjykatave. Dialogu duhet të bazohet në besim”, vlerëson ish-zëdhënësi i NATO-s, në shkrimin e tij të botuar në Reaction.life, përcjell Gazeta Express.

Sipas Sheas, një përfundim i suksesshëm i dialogut duhet të përfshijë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, zhbllokimin e rrugës së të dy vendeve drejt anëtarësimit të mundshëm në BE, dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Për këtë nevojitet vullnet politik, unitet dhe bashkëpunim ndërmjet Britanisë, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, që vazhdon të ketë një rol kyç diplomatik për të luajtur që të sjellë paqe në Ballkanin Perëndimor, siç kemi parë në çdo fazë të konflikteve në ish-Jugosllavi. Nëse kjo s’arrihet, vrulli do të humbet, duke dëmtuar atë që është arritur deri më sot në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, shkruan Shea.

Ish-zëdhënësi i NATO-s thekson se “në muajt e fundit, megjithatë, përparimi ka rrezikuar të ngecë. Sugjerimet për ndryshime kufiri kanë përçarë komunitetin ndërkombëtar, si dhe institucionet e Kosovës, dhe mosmarrëveshjet kanë lindur kryesisht pas reagimit ndaj fushatës që Rusia dhe Serbia po kryejnë për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, më së fundi në Interpol”.

“Përderisa optimizmi mbetet dominues në vend, ekzistojnë shenja të qarta që zhgënjimi po rritet. Në nëntor, Kosova ka vënë një taksë prej 100% ndaj mallrave serbe, si shenjë e zemërimit të saj që Serbia ka bërë fushatë për të bllokuar përpjekjen e saj për anëtarësimin në Interpol”, thekson Shea, në shkrimin e tij.

Shea kujton se në përpjekje për të zbutur krizën, ambasada amerikane në Prishtinë ka bërë thirrje që vendimi të rishikohet, dhe ka lënë të kuptohet se mbështetja e saj për Kosovën mund të mos jetë e pakushtëzuar.

“Habitshëm, për një kryeqytet që ka një statujë të Bill Clintonit, paralajmërimi tërhoqi pak vëmendje në Prishtinë”, shkruan Shea.

“Deklarata e Amerikës përbën një porosi në një kohë vendimtare për Prishtinën: Se ajo duhet t’i zbatojë obligimet ndërkombëtare. Por, më së rëndësishmi, ky incident duhet të shërbejë si alarm për të gjithë miqtë e Kosovës, se bllokadat aktuale nuk mund të vazhdojnë pafundësisht, nëse duan që kosovarët ta ruajnë besimin në Perëndimin dhe në vlerat perëndimore”, vlerëson ish-zëdhënësi i NATO-s.

Ky besim, sipas tij, “është i fuqishëm, por jo i pathyeshëm; dhe siç kemi parë gjetiu në rajon, ka shumë fuqi dhe forca të tjera, me qëllime më pak të mira, që janë të gatshme dhe të afta për të shfrytëzuar zhgënjimet popullore dhe për të zënë një vakum të krijuar nga mungesa e vëmendjes dhe angazhimit perëndimor”.

“Siç kemi parë gjetiu në Ballkanin Perëndimor, edhe udhëheqjet e frymëzuara vendëse vazhdojnë të kenë nevojë për mbështetjen dhe inkurajimin e lojtarëve kyç jashtë rajonit. Frika e regresit dhe prapakthimit është një arsye për më shumë angazhim. Sepse, çështja e Kosovës është një çështje që Perëndimi mund ta zgjidhë; dhe duke e zgjidhur atë, mund të arrijë një tjetër sukses, shumë më të nevojshëm; për rajonin, por edhe për sigurinë e krejt Evropës”.