Gashi: Sistemi i drejtësisë është i kapur nga politika

Gashi: Sistemi i drejtësisë është i kapur nga politika

Aktuale mars 15, 2019 - 17:36
Lexoni detajet

Për tre vjet asnjë zyrtar i profilit të lartë në Kosovë nuk është dënuar me burgim efektiv nga sistemi gjyqësor, ndonëse disa zyrtarë të lartë të shtetit janë gjykuar për “Korrupsion”. Kështu thonë monitoruesit e sistemit të drejtësisë në Kosovë, të cilët e kritikojnë këtë sistem se është i kapur nga politika, shkruan gazeta "Zëri". 

Avokati Tomë Gashi duke i komentuar ngecjet e sistemit të drejtësisë së Kosovës, të theksuara në raportin e Departamentit të Shtetit Amerikan, ka thënë për “Zërin” se ky sistem nuk do të përmirësohet pa ndërruar klasa politike në vend.

Kjo dëshmohet, sipas Gashit, me faktin se në krye të institucioneve kryesore kemi dhjetëra zyrtarë ndaj të cilëve ka aktakuza ose po hetohen për “Korrupsion”.

LEXO EDHE: LDK dhe LVV paralajmërojnë protesta për dialogun

“I kemi deri më tani së paku 5 zyrtarë të lartë që janë ministra ose zëvendëskryeministra që janë dënuar në shkallë të parë për vepra të llojllojshme penale dhe kemi një numër të zyrtarëve që janë të tillë, por ende i ushtrojnë funksionet e tyre duke e shfrytëzuar mangësinë ligjore, ku nuk kemi të përcaktuar me asnjë ligj se dikush që është nën hetime ose i shpallur fajtor për vepra të caktuara penale do të duhej detyrimisht ta lëshonte funksionin e vet”, ka thënë Gashi, duke theksuar se një gjë e tillë e pengon funksionimin e rregullt të shtetit.

Sipas Gashit, i tërë sistemi i drejtësisë në vend është i ngufatur nga persona të ndikueshëm politik, situatë e cila nuk mund të ndërrojë pa ndërruar edhe udhëheqësit e institucioneve dhe tërë klasa politike në vend.

Gashi vlerëson se tërë kjo gjendje mund të ndërrojë nëse ka vullnet nga ana e institucioneve vendore, mirëpo një gjë e tillë sipas tij mungon. Kurse duke e komentuar raportin e Departamentit të Shtetit, Gashi ka thënë se ky raport rithekson se sistemi i drejtësisë në vend është i kapur./ZERI