Serbia kushtëzon investimet me vota për Listën Serbe
Foto: Laura Hasani

Serbia kushtëzon investimet me vota për Listën Serbe

Aktuale April 16, 2019 - 07:55
Lexo Detajet
Image

Ndonëse asnjë subjekt politik ende nuk është certifikuar për zgjedhjet e 19 qershorit 2019 në komunat veriore të Kosovës, zyrtarët më të lartë të Listës Serbe kanë filluar me shantazhe dhe me metoda të frikësimit ndaj popullatës serbe, jo vetëm në veri të Kosovës, por edhe në mjediset tjera në vend, shkruan gazeta "Zëri".

Krerë të Listës Serbe ua kanë rekomanduar serbëve të veriut të Kosovës të votojnë për kandidatët e këtij subjekti politik për kryetar të komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, në të kundërtën, siç ka lënë për të kuptuar nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, Serbia do të heqë dorë nga investimet në veri dhe në pjesët tjera të Kosovës me popullatë serbe.

LEXO EDHE: Kosova “pushton” ekonomikisht Serbinë

Ende pa filluar fushata zgjedhore, e cila është planifikuar të zgjasë 5 ditë, krerë të Listës Serbe kanë paralajmëruar serbët se nëse nuk fitojnë ata, atëherë Serbia do t’i tërheqë investimet që ka ndarë për mjediset serbe në Kosovë.

Igor Simiq, nënkryetar i Listës Serbe, ka deklaruar se Serbia ka ndarë mbi 2.5 miliardë dinarë (rreth 227 milionë euro) për shumë projekte në mjediset me serbë në gjithë Kosovën. Ndonëse Simiq nuk ka sqaruar për shumën e mjeteve që qeveria e Serbisë, respektivisht Zyra Serbe për Kosovën, ka paralajmëruar për të investuar në Kosovë, por ishte thënë se vetëm për vendbanimin “Lugina e Diellit” Serbia ka ndarë 25 milionë euro, si dhe 13 milionë euro për ndërtimin e fabrikës për prodhimin e akumulatorëve në Zveçan. “Ajo çfarë është më e rrezikshme në këtë zgjedhje është se nëse eventualisht vjen deri te ndryshimi i forcave në terren, në këtë konstalacion vijnë ‘marionetat’ e Prishtinës, atëherë do të vijnë në pikëpyetje edhe investimet, të cilat shteti i Serbisë i ka siguruar bashkë me Zyrën për Kosovën për Kosovë”, ka tërhequr vërejtjen Simiq.

anën tjetër Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, ka ripërsëritur se arsyeja kryesore që Lista Serbe të dalë në zgjedhje për kryetarë të komunave veriore është që ta parandalojë qëllimin që “ndonjë shqiptar ose serb privat ta marrë pushtetin”, por edhe përpjekjen e Prishtinës dhe të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare që ta aneksojë pjesën veriore të Kosovës.

Në anën tjetër emërimi i Adriana Hoxhiqit ministre e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në vend të Todosijeviqit nuk ka ngjallur asnjë reagim të Listës Serbe e as të politikanëve serbë në veri sikurse në rastin e ministres së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Zhiviq, nga partia e Sllobodan Petroviqit. Reagime mbase nuk ka pasur, për shkak se Adriana Hoxhiq ka qenë për shumë kohë shefe e Zyrës Administrative të Kosovës në veri, por edhe prej fillimit të funksionimit të Komunës Veriore të Mitrovicës si shefe e Administratës Komunale. Por reagime ka pasur nga jugu. Të parat kanë reaguar gratë, ish-kandidatja e PDK-së për kryetare të Mitrovicës së Jugut, Valdete Idrizi, dhe ish-kandidatja e këtij subjekti politik për kryetare të Mitrovicës Veriore, Gonxhe Çaushi. Ato kanë përkujtuar se Hoxhiq ishte dora e djathtë e Goran Rakiqit dhe me punën e saj nuk ka lejuar kthimin e shqiptarëve në pronat dhe në banesat e tyre. E ndërkaq më i ashpër ka qenë Safet Kamberi, kryesues i Kuvendit të Mitrovicës së Jugut dhe njëherësh kryetar i LDK-së në Mitrovicë./ZERI/