Vendimi i Holandës për Shqipërinë krijon mjedis negativ edhe për Kosovën

Vendimi i Holandës për Shqipërinë krijon mjedis negativ edhe për Kosovën

Aktuale April 18, 2019 - 11:08
Lexo tjera detaje

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë përmendur muajin qershor të këtij viti si optimal për heqjen e vizave nga Bashkimi Evropian, por aktualisht nuk ka kurrfarë indikacioni se vizat do të hiqen, shkruan Gazeta "Zëri".

Demush Shasha, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), ka thënë se është krejtësisht e pamundur që vendimmarrja për vizat të ndodhë gjatë muajit qershor. Skenari më pozitiv i mundshëm do të ishte që të paktën të ketë vendimmarrje brenda 2019-s, në mënyrë që për vitin e ardhshëm të sigurohej lëvizja e lirë. Porse aktualisht, siç Shasha është shprehur, nuk ka sinjale pozitive në këtë drejtim.

“Çështja është se momentalisht nuk jemi duke parë asnjë sinjal nga Këshilli i BE-së, respektivisht nga vendet anëtare që ato janë të gatshme ta vazhdojnë pjesën procedurale të vendimmarrjes brenda institucioneve të BE-së. Me fjalë të tjera qe 4-5 muaj Këshilli i BE-së ka vendosur të mos procedojë tutje me liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka potencuar ai.

Më tej Shasha ka konsideruar se kërkesa e parlamentit të Holandës që të pezullohen vizat për Shqipërinë është një lëvizje, e cila e vështirëson gjithë kontekstin e liberalizimit të vizave për Ballkanin Perëndimor, fatkeqësisht edhe për Kosovën. “Prandaj edhe ky zhvillim i djeshëm, edhe pse jo direkt i lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, krijon një mjedis negativ i cili nuk shkon në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka potencuar ai./ZËRI