Reforma në punësimin e femrave në Kosovë

Reforma në punësimin e femrave në Kosovë

Aktuale April 22, 2019 - 21:48
Lexoni më shumë detaje

Mimoza Kqiku, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ka thënë se ky institucion shtetëror ka bërë reforma sa i përket punësimit të femrave në Kosovë.

Kqiku, në emisionin “Përballje” në RTV Dukagjini, ka thënë se tashmë Ministria ka dalë me një projektligj të veçantë sa u përket lehonave dhe pushimit prindëror.

“Jemi të vetëdijshëm se shtatzënat dhe lehonat e kanë pësuar më së shumti dhe kanë qenë më të diskriminuara sa i përket tregut të punës”, tha Kqiku.

Ajo ka thënë se Projektligji për lehonat dhe pushimin prindëror do të sillet shumë shpejt në Kuvend për miratim.

“Kemi përcaktuar që për pushimin e lehonisë, tre muajt e parë do të paguhen 70% të pagës bazë nga biznesi ndërsa gjashtë muajt tjerë të paguhen nga shteti në mënyrë që të lehtësohen bizneset”.

Kqiku ka thënë se risi e projektligjit të ri është edhe pagesa e lehonave që nuk janë të punësuara, dhe sipas saj kjo po bëhet për shkak të rënies së natalitetit në Kosovë.

Përfaqësuesja nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ka inkurajuar femrat që të regjistrohen në qendrat e punësimit, në mënyrë që të përfitojnë aftësime profesionale që u mundëson shteti e më pas të hapin biznese.

“Ne shpesh përballemi me ankesa nga bizneset se nuk po munden të gjejnë kuadro që atyre u duhet. Ne kemi mbyllur vitin e kaluar me 14,000 vende pune të paplotësuara në Kosovë”, tha ndër të tjera Mimoza Kqiku.