Shtohet edhe ndërrimi i tretë, reduktohet lista e pritjes për rezonancë magnetike në QKUK

Shtohet edhe ndërrimi i tretë, reduktohet lista e pritjes për rezonancë magnetike në QKUK

Aktuale April 22, 2019 - 23:30
Lexo Detajet

Klinika e Radiologjisë në QKUK ka vite që ballafaqohet mungesë të aparaturës dhe listë të gjatë të pritjes në veçanti për rezonancë magnetike.

Mirëpo drejtori i kësaj klinike Bujar Gjikolli, thotë se lista e pritjes për rezonancë magnetike është reduktuar dukshëm muajt e fundit pas shtimit të orarit të punës dhe aktivizimit të ndërrimit të tret në këtë klinikë.

“Kemi aktivizuar edhe ndërrimin e tretë, ku tashmë ftojmë më shumë edhe 39 pacientë dhe u kryejmë shërbimin. Kemi arritur ta zbresim listën e pritjes nga një vjet në një muaj”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Bujar Gjikolli.

Gjikolli, thotë se edhe prishja dhe vonesat në servisimin e pajisjeve kanë qenë një faktor ndikues për lista të gjatë të pritjes që ka vështirësuar punën në këtë repart.

“Për të kryer shërbime na nevojitet funksionimi i aparaturës. Aparatura është e njëjtë por funksionimi është më i mirë. Si rezultat i këtyre të arriturave është mirëmbajtja e aparaturës që e bëjnë operatorët ekonomik. Më herët çdo prishje ka rezultuar me ndreqjen e saj”, deklaroi më tej Bujar Gjikolli.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiu thotë se është blerë edhe rezonanca e dytë magnetike, e cila pritet që shumë shpejt të funksionalizimet.

“Sa i përket pajisjeve tashmë janë blerë. Ka pas pajisje që nuk i kemi pasur dhe tashmë janë blerë. Nëse flasim për rezonancën magnetike, ka pasur vetëm një në Kosovë tash është blerë edhe e dyta…Jemi duke u funksionalizuar në të gjitha anët”, deklaroi Basri Sejdiu.

Lista e pritjes për rezonancë magnetike në QKUK në vitin e kaluar ishte më shumë se një vit.