Kërcënimet e Listës Serbe para zgjedhjeve në veri
Foto: Laura Hasani

Kërcënimet e Listës Serbe para zgjedhjeve në veri

Aktuale maj 16, 2019 - 08:03
Lexo tjera detaje
Image

Këtë të diel (19 maj) pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës, ku do të garojnë tri parti politike, PDK-ja, LVV-ja dhe Lista Serbe. Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë deklaruar tashmë se në rast fitoreje do të veprojnë në përputhje me politikat e Beogradit, rrjedhimisht kundër interesave të Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta "Zëri".

Kanë mbetur vetëm edhe tri ditë deri te mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut. Por zyrtarët e Listës Serbe nuk po reshtin së kërcënuari institucionet e Republikës së Kosovës se do të vazhdojnë t’i zbatojnë politikat e Beogradit. Madje qysh para se të certifikoheshin për pjesëmarrje në zgjedhje kandidatët e LS-së për kryetarë të komunave kanë paralajmëruar dorëheqje të sërishme nga pozitat e kryetarëve, në rast fitoreje në këto zgjedhje. Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Adriana Hoxhiq, është shprehur optimiste se zgjedhjet e 19 majit do të kalojnë pa ndonjë problem dhe se personat që do të zgjidhen në krye të katër komunave nuk do t’i lëshojnë postet e tyre. Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se Lista Serbe do të vazhdojë ta shantazhojë dhe ta sabotojë shtetin e Kosovës. Sipas tyre, zgjedhjet e së dielës janë vetëm një farsë dhe shpenzim i kotë i buxhetit, pasi LS-ja do të vazhdojë të jetë instrument i Beogradit. Por përfaqësuesit e koalicionit qeverisës kanë thënë se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme që kandidatët të cilët do të triumfojnë në këto zgjedhje t’i respektojnë ligjet dhe shtetin e Kosovës.

Konsultat e vazhdueshme të Listës Serbe me Beogradin

Ndonëse për shkak të gjuhës së përdorur dhe veprimeve kundër shtetit të Kosovës pati vështirësi për t’u certifikuar, Lista Serbe po vazhdon të mbetet e pandryshuar sa u përket deklarimeve kundër interesit të Kosovës.

i Listës Serbe për Mitrovicën e Veriut, Goran Rakiq, para pak ditësh u takua me Petar Petkoviq, ndihmësdrejtor i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, me ç’rast paralajmëruan se të gjitha projektet e iniciuara nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të vazhdojnë të zbatohen edhe pas zgjedhjeve të 19 majit. Gjithashtu Petkoviq dhe Rakiq konsideruan se fitorja e Listës Serbe në veri është e pashmangshme. Katër ish-kryetarët e komunave veriore, që vinin nga Lista Serbe, patën dhënë dorëheqje për shkak të vendosjes së taksës ndaj produkteve serbe. Megjithëkëtë, tre prej të dorëhequrve do të garojnë sërish në zgjedhjet e së dielës. Pak pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme zyrtarët e Listës Serbe patën shkuar në Beograd për t’u konsultuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sa i përkiste pjesëmarrjes ose jo në këto zgjedhje. Konsulta të tilla me Beogradin zyrtar LS-ja ka bërë në vazhdimësi tash e disa vite.

Hoxhiq: Shpresoj që procesi zgjedhor të kalojë pa probleme

Pavarësisht paralajmërimeve dhe kërcënimeve të Listës Serbe se do të veprojnë kundër rendit kushtetues në Kosovë, Adriana Hoxhiq, ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), është shprehur optimiste se procesi i zgjedhjeve në veri do të shkojë në mënyrë të rregullt. “Sa i përket procesit zgjedhor në veri të Kosovës, unë shpresoj që do të kalojë pa ndonjë problem dhe duke i respektuar ligjet e Kosovës. Shpresoj se do të kemi zgjedhje të atilla ku procesi do të kalojë me përkrahjen e të gjitha institucioneve tona në nivelin demokratik”, ka deklaruar ajo për “Zërin”. Sa u takon paralajmërimeve të zyrtarëve të LS-së se do të dorëhiqen sërish në rast se zgjidhen në krye të komunave, Hoxhiq ka thënë se mbetet me shpresë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. “Unë me të vërtetë shpresoj fuqimisht që nuk do të ndodhë edhe një situatë e tillë, ku kryetarët e komunave do të japin dorëheqje”, ka potencuar ish-zyrtarja ekzekutive në administratën e Komunës së Mitrovicës Veriore.

Ndërkaq Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, partisë që drejton kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria do të ndërmarrë veprimet e nevojshme që kandidatët të cilët do të fitojnë në zgjedhje ta respektojnë rendin kushtetues dhe ligjor në Kosovë. Sipas tij, nuk duhet lejuar që ata të cilët zgjidhen në krye të komunave të bëhen vegla të Beogradit.

Lista Serbe, e vetmja parti serbe në zgjedhjet e 19 majit

Fatmir Sheholli, drejtor ekzekutiv i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike (IAMN), ka thënë se për herë të parë në historinë e pasluftës në Kosovë po ndodh që vetëm një subjekt politik serb të garojë në zgjedhjet lokale në veri.

Kjo sipas tij është antidemokratike, anticivilizuese dhe e kthen Kosovën në kohën e një shteti njëpartiak, që sipas tij është për t’u çuditur. Subjektet e tjera serbe sipas Shehollit kanë zgjedhur të mos garojnë në zgjedhje për shkak të frikës që është kultivuar ndaj tyre.

“Kjo nuk ka të bëjë me demokratizimin e asaj pjese, por është çështja e frikës që të gjitha subjektet politike tjera serbe ose edhe të individëve të pavarur në veri nuk guxojnë të kandidojnë për kryetarë. Kjo tregon se është ndezur drita e kuqe dhe duhet ta kuptojmë që nuk është në rregull diçka”, ka theksuar ai gjatë një bisede për gazetën.

Deklarimet e Listës Serbe se kandidatët e tyre do të dorëhiqen, në rast fitoreje dhe se do t’i zbatojnë politikat e Beogradit, sipas Shehollit, janë antiligjore. “Shteti duhet të veprojë në këtë aspekt. Është kundërligjore, kundërkushtetuese nëse njerëzit thonë në territor të një shteti se ne do të veprojnë në bazë të parimeve të një shteti tjetër. Kjo është kundërkushtetuese”, ka potencuar ai.

LS-ja, instrument i Beogradit

Teksa ka folur rreth Listës Serbe, deputetja e LVV-së Albulena Haxhiu ka thënë se Vetëvendosja ka kundërshtuar certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe qysh në fillim.

“Kemi kundërshtuar zëshëm dhe nuk kemi lejuar që të certifikohen njerëz të cilët nuk e pranojnë Republikën e Kosovës, madje publikisht deklarojnë që do ta luftojnë atë. Dihet që Lista Serbe është dirigjuar në vazhdimësi nga Beogradi dhe vazhdon të dirigjohet dhe të ndjekë politikat hegjemoniste dhe shoviniste të Vuçiqit”, ka deklaruar ajo. Në një vend tjetër sipas deputetes së LVV-së nuk do të ishte e pranueshme një parti e tillë politike. “Për një vend normal do të ishte e papranueshme të kemi një subjekt të tillë politik që nuk e pranon Republikan e Kosovës dhe e lufton atë. Pa dyshim se ne jemi të bindur që ata do të vazhdojnë ta luftojnë aktivisht Republikën e Kosovës edhe pavarësisht çfarëdo qasjeje nga Republika e Kosovës”, ka potencuar ajo.

Ndërkaq njohësi i çështjeve politike Haki Abazi ka vlerësuar se Lista Serbe dhe veriu është “Thembra e Akilit” për pushtetin e tanishëm në Kosovë. Ky subjekt politik sipas tij është instrument i zgjatur i politikës së Beogradit. “Beogradi ka arritur që Listën Serbe ta instalojë si instrument të vetin, me të cilin saboton kushtetutshmërinë dhe sovranitetin e integritetin territorial. Kjo është shumë e pritur nga ana e serbëve, që do të vazhdojnë ta sabotojnë dhe ta shantazhojnë shtetin e Kosovës në veri, do të thotë se zgjedhjet janë farsë dhe shpenzim i kotë i buxhetit”, ka potencuar ai.

Sipas Abazit, dy institucionet e Kosovës, Presidenca e Qeveria, kanë vënë raporte jashtëinstitucionale me veriun e vendit. Ndaj kjo situatë sipas Abazit zgjidhet vetëm atëherë kur Serbia përjashtohet nga forma direkte e influencës në Kosovë dhe lejohet kthimi i shqiptarëve në veri. Ndryshe zgjidhje sipas tij nuk do të ketë pavarësisht organizimit të zgjedhjeve./ZËRI