Zgjedhjet në BE do ta pengojnë dialogun dhe liberalizimin
Foto: Laura Hasani

Zgjedhjet në BE do ta pengojnë dialogun dhe liberalizimin

Aktuale maj 16, 2019 - 08:08
Lexo tjera detaje
Image

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian, të cilat do të mbahen më 23 deri më 26 maj, pritet që ta zvarrisin procesin e heqjes së vizave dhe atë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas njohësve të çështjeve ndërkombëtare dhe integruese, për shkak të përbërjes së re në Bashkimin Evropian fokusi për heqjen e vizave do të bjerë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ata vlerësojnë se heqja e vizave për kosovarët nuk do të jetë në agjendë të BE-së të paktën deri në fund të këtij viti.

Mirëpo të njëjtën gjë nuk e thotë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili shprehet i bindur se liberalizimi do të ndodhë sivjet. Për këtë gjë kryeministri thotë se e ka përkrahjen edhe të shtetit gjerman dhe se pret që atë ta miratojë edhe Finlanda, shtet ky që në qershor do të marrë kryesimin e Presidencës së BE-së.

“Kam ritheksuar se duhet të përshpejtohet hyrja në agjendë të BE-së çështja e liberalizimit të vizave, si një proces i pakthyeshëm, i merituar dhe i drejtë. Me qëndrimin e qartë të Gjermanisë jemi të bindur se edhe Finlanda do të jetë në krah të vendit tonë për ta përmbyllur këtë proces në afat optimal”, ka theksuar Haradinaj të mërkurën. Mirëpo zgjedhjet në BE përveç ndikimit në liberalizimin e vizave do ta influencojnë edhe procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për shkak të përfundimit të mandatit të përfaqësues së lartë Frederica Mogherinit, e cila deri më tani e ka ndërmjetësuar këtë proces.

Shasha: Deri në fundvit s’ka fokus të BE-së për heqjen e vizave

Demush Shasha, nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), duke folur për “Zërin” ka përmendur disa elemente se si zgjedhjet në Bashkimin Evropian do të ndikojnë në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ai theksoi se deri më 1 nëntor nuk do të ketë fokus të BE-së në heqjen e vizave. “Zgjedhjet patjetër që do ta shtyjnë të gjithë kalendarin e vendimmarrjes sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave së paku deri më një nëntor. Ato do të shkaktojnë një preokupim me konstituimin e institucioneve të reja, ku pas përbërjes së Parlamentit Evropian vëmendja do të jetë edhe në përzgjedhjen e presidentit dhe anëtarëve të Komisionit Evropian. Synimi është që deri më 1 nëntor të përfundojë ky proces dhe deri atëherë nuk mund të pritet ndonjë fokus i institucioneve të BE-së sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka deklaruar Shasha.

Më tutje ai ka thënë se liberalizimi nuk mund të jetë peng i funksionimit ose jo të Parlamentit Evropian, por të vullnetit të shteteve anëtare për ta votuar këtë proces, duke përmendur që deri më tani BE-ja ka pasur përbërje të plotë, por Kosova nuk ka progresuar në këtë proces. “Nuk është çështja te Parlamenti Evropian, çështja është te mungesa e vullnetit të vendeve anëtare që të vazhdojnë më tutje me procesin vendimmarrës për heqjen e vizave për Kosovën, pasi që disa shtete siç është Franca dhe Holanda nuk mendojnë që Kosova ka shënuar progres në luftë kundër korrupsionit në nivelin e lartë”, ka potencuar ai.

Shasha shtoi se po vërehet që rezultati i zgjedhjeve do të shkojë në drejtim të rritjes së krahut të partive nacionaliste që nuk përkrahin aq shumë çështjen e liberalizimit të vizave, duke e shtuar këtë si element të tretë që largon fokusin e BE-së ndaj heqjes së vizave për Kosovën.

Fetoshi: Samiti i Parisit, shpresa për ndryshim

Profesori universitar Arben Fetoshi ka konsideruar se zgjedhjet për Parlament Evropian, që do të mbahen gjatë këtij muaji, do të jenë tregues i rëndësishëm për drejtimin që do ta marrë unioni i BE-së në të ardhmen.

Ndonëse rezultati i këtyre zgjedhjeve, rrjedhimisht konstrukti i ri i Bashkimit Evropian, mund të ketë ndikim në dinamikën e zgjerimit, Fetoshi thotë se një gjë e tillë nuk do të ndikojë drejtpërdrejt në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Sipas tij, vendimi për liberalizimin është kthyer në instrument presioni për shumë procese të rëndësishme në Kosovë nga ana e BE-së, porse pas zgjedhjeve dialogu do të mundë të vazhdojë dhe liberalizimi të futet në agjendën e Këshillit të Ministrave. “Samiti i Parisit mund të sjellë ndryshime. E para, për shkak se mbahet pas procesit zgjedhor në BE dhe, e dyta, për shkak të nevojës imediate që të zhbllokohet dialogu. Nëse përpjekjet evropiane do të jenë të vendosura për arritjen e marrëveshjes Prishtinë - Beograd dhe nëse rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian s’do të jenë dramatike, siç edhe pritet, vendimi për liberalizimin e vizave mund të futet në agjendë dhe nuk e shoh me rëndësi përcaktuese faktin se kush do ta ketë Presidencën e radhës të Këshillit”, ka thënë Fetoshi.

Mirëpo sa i përket çështjes së vizave Fetoshi theksoi se janë disa detaje që mund të ndikojnë në këtë proces, si luftimi i korrupsionit, por edhe dinamika e punës së Gjykatës Speciale. Sipas tij, edhe tarifa ndaj produkteve serbe mund të jetë determinuese për rrjedhën e dialogut dhe për vizat. “Në qoftë se hezitimi i BE-së për vizat është ndërlidhur me tarifën dhe me dialogun gjendja mund të ndryshojë në pjesën e dytë të vitit, por nëse pozicionet në dialog vazhdojnë të mbeten të ngurta, atëherë vendimi i BE-së mund të përdoret për ta shtuar presionin e brendshëm, ose do të varet nga zhvillime të tjera siç do të ishte shpallja e aktakuzave nga Gjykata Speciale”, ka thënë Fetoshi.

Haxholli: Qasja e institucioneve të reja të BE-së do të ndikojë në dialog

Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për “Zërin” se nëse qasja e institucioneve të reja të BE-së do të ketë dallim nga ato parapraket sa i përket zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, kjo do të ndikonte në uljen e vullnetit të Serbisë dhe Kosovës për të arritur një marrëveshje përfundimtare. “Nëse institucionet e reja nuk kanë interes që vendet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen BE-së në një të ardhme të afërt, kjo mund të ndikojë në procesin e dialogut në atë mënyrë që kur Kosova dhe Serbia nuk shohin që kanë ndonjë të ardhme të afërt në Bashkimin Evropian, atëherë interesimi i tyre për të zbatuar marrëveshjet e dialogut dhe për të arritur marrëveshjen finale do të jetë më i vogël. Sepse arritja e marrëveshjes finale, por edhe zbatimi i marrëveshjes së dialogut bëhet për shkak të incentivës”, ka theksuar Haxholli.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se është herët të flitet për ndikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe për atë se kush do ta marrë në dorë dialogun me Serbinë, mirëpo Haxholli shtoi se aktualisht Franca dhe Gjermania nuk janë ato që po udhëheqin me këtë proces, por po e ndihmojnë ndërmjetësuesen Mogherini. “Aktivizimi i Gjermanisë dhe i Francës në procesin e dialogut është më shumë një lloj asistence që këto dy shtete po ia japin përfaqësueses për Politikë të Jashtme Frederica Mogherinit, pra nuk janë duke e zëvendësuar shefen e Politikës së Jashtme si ndërmjetësuese, më shumë janë duke i ndihmuar asaj që ndërmjetësimi në dialog të jetë më efektiv. Megjithatë është një përpjekje pozitive që të ndikojnë që Kosova me Serbinë të arrijnë një marrëveshje finale”, ka thënë Haxholli./ZËRI