Drejtësia e Kosovës duhet kohë që t'i arrijë standardet e duhura
Foto: Laura Hasani

Drejtësia e Kosovës duhet kohë që t'i arrijë standardet e duhura

Aktuale maj 16, 2019 - 11:44
Lexo tjera detaje

Drejtësia e Kosovës nuk është në nivelin e duhur dhe duhet kohë që t'i arrijë standardet që kërkohen nga Bashkimi Evropian.

Kështu u konstatua sot në takimin përmbyllës të projektit të binjakëzimit të BE-së “Fuqizimi i formulimit të politikave dhe hartimit të legjislacionit” nga zëvendës-shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, raporton zeri.info.

"Gjyqësori duhet të përmbushë misionet për efikasitet e cilësi. Drejtësia është prioritet për ne por po ashtu është edhe çështje komplekse. Duhet kohë që ajo t'i arrijë standardet që kërkohen. Kemi investuar mbi 190 milionë euro dhe planifikojmë të investojmë edhe më shumë", deklaroi ai.

Serri përmendi të arriturat e projektit teksa foli edhe për një projekt tjetër të ardhshëm.

"Projekti ka arritur rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit. Është i vetmi vend që nuk ka strategji të tillë dhe ky projekt ka ndihmuar. Komunikimi, marrëdhënia publike etj janë të arritura të tjera. Në vitin e ardhshëm zyra e BE-së do ta lansojë një projekt që do të vije me tipare të reja dhe më të mira dhe me një zbatim më fleksibil. Për këtë kemi alokuar 17 milionë euro. BE-ja mbetet e përkushtuar ta ndihmojë Kosovën për një drejtësi të standardeve të BE-së", shtoi ai, përcjell zeri.info.

Kurse ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri po ashtu vlerësoi projektin ndërsa shprehu gatishmërinë që legjislacioni i Kosovës të jetë në linjë me atë të BE-së.

"Ka qenë një mbështetje shumë e rëndësishme në përkrahja e këtyre ekspertëve për pako të ndryshme të ligjeve. Ne angazhohemi që legjislacioni jonë të jetë në linjë të plotë me legjislacionin e BE-së. Jam shumë i bindur që edhe në të ardhmen do të punojmë bashkë për fuqizimin e sundimit të ligjit", theksoi Tahiri.

Ndërsa ambasadori gjerman, Christian Heldt nënvizoi nevojën që krahas ligjeve të mira, të ketë edhe zbatim të mirë.

"Ligji është si struktura metalike në një objekt. Nëse është i mirë e mban objektin, nëse jo duhet të ndryshohet. Është mirë të kemi ligje të mira, por edhe të kemi zbatim të mirë të ligjeve. Mund të them në emër të qeverisë gjermane jemi të gatshëm ta vazhdojmë këtë rrugëtim. Do të vazhdojmë të punojmë bashkë për sistemin e drejtësisë" tha Heldt.

Nga ekspertët në projekt u prezantuan të arriturat kryesore./ZERI