Brovina: Deputetët s’kanë të drejtë të më sulmojnë, s’do të ndalem deri në vdekje
FOTO: Laura Hasani

Brovina: Deputetët s’kanë të drejtë të më sulmojnë, s’do të ndalem deri në vdekje

Aktuale maj 16, 2019 - 18:20
Lexoni detajet

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina ka folur sërish pas reagimeve që u bënë ndaj saj pas publikimit të fotografisë së një gruaje kosovare që po dhunohej nga kriminelët serbë.

Brovina në Info Magazine në Klan Kosova ka thënë se ajo është e hapur për bashkëpunim me secilin, andaj nuk e kupton se disa organizata po e shmangin atë.

Tutje, ajo ka thënë se nuk do të ndalet sa të është gjallë ajo dhe gratë që kanë pësuar nga lufta e fundit në Kosovë.

“Në Kuvend më parë s’kam folur për këto raste. As nuk i kam shfrytëzuar. Sot e bëra, por unë kam kontaktuar edhe me Hagën. Ato që unë i kam pasur kanë dëshmuar në Hagë. Njëra nga to e ka krejt trupin kryqe, kryqe. Një grua 50 vjeçare që është dhunuar nga fqinji i vetë ka dëshmuar në media. Ai është dënuar dy vjet, i ka mbajtur vetëm dy muaj burg, e ajo grua ka vdekur. Do t’i deponojë dëshmitë e mia te organet e drejtësisë. Pas dhunimit, shihej edhe eksponimi i brusave të grave, që i kemi gjetur në një video kasetë. Kjo është e dhimbshme edhe për të thënë. Gazetarët amerikanë më kanë thënë që rusët kanë vepruar kështu në Çeçeni. Në vendin e njëjtë ku ishte gjetur ajo kasetë, një grua më pati thënë që burrat folshin gjuhën ruse”, ka thënë Brovina.

Tutje ajo ka thënë se Parlamenti akoma ka shumë punë për këto çështje, andaj demokracia duhet lënë për më vonë.

“S’do të ndalem as për këto gra, derisa të jem gjallë unë e këto gra. Ato kanë nevojë për trajtim mjekësor. Kemi pas kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë që barnat t’i kenë pa pagesë, dhe trajtimi në QKUK, qoftë edhe në neuropsikiatri të bëhet pa pagesë. Këto gra kanë nevojë për inkuadrim në shoqëri, të punojnë diçka. Kemi shumë punë si parlament, demokracinë ta lëmë për më vonë. S’po e kuptoj pse po ndodh kjo përçarje, a po duam ta dëshmojmë gjenocidin a jo. Askush në Kuvend s’ka të drejtë të më sulmojë mua. Që nga fillimi kam qenë kundër Gjykatës Speciale. Pata votuar kundër kësaj gjykate”, ka thënë Brovina.