Mirëpriten sanksionet e Amerikës për të korruptuarit
Foto: Laura Hasani

Mirëpriten sanksionet e Amerikës për të korruptuarit

Aktuale May 18, 2019 - 07:50
Lexo tjera detaje
Image
Image

Qeveria e Kosovës po vazhdon të qëndrojë e heshtur kundrejt thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare për largim nga pozita të zyrtarëve të lartë ndaj të cilëve ka të ngritura aktakuza. Zyrtarët qeveritarë nuk i kanë komentuar as sanksionet që Ambasada e SHBA-së i ka vendosur kundrejt këtyre personave. Analistët politikë në vend thonë se edhe ambasadat tjera duhet të veprojnë njësoj, duke izoluar tërësisht politikanët e korruptuar, shkruan Gazeta "Zëri".


Pas shpërfilljeve të qeverisë “Haradinaj” ndaj thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare për largim nga pozitat e larta zyrtare të individëve të dënuar për krime lufte, nën aktakuzë aktive për krime të rënda dhe të dyshuar për keqpërdorim të rëndë të pozitës zyrtare, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka marrë një tjetër veprim. Të enjten kjo ambasadë ka vendosur që këta persona, të cilët janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit, të mos marrin viza për të udhëtuar në Amerikë. Ambasada ka përmendur individët e përfshirë në rastet “Pronto”, rastin e vizave italiane, ikjen nga burgu i Dubravës, rastin “Toka” dhe “Apex”-in, si dhe në raste të tjera të ngjashme.

Ambasada Amerikane në Prishtinë ka theksuar se qytetarët e Kosovës meritojnë një sistem drejtësie që mban individët përgjegjës për veprimet e tyre korruptuese. “Lidhur me këtë Ambasada e SHBA-së është duke ndërmarrë hapa për të siguruar që individëve të cilët janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit të mos u lëshohen vizat për udhëtim në Shtetet e Bashkuara për biznes ose turizëm”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ambasada. Mirëpo edhe këtë vendim të Ambasadës Qeveria e Kosovës ka vendosur ta shpërfillë. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, për “Zërin” ka deklaruar se Qeveria nuk i komenton veprimet e tilla, pasi që janë politikë e vet shteteve përkatëse. “Ky është një vendim i Ambasadës Amerikane dhe nuk i komentojmë vendimet e tilla, sepse kanë të bëjnë me autoritetin shtetëror të SHBA-së. Është vendim i tyre dhe nuk kemi çka të komentojmë”, ka thënë shkurt ai.
Ndonëse e konsiderojnë të vonuar, përfaqësues të partive opozitare, si dhe njohës të sistemit të drejtësisë e kanë mirëpritur këtë vendim, madje kanë theksuar se të njëjtën gjë do të duhej ta bënin të gjitha ambasadat e tjera në Kosovë.

Beqa: Të largohen nga detyra zyrtarët e lartë me aktakuza

Ndryshe nga zyrtarë të AAK-së, partneri tjetër i koalicionit, PDK-ja, vlerëson se thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për largim nga detyra të zyrtarëve të lartë që kanë aktakuza janë pozitive.

Deputeti i kësaj partie, Hajdar Beqa, për “Zërin” ditë më parë ka deklaruar që i mirëpret thirrjet e Ambasadës së SHBA-së për shkarkim të personave që kanë aktakuza dhe pret që këta persona të lirohen nga pozita derisa të ketë vendim nga Gjykata. “Qëndrimi i PDK-së është që pavarësisht legjislacionit në fuqi, respektivisht Kushtetutës së vendit, ku në kuadër të prezumimit të pafajësisë çdo person i akuzuar është i pafajshëm deri të merret një vendim i formës së prerë nga gjykata, konsideroj se për shkak të proceseve nëpër të cilat është duke kaluar Kosova është mirë që gjithë ata ndaj të cilëve ka aktakuza të ngritura, pavarësisht përkatësisë politike që kanë, t’i lirojnë vendet e punës deri te një vendim në Gjykatë”, ka theksuar ai.

Kusari: SHBA-ja duhet të distancohet nga politikanët me aktakuza

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, duke folur për “Zërin” është shprehur se vendimi i Ambasadës Amerikane në Kosovë është i drejtë, mirëpo ajo thekson se përveç kësaj Ambasada duhet të distancohet nga zyrtarët dhe politikanët që kanë aktakuza. “Kjo si masë e vetme nuk është e mjaftueshme, mendoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të distancohen edhe nga të njëjtit politikëbërës në Kosovë në raport të bashkëpunimit, për shkak se përderisa dje u bë publik ky lajm, kemi ministrin Besim Beqaj që është me aktakuzë dhe që gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duhet të ketë një konsistencë në politikëbërje, por edhe presion të drejtpërdrejtë në kuptimin pozitiv në të gjitha organet në Kosovë që rendi dhe ligji të funksionojnë”, ka thënë ajo.

Sipas deputetes opozitare, Qeveria aktuale nuk mund të gjejë zgjidhje për këtë çështje, sepse qeveritarët brengosen vetëm për përfitime, përderisa përgjegjësitë nuk i marrin fare seriozisht. “E vetmja zgjidhje nuk qëndron më në duart e kësaj qeverie, por qëndron tek opozita dhe te të gjitha forcat tjera, të cilat duhet sa më parë ta rrëzojnë këtë qeveri dhe ta pamundësojnë keqpërdorimin e shtetit e të parasë publike në masë enorme. Kësaj qeverie duket qartë që më nuk i bën përshtypje asnjë deklaratë dhe asnjë sanksion i asnjë institucioni tjetër për sa kohë kanë qasje në buxhet dhe përfitime që ua ofron qeverisja”, ka deklaruar ajo.

Në anën tjetër deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu, duke folur për krimin e organizuar dhe korrupsionin e profilit të lartë, ka theksuar se Qeveria aktuale, por edhe qeveritë në të kaluarën nuk kanë vullnet të luftojnë këtë dukuri, madje ata po kontribuojnë që korrupsioni të rritet edhe më tej.
 

Murati: Edhe ambasadat tjera të veprojnë si ajo e SHBA-së
 

Analisti politik nga KDI-ja, Artan Murati, për “Zërin” ka thënë se e mirëpret vendimin e Ambasadës së SHBA-së, mirëpo sipas tij njësoj do të duhej të veprojnë edhe ambasadat e shteteve të tjera në Kosovë. “Ky është një vendim i mirëseardhur, sepse ne e kemi parë që nuk ka seriozitet në luftim të korrupsionit prej institucioneve kosovare dhe zakonisht këta zyrtarë politikë që janë përfshirë në afera korruptive kanë gëzuar njëfarë mbrojtje politike, që në fund të ditës as drejtësia nuk ka funksionuar për ta dhe rrjedhimisht duhet të gjendet një mënyrë alternative se si t’i ndëshkojmë. Shpresoj që kjo të ketë një domino-efekt edhe të ambasadave tjera, sepse është shumë joserioze që pasojat e korrupsionit t’i vuajnë qytetarët e thjeshtë”, ka theksuar Murati.

Ai është shprehur se aktualisht në Kosovë nuk ka seriozitet në luftimin e krimit dhe të korrupsionit në nivel të lartë. “Të gjithë personat që janë nën hetime ose kanë afera korruptive më e pakta që duhet të bëjnë është të dorëhiqen nëse nuk shkarkohen prej eprorëve të tyre. Mirëpo nuk ka seriozitet në luftimin e korrupsionit prej institucioneve, sepse po të kishte këta persona as që do të duhej t’u afroheshin institucioneve dhe pozitave publike e rrjedhimisht as ambasadat nuk do të kishin nevojë të ndërmerrnin hapa të tillë”, ka deklaruar ai.

Musliu: Asnjë zyrtar i nivelit të lartë nuk është dënuar me burgim efektiv

Betim Musliu, nga IKD-ja, ka theksuar se deri më tani në Kosovë asnjë zyrtar i profilit të lartë nuk është dënuar me asnjë ditë burg efektiv për vepra penale të korrupsionit. “Deri më tash nuk kemi asnjë profil të lartë i cili është i dënuar qoftë edhe një ditë me burgim efektiv për shkak të ndonjërës prej veprave penale të korrupsionit. Kjo e dëshmon më së miri gjithë këtë luftë e cila proklamohet vazhdimisht e që është duke u bërë kundër korrupsionit në profil të lartë, nuk përfundon në asnjë rast me aktgjykim përfundimtar nga ana e gjykatave në Kosovë”, ka theksuar ai.

Ai ka thënë po ashtu se aktakuza të ngritura ndaj zyrtarëve në nivel të lartë ka, por ato ngrihen “sa për sy e faqe”. “Nuk është që nuk kemi pasur aktakuza të profilit të lartë, por problemi është si janë ngritur këto aktakuza dhe përmbajtja e tyre në çka është bazuar. Në bazë të hulumtimit dhe analizave tona rezulton që këto aktakuza kanë qenë të ngritura mbi bazën e agjendave partiake politike dhe mbi bazën e grupeve të ndryshme të interesit, të cilat sot u shërbejnë njerëzve të caktuar e që gjenden brenda sistemit të drejtësisë. Në fund të secilës aktakuzë del se ato me qëllim janë ngritur dobët, që në fund të rrëzohen në shkallë të ndryshme”, ka shtuar ai. Sipas Musliut, një pjesë e aktakuzave të ngritura janë bërë ndaj atyre zyrtarëve që në një rast të caktuar nuk janë treguar “të dëgjueshëm” ndaj partisë së tyre./ZËRI