Mashtrimi i madh me luftën në Siri
FOTO: Laura Hasani

Mashtrimi i madh me luftën në Siri

Aktuale maj 20, 2019 - 07:44
Gazeta “Zëri” sjell rrëfimet e disa grave kosovare, të cilat tregojnë se si kishin vendosur të shkojnë në zonat e konfliktit në Siri dhe në Irak, duke iu bashkëngjitur organizatave terroriste. Madje disa treguan se si burrat u kishin thënë se po shkojmë për pushime verore, ndërsa kishin përfunduar në luftë

Image

Image

 

Ishte bindur nga disa vajza për “të mirat” që e presin në Siri, por pasi shkoi atje u ballafaqua me realitetin e tmerrshëm. Një femër kosovare, e cila është pjesë e grupit të fundit të të kthyerve muajin e kaluar nga Siria në Kosovë, ishte rekrutuar para katër vjetëve nga disa vajza kosovare për t’iu bashkëngjitur organizatës terroriste ISIS. Atje shkoi si beqare dhe më pas u martua e lindi tre fëmijë brenda katër vjetëve, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kjo është historia e shkurtër e njërës prej grave që u kthye nga Siria, të cilën e bën të ditur avokatja e saj për gazetën “Zëri”.

LEXO EDHE: Përfaqësuesit e Preshevës: Bashkimi me Kosovën, e vetmja zgjidhje

“E mbrojtura ime ka shkuar në Siri si viktimë e disa vajzave, të cilat e kanë ftuar për të shkuar atje, duke i thënë se atje është jeta e mirë dhe se nuk ka nevojë të brengosesh absolut për asgjë, e sidomos për gjëra materiale. Ajo është mashtruar nga këto fjalë dhe ka shkuar. Kur ka shkuar atje gjendja faktike ka qenë krejtësisht ndryshe. Ka parë se është luftë, pastaj për shkak të luftës vazhdimisht ka ndërruar vendbanim. Është përpjekur të kthehet në Kosovë, por nuk ka mundur”, ka deklaruar për “Zërin” avokatja Marigona Shabani, duke shtuar se klientja e saj gjatë kohës sa ka qëndruar në Siri ka marrë edhe lëndime trupore, pasojat e të cilave vazhdon t’i vuajë edhe pas kthimit në shtëpi.

Më 20 prill 2019 nga Siria u kthyen 110 shtetas kosovarë, prej të cilëve 32 gra, 74 fëmijë dhe katër burra luftëtarë që kishin qenë pjesë e organizatave terroriste në Siri. Operacioni i kthimit të këtyre kosovarëve nga Siria u bë në bashkëpunim mes autoriteteve kosovare dhe atyre amerikane.

Nisi të ikë nga Siria, por u zbulua nga pjesëtarët e ISIS-it

Ndërsa një grua tjetër kosovare kishte shkuar në Siri në vitin 2014, pasi atje i kishte shkuar bashkëshorti i cili ndërkohë filloi t’i bëjë presion t’ia dërgojë fëmijët, siç thoshte, për t’ia filluar një jete të re atje.

Rita Matoshi, avokate e kësaj, thotë për “Zërin” se klientja e saj fillimisht e kishte kundërshtuar kërkesën e bashkëshortit.

“E gjithë kjo nisi me kërkesën që i është bërë nga burri i saj, i cili kishte qenë në Siri dhe ka kërkuar nga ajo ta mbështesë atë duke ia sjellë edhe fëmijët që të fillojnë një jetë të re atje. Një gjë të tillë së pari e mbrojtura ime e ka kundërshtuar e më pas ai ka kërkuar nga ajo t’ia dërgojë vetëm fëmijët dhe kështu ajo merr rrugën për në Siri qysh në vitin 2014”, ka thënë Matoshi për gazetën “Zëri”.

Ajo ka shtuar se klientja e saj ka tentuar disa herë të ikë nga Siria, por është kapur nga grupi terrorist ISIS, duke shtuar se për të ikur kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë edhe nga bashkështetasit e saj, të cilët nuk i ishin përgjigjur pozitivisht.

Lindja e fëmijëve në Siri

Prej vitit 2012 shtetasit e Kosovës nisën t’i bashkoheshin vatrave të luftës në Siri dhe në Irak dhe që prej atëherë në këto zona të konfliktit kanë shkuar rreth 300 kosovarë, të cilët i janë bashkuar organizatave të ndryshme terroriste.

Mediet ndërkombëtare disa herë kanë raportuar se për nga numri i banorëve Kosova ka “hisen” më të madhe me pjesëtarët e saj në organizatat terroriste.

Lideri i luftëtarëve shqiptarë në grupin paramilitar të ISIS-it, Lavdrim Muhaxheri, u vra para dy vjetëve. Atje u vranë edhe shumë pjesëtarë të tjerë shqiptarë të kësaj organizate terroriste.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, numri i kosovarëve të vrarë atje është 79, prej të cilëve 76 persona të gjinisë mashkullore, ndërsa një mashkull tjetër, një femër dhe një fëmijë i lindur në zonën e konfliktit raportohet të kenë vdekur nga shkaqet natyrore. Deri më tani nga këto zona lufte janë kthyer 38 gra dhe 78 fëmijë, por aktualisht atje vazhdojnë të mbesin edhe 49 gra dhe 8 fëmijë të tjerë. Sipas Policisë, gjatë qëndrimit në Siri kanë lindur 60 fëmijë, të cilët kanë së paku njërin prind me shtetësi ose me prejardhje nga Kosova. Ndërsa prej vitit 2013 në luftën kundër terrorizmit Policia e Kosovës ka arrestuar afër 200 persona.

Dënime deri në 9 vjet burgim për të kthyerit nga Siria

Personat që janë kthyer nga Siria po hetohen për “Pjesëmarrje në luftëra të huaja”. Prokurori Sylë Hoxha ka thënë për gazetën “Zëri” se për veprimet e tilla ata mund të marrin dënime deri në 9 vjet burg.

“Personat që janë kthyer nga Siria janë duke u hetuar për ‘Pjesëmarrje në luftëra të huaja dhe terrorizëm’. Kryesisht dënimet që mund t’i marrin këta persona të cilët kanë qenë pjesë e organizatave terroriste sillen prej 3 deri në 8 vjet dhe prej 5 deri në 9 vjet burg”, ka thënë Hoxha.

Burrat, por edhe gratë që janë kthyer nga Siria janë aktualisht në procedurë penale. Katër burrat po vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim, përderisa gratë aktualisht janë në arrest shtëpiak, i cili do të zgjasë një muaj derisa të merret një vendim tjetër, i cili do të varet nga hetimet që po i zhvillon Prokuroria.

QKSS: Gratë i ndiqnin urdhrat e burrave për të shkuar në Siri dhe në Irak

Shpat Balaj, hulumtues nga Qendra për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se nevojitet një vlerësim rreziku i të gjithë të kthyerve dhe trajtim efikas, sidomos i personave që kanë shkelur ligjet e Kosovës.

“Gjatë kësaj periudhe duhet të aktivizohen të gjitha programet e rehabilitimit dhe të riintegrimit në nivel institucional dhe joinstitucional. Efektiviteti i programeve të tilla është thelbësor jo vetëm në rehabilitimin dhe në riintegrimin e të kthyerve, por edhe për të zvogëluar rrezikun për radikalizim të mëtejshëm të të rinjve dhe në ndërtim të qëndrueshmërisë së komunitetit karshi ekstremizmit të dhunshëm”, ka thënë Balaj.

Sa i përket procesit të integrimit të tyre, Balaj ka thënë për “Zërin” se gjithëpërfshirja institucionale është më se e nevojshme, sidomos në rastin e fëmijëve.

“Riintegrimi i të kthyerve, me theks të veçantë të fëmijëve, kërkon një gjithëpërfshirje institucionale dhe jo vetëm. Nevojitet koordinim në mes të institucioneve”, ka deklaruar Blakaj.

Sipas një raporti të QKSS-së theksohet se relacionet e fuqisë ndërmjet gjinive në Kosovë si shoqëri kryesisht patriarkale ishin vendimtare për zhvendosjen e anëtarëve të familjes në arenën e luftës të “Shtetit Islamik”. Sipas këtij raporti, në shumicën e rasteve gratë dhe fëmijët patën trysni nga një anëtar i lartë i familjes, shpesh burri dhe babai, për të udhëtuar në territorin e “Shtetit Islamik”. Gratë zakonisht i ndiqnin urdhrat e burrave për të udhëtuar në Siri e në Irak.

Fundi i ISIS-it, por ka rrezik nga ideologjia

Xhihadi është “Përpjekje” nga gjuha arabe dhe nuk nënkupton domosdoshmërish luftë, por edhe nëse kuptohet si luftë ka të bëjë me mbrojtje të atdheut dhe jo të ndonjë vendi të huaj. Kësisoj imami nga Peja Zuhdi Hajzeri vlerëson që xhihadi nuk ka asnjë lidhje me luftën në Siri.

Hajzeri që është pjesë e Qendrës Evropiane për Studime të Antiterrorizmit dhe të Inteligjencës Gjermani - Holandë, ka thënë për gazetën “Zëri” se xhemati kosovar praktikues i islamit është mashtruar nga kjo ideologji e rrejshme që është bërë nga rekrutët kosovarë, të cilët mund të kenë qenë edhe imamë nëpër xhami të ndryshme të Kosovës.

“Xhemati, thjesht praktikantët e rinj të fesë islame, janë mashtruar komplet dhe kjo ideologji është e tillë që dërgon në dhunë dhe në luftë. Janë manipuluar nga njerëz për qëllime dhe për interesa të tyre. Nëse ata që kanë shkuar kanë qenë njerëz fetarë dhe të objekteve fetare, atëherë rekrutimi ideologjik ka ndodhur. Pra nëse imamë të caktuar kanë sjellë literaturë dhe ligjërime me tema të caktuara, atëherë mund të konsiderojmë ose të themi se nxitja ose rekrutimi i butë është bërë. Nëse shpjegimi është bërë nga libra të terroristëve, atëherë nënkupton se ka pasur rekrutim në ideologji, e cila domosdo çon në këso gjërash”, ka sqaruar ai.

Hajzeri konsideron se ISIS-i ka filluar të marrë fund si organizatë, por jo edhe si ideologji.

“ISIS-i ka marrë fund si organizatë e organizuar, por jo komplet si organizatë. Ideologjia assesi nuk është zhdukur dhe është e vështirë të zhduket, sepse mbi këtë ideologji janë ndërtuar të gjitha organizatat terroriste, prandaj kjo ideologji prodhon edhe organizata tjera me emra tjerë”, ka përfunduar ai.

Çfarë i çoi kosovarët në Siri dhe në Irak?

Sociologu Ferdi Kamberi, i cili është njohës i çështjeve të religjionit, ka numëruar për “Zërin” disa nga faktorët që ndikuan në shkuarjen e kosovarëve në zonat e luftës në Siri dhe në Irak.

“Periudha e tejzgjatur e tranzicionit, kriza e vlerave e cila ka prodhuar krizë të identitetit, instrumentalizimi i fesë, sidomos i islamit duke u thirrur në dhunë ndaj të pafeve ose ndaj jomyslimanëve, gjë që është në kundërshtim me vetë etikën e islamit si fe universale, pastaj mungesa e informacioneve se çfarë në të vërtetë po ndodh ose ka ndodhur në këto vende, mercenarizmi, faktorët socio-ekonomikë”, ka deklaruar Kamberi.

Sipas tij, të kthyerit duhet të angazhohen në aktivitete, të risocializohen e të edukohen si formalisht, ashtu edhe joformalisht por çka është më e rëndësishmja thotë ai duhet të pranohen nga shoqëria.

Ndërsa për psikologun Vigan Behluli pjesëmarrja në konflikte të armatosura mund të shkaktojë çrregullime serioze mendore dhe kjo varet nga faktorët e ndryshëm. Duke folur për “Zërin” Behluli thotë se duhet të ketë studim për pasojat afatshkurtra dhe afatgjate që mund t’i ketë shkaktuar lufta.

“Në përgjithësi njëra prej faktorëve kyçë është gjatësia e ekspozimit ndaj ambientit të konfliktit. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, konsiderohet orientimisht se në situata të konfliktit të armatosur 10% e popullatës që përjeton ngjarje traumatike do të shfaqë çrregullime mendore serioze, që do ta cenojë skajshmërish funksionimin e tyre, kurse 10% do të manifestojë sjellje e cila do ta zvogëlojë mundësinë e funksionimit të tyre në mënyrë efikase, konkretisht që të përballen me situata të përditshme në jetë. Kjo mund të ngërthejë paraqitjen e ankthit, të humorit të ulur e të çrregullimeve të tjera psikosomatike e të cilat parandalojnë që njeriu të ketë mirëqenie p.sh. pagjumësia, ndjenja false që diku i dhemb etj”, ka thënë Behluli.

Ai shton se duhet të angazhohen ekspertët e fushës për të punuar me të kthyerit, sidomos me ata që mund të kenë tendencë që t’u shfaqet çrregullimi i stresit posttraumatik, duke shtuar se përvojat që kanë përjetuar janë praktika të gabueshme.

“Personat të cilët janë nisur me kauzë mund të shfaqin tendenca të rrezikshme dhe skajshmërish të papranueshme edhe pas kthimit. Ata duhet të riintegrohen dhe të rimësojnë që praktikat të cilat përfaqësojnë sjelljen ekstreme janë diçka që nuk i takojnë këtij shekulli”, shprehet Behluli.

U nis për pushime, përfundoi në luftë

Për disa nga gratë që janë kthyer nga Siria jeta dhe përvoja që kanë përjetuar atje ka qenë vullnet i Zotit. Të njëjtën e mendon edhe e mbrojtura e avokates Kimete Krasniqi. E mashtruar nga burri se po shkonin për pushime verore, ajo u bë pjesë e zonës së konfliktit në Siri bashkë me djalin e saj, tashmë 5-vjeçar.

“Klientja ime thotë se ka qenë e mashtruar prej burrit të saj. Nuk ka pasur dijeni se është duke shkuar në Siri, sepse ai i ka thënë se po shkojnë në pushime dhe kur ka hyrë në Siri ajo e ka kuptuar që nuk ka qenë puna e pushimeve, por është mashtruar prej burrit për të shkuar në luftën e Sirisë. Pastaj burri i saj e ka vendosur në një shtëpi ku ajo ka qëndruar aty me djalin e saj dhe burri i saj ka shkuar në luftime. Deri në tre muaj ai ka vizituar gruan dhe djalin në shtëpinë private, mirëpo pas tre muajve klientes sime ia kanë vrarë burrin”, ka rrëfyer Krasniqi.

Krasniqi shprehet që klientja e saj t’i ketë thënë se kushtet e jetesës në Siri kanë qenë mesatare.

“Gratë që kanë qëndruar atje nuk kanë qenë në zonë të luftës sikurse burrat, mirëpo nuk na kanë thënë shumë për kushtet atje, sepse nuk janë shumë bashkëpunuese. Ato janë shprehur me fjalën ‘Elhamdulilah’, duke treguar se nuk kanë pasur shumë vështirësi, as nuk kanë pasur jetë të mirë, por jetë mesatare, mirëpo varet çka nënkuptojnë me jetën mesatare. Megjithatë, ato janë të lumtura që janë kthyer në Kosovë, për shkak se fëmijët u jetojnë në një ambient tjetër. Nuk kanë dhënë detaje tjera nëse janë penduar, sepse po thirren në atë që ky ka qenë vullneti i Zotit dhe nuk është se këto kanë mundur të vendosin”, ka thënë Krasniqi./ZERI