Fundi i ISIS-it, por ka rrezik nga ideologjia

Fundi i ISIS-it, por ka rrezik nga ideologjia

Aktuale May 20, 2019 - 12:12

Gazeta “Zëri” sjell rrëfimet e disa grave kosovare, të cilat tregojnë se si kishin vendosur të shkojnë në zonat e konfliktit në Siri dhe në Irak, duke iu bashkëngjitur organizatave terroriste. Madje disa treguan se si burrat u kishin thënë se po shkojmë për pushime verore, ndërsa kishin përfunduar në luftë

Xhihadi është “Përpjekje” nga gjuha arabe dhe nuk nënkupton domosdoshmërish luftë, por edhe nëse kuptohet si luftë ka të bëjë me mbrojtje të atdheut dhe jo të ndonjë vendi të huaj. Kësisoj imami nga Peja Zuhdi Hajzeri vlerëson që xhihadi nuk ka asnjë lidhje me luftën në Siri shkruan "Zeri".

Hajzeri që është pjesë e Qendrës Evropiane për Studime të Antiterrorizmit dhe të Inteligjencës Gjermani - Holandë, ka thënë për gazetën “Zëri” se xhemati kosovar praktikues i islamit është mashtruar nga kjo ideologji e rrejshme që është bërë nga rekrutët kosovarë, të cilët mund të kenë qenë edhe imamë nëpër xhami të ndryshme të Kosovës.

“Xhemati, thjesht praktikantët e rinj të fesë islame, janë mashtruar komplet dhe kjo ideologji është e tillë që dërgon në dhunë dhe në luftë. Janë manipuluar nga njerëz për qëllime dhe për interesa të tyre. Nëse ata që kanë shkuar kanë qenë njerëz fetarë dhe të objekteve fetare, atëherë rekrutimi ideologjik ka ndodhur. Pra nëse imamë të caktuar kanë sjellë literaturë dhe ligjërime me tema të caktuara, atëherë mund të konsiderojmë ose të themi se nxitja ose rekrutimi i butë është bërë. Nëse shpjegimi është bërë nga libra të terroristëve, atëherë nënkupton se ka pasur rekrutim në ideologji, e cila domosdo çon në këso gjërash”, ka sqaruar ai.

Hajzeri konsideron se ISIS-i ka filluar të marrë fund si organizatë, por jo edhe si ideologji. “ISIS-i ka marrë fund si organizatë e organizuar, por jo komplet si organizatë. Ideologjia assesi nuk është zhdukur dhe është e vështirë të zhduket, sepse mbi këtë ideologji janë ndërtuar të gjitha organizatat terroriste, prandaj kjo ideologji prodhon edhe organizata tjera me emra tjerë”, ka përfunduar ai./ZERI