Shehu: Publikimi i fotografisë nga ana e Brovinës, gjest i pamatur i cili sjell pasoja

Shehu: Publikimi i fotografisë nga ana e Brovinës, gjest i pamatur i cili sjell pasoja

Aktuale May 20, 2019 - 13:47

Para pak ditësh deputetja e PDK-së Flora Brovina publikoi një fotografi, përmes së cilës thoshte se po dëshmon dhunimin e grave shqiptare nga forcat paramilitare serbe, mirëpo e njëjta fotografi doli të jetë e rreme. Pavarësisht që Brovina pranoi gabimin, ajo nuk pohoi se do të japë dorëheqje sado që një gjë të tillë opozita e shoqëria civile ia kërkoi në vazhdimësi.

Veprore Shehu udhëheqëse e Organizatës Joqeveritare “Medika Kosova”, ka thënë për “Zërin” se zonja Brovina duhet të jep përgjegjësi për këtë rast.

Sipas saj, publikimi i fotos ka qenë një gjest i pamatur i cili ka sjell edhe pasoja.

“Zonja Brovina ka një mandat të gjatë politik në kuadër të parlamentit të Kosovës dhe një përvojë në kuadër të përkrahjes së grave dhe fëmijëve, mirëpo një përfshirje e saj në një skandal të tillë, normalisht që nuk duhet të mbetet pa u ofruar përgjegjësi. Ky ka qenë një gjest i pamatur nga ana e saj, e veprime të tilla normalisht që sjellin edhe pasoja. Ky gjest i pamatur i saj fletë akoma më shumë për mungesë të njohurisë profesionale në lidhje me pasojat e traumës, e mungesë të një kodi të etikës së veprimit që të gjitha organizatat e aplikojmë”, ka thënë ajo.

Shehu ka thënë më tej se fotografia e publikuar nga Brovina ka shqetësuar dhe traumatizuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.

“Vetë dhuna seksuale si formë e dhunës që është përdorur gjatë luftës konsiderohet si një akt i turpshëm. Të mbijetuarat e kanë pasur gjithmonë prezente ndjenjën e turpit dhe të fajit që e ka ngarkuar edhe më tepër gjendjen e tyre emocionale dhe psikologjike gjatë gjithë këtyre viteve. Gratë janë shqetësuar, po ndihen të turpëruara karshi familjarëve të tyre sepse këto pamje i kanë kthyer gratë në gjendjen e parë traumatike dhe kanë ndier një lloj turpi karshi familjarëve të tyre që kanë qenë shikues të këtij skandali”, ka thënë ajo./Zëri