Zotimet për marrëveshje gjatë 2019-s

Zotimet për marrëveshje gjatë 2019-s

Aktuale May 24, 2019 - 09:20
Lexoni detajet

Qysh nga viti i kaluar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ishte shprehur i bindur se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë do të arrihej brenda 2019-s. Se konflikti Kosovë - Serbi do të zgjidhej në mars të këtij viti kishin deklaruar edhe disa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, të cilët vijnë nga radhët e PDK-së, shkruan Gazeta "Zëri". 

Gjatë muajve të kaluar kishte pasur edhe raportime të atilla ndërkombëtare, të cilat thoshin se marrëveshja do të nënshkruhej gjatë verës, gjegjësisht gjatë muajit qershor të këtij viti. Por asnjë prej këtyre skenarëve nuk pritet të jetësohet.

Në janar të këtij viti presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pati dhënë një intervistë për gazetën zvicerane “Blick”, me ç’rast pati pohuar se muajt në vijim do të rezultonin me një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve, Kosovës e Serbisë.

“Jo, kurrë më nuk do të ketë luftë mes shqiptarëve edhe serbëve, pikërisht falë kësaj marrëveshjeje të paqes që mund të arrihet në muajt e ardhshëm. Kush pengon arritjen e marrëveshjes së paqes merr mbi supe përgjegjësinë e tragjedive të tjera ndëretnike shqiptaro-serbe e ndoshta edhe më gjerë”, qe shprehur Thaçi para pesë muajsh.

Se ky vit do të jetë viti i marrëveshjes kreu i shtetit e potencoi disa herë radhazi. “Unë dua të besoj se viti 2019 do të jetë viti i marrëveshjes. Kjo është mënyra më e mirë për vendet tona dhe për gjithë Ballkanin perëndimor”, kishte deklaruar Thaçi , i cili qëndrimin e ngjashëm vazhdon ta përsërisë edhe sot, shkruan më tutje "Zëri" 

Ndërkohë zëvendëskryeministri që vjen nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, në fund të vitit të kaluar pati thënë se marrëveshja me Serbinë do të ndodhë më së largu në mars të vitit 2019.

Kurse mediet ndërkombëtare patën shkuar pak muaj më tej. Qysh në shkurt të këtij viti gazeta prestigjioze gjermane “Frankfurter Rundschau” pati shkruar se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të nënshkruhet në qershor të 2019-s. Mirëpo tash e disa muaj dialogu po vazhdon të jetë i bllokuar dhe marrëveshja të mos shihet fare në horizont. /ZERI