Përkujtohet masakra e Lagjes së Trimave në Prizren, familjarët kërkojnë drejtësi

Përkujtohet masakra e Lagjes së Trimave në Prizren, familjarët kërkojnë drejtësi

Aktuale May 26, 2019 - 17:49
Lexo Detajet

Sot janë bërë 20 vjet nga masakra në Lagjen e Trimave (Tusus) të Prizrenit, ku janë masakruar 27 qytetarë. Me këtë rast është kërkuar që para drejtësisë të dalin ata që kryen këtë masakër të tmerrshme.

Në akademinë përkujtimore që është mbajtur ka marrë pjesë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili tha se për masakrën në lagjen Tusus ende nuk ka drejtësi, e sipas tij krimi i pandëshkuar është krim i vazhdueshëm.

“Kriminelët, të cilët e urdhëruan masakrën e Tususit dihen me emër e me mbiemër, si dhe gradat e tyre policore e ushtarake”, tha Kurti.

Ai shtoi se shteti i Kosovës u ka borxh dëshmorëve e martirëve edhe për faktin se nuk ia kërkoi asnjëherë borxhin shtetit të Serbisë.

“Dëshmorët e martirët, viktimat e luftës e ata që ranë për liri, nuk i kanë asgjë borxh atdheut. Kurse, shteti ynë iu ka shumë borxh atyre, edhe për shkak se nuk ia kërkoi asnjëherë borxhin shtetit të Serbisë. Sot, këtu, ka mjaft edhe dhembje edhe krenari. Ajo që duhet të kemi më shumë është: përgjegjësi”, tha Kurti.

Kryesuesi i Kuvendit komunal të Prizrenit, Artan Abrashi, tha se 27 martirët që humbën jetën 20 vjet më parë hapën rrugën që Kosova sot të gëzojë lirinë.

“Jo rastësisht kjo ndodhi në Tusus, jo rastësisht Tususi ishte përzgjedhur si lagje, si vend ku duhej të ushtrohej kjo dhunë, sepse Serbia dëshironte të jepte shembuj mbi gjithë ata të cilët e ndiqnin rrugën për çlirimin e Kosovës. Tususi ishte çerdhja e lindjes, mirëmbajtjes, organizmit dhe funksionimit të UÇK-së, fatmirësisht ende i kemi dëshmitarët e gjallë të cilët mund ta rrëfejnë këtë. Ishte bërë qëndresa e këtij populli, ishte bërë qëndresa e qytetit të Prizrenit, ishte bërë krenaria e qytetit të Prizrenit”, tha Abrashi.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish Komandanti i UÇK-së, Zafir Berisha, tha se lagjja Tusus ka qenë ndër istikamet e pathyeshme të lëvizjes për lirinë e Kosovës.

“Tususi ka qenë ndër istikamet e pathyeshme të lëvizjes për lirinë e Kosovës, prijëse e shumë organizimeve në qytetin e Kosovës, fole e shumë luftëtarëve dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare, jo veç të Prizrenit por anë e kënd Kosovës dhe natyrisht ka qenë në ballë të organizimeve të luftës për liri të Kosovës. 97 ishte momenti vendimtar që u deshtë me i thënë Serbisë boll më në Kosovë…Në ato momente dramatike për Kosovën, kur Serbia dhe aparati shtetëror i Millosheviqit u mundonte të realizonte atë platformën e saj për Kosovën si ‘tokë e djegur’, kam bashkëjetuar me disa që kanë mbijetuar masakrës dhe atyre që sot janë në botën tjetër dhe për të cilën jam shumë i bindur se ata e kanë dhënë të vetën për këtë vend, për të cilën duhet të krenohen familjet e tyre dhe ne të tjerët”, tha Berisha.

Në emër të familjarëve ka folur Islam Thaçi, i cili ka kërkuar që emrat e kriminelëve të gdhenden nëpër procese gjyqësore.

“Ne nuk kemi shumë kërkesa, e kemi veç një kërkesë, kërkesa ime është ashtu siç kemi gdhendur emrat e më të dashurve tanë, martirëve, dëshmorëve, nëpër rrugët, sheshet, institucionet tona, që emrat e kriminelëve t’i gdhendim nëpër qelitë e burgjeve, nëpër fletë të aktakuzave dhe nëpër procese gjyqësore. Kjo është kërkesa jonë e vetme si familjarë të martirëve”, tha Thaçi.

Ndryshe, dy dekada më parë në lagjen Tusus të Prizrenit janë masakruar 27 qytetarë dhe janë djegur mbi 250 shtëpi.