Jahjaga: Rrugëtimi ynë për shtetin dhe popullin tonë nuk ka mbaruar ende

Jahjaga: Rrugëtimi ynë për shtetin dhe popullin tonë nuk ka mbaruar ende

Aktuale qershor 12, 2019 - 20:13
Lexo tjera detaje

Në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës nga NATO-ja dhe aleatët tanë, ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se “ne qëndrojmë të bashkuar dhe mbesim të vendosur për të kultivuar e promovuar vlerat për të cilat luftuam së bashku: lirinë, pavarësinë, demokracinë, sigurinë dhe paqen”.

Jahjaga, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Rrugëtimi ynë drejt zhvillimit, përparimit dhe prosperitetit për shtetin dhe popullin tonë nuk ka mbaruar ende! Kosova përballet me shumë sfida në rrugën e saj drejt integrimit në NATO dhe Bashkim Evropian, por nuk kemi të vetëm”.

Postimi i plotë i Jahjagës:

“Sot, Kosova feston lirinë! Përulemi para sakrificës së atyre që kanë rënë për liri dhe nderojmë ata që luftuan dhe i kontribuan çlirimit tonë.

Sheshet, rrugët dhe bulevardet mbi të cilat sot lëvizim të lirë mbajnë emrat e atyre që na qëndruan pranë në ditët më të errëta të historisë sonë. Respektojmë dhe nderojmë vendosmërinë, përkushtimin, guximin dhe këmbënguljen e tyre për t’i dhënë fund tragjedisë që po ndodhte në Kosovë më 1998-1999.

Në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës nga NATO-ja dhe aleatët tanë, ne qëndrojmë të bashkuar dhe mbesim të vendosur për të kultivuar e promovuar vlerat për të cilat luftuam së bashku: lirinë, pavarësinë, demokracinë, sigurinë dhe paqen.

Rrugëtimi ynë drejt zhvillimit, përparimit dhe prosperitetit për shtetin dhe popullin tonë nuk ka mbaruar ende! Kosova përballet me shumë sfida në rrugën e saj drejt integrimit në NATO dhe Bashkim Evropian, por nuk kemi të vetëm.

Përjetësisht mirënjohës!”, ka shkruar Jahjaga.